E Shtunë, 31 Tetor 2026

SIMBIOZE E POLITIKES ME KRIMIN?

Vendimi i segmentit mazhoritar të Parlamentit marrë para dy ditëve për ngritjen e komisionit parlamentar, i cili do të "hetojë" në lidhje me lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia e Tiranës, (nënkupto: Rama) më solli ndërmend edhe nja dy a tre libra, tematika e të cilëve sillet e përsillet në këtë shqetësim i cili përfundimisht ka tashmë një shtrirje globale: lidhjet dhe raportin e politikës me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kështu ndodhi që ende pa u ndarë nga tronditja që më dha me thellësinë e tij libri "Gomorra" i Savianos, Veton Surroi më solli vëzhgimin transkontinental të realizuar nga Misha Gleni, analist i njohur ky dhe me reputacion ndërkombëtar jo vetëm për vëzhgimet e bëra në rajonin tonë. Libri është përkthyer dhe botuar nga kryeredaktorja e "Kohës Ditore" në Prishtinë, njëherësh motër e Vetonit, Flaka. ("McMafia Crime Without Frontiers" 2008, London; "McMafia, krimi pa kufi", Prishtinë, 2008).

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që janë thellësisht të lidhura e të bashkërenduara me njëra-tjetrën, nuk se është ndonjë dukuri e re në zhvillimet politike. Qysh në kohët kur zë fill politika, duket se dy kanë qenë argumentet kryesorë të përfaqësuesve të saj: korrupsioni përballë ndershmërisë dhe përkorësisë në shërbim të njerëzve (qytetarëve); si dhe demokracia (liritë) përballë diktaturës (autoritarizmit dhe mungesës së lirive). Nën këto argumente, të cilave shpesh u shtohet edhe ai i domosdoshmërisë së ndryshimit në emër të së resë. (Vini re: "Shqipëria po ndryshon", thotë Berisha i cili kishte ardhur në pushtet nën sloganin "Me duar të pastra". "Është koha për ndryshim", i përgjigjet Rama).

Po në të vërtetë, sa e ka seriozisht politika dhe klasa politike luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar? Në ç‘raporte janë përfitimet e shpejta e të pandershme nga politikëbërja dhe pushteti me konceptin e të shërbyerit përmes politikës? A është vërtet Shqipëria vendi më problematik në këtë drejtim, sikundër dëgjojmë të thuhet shpesh e më shpesh nga ata që janë në opozitë? Sa ka ndryshuar dhe si përdoret (apo keqpërdoret) fjala mafie edhe nga politikanët tanë? Po drejtësia, e cila duhet të jetë edhe e pavarur edhe kalorësi që duhet të administrojë këtë luftë sa e imunizuar është për vete nga korrupsioni dhe nga lidhjet me "mafien"?

1. Besimi publik ndaj institucioneve

Pak a shumë në një mendje janë të gjithë ata që merren me këto analiza në lidhje me "sëmundjen" e korrupsionit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Ata theksojnë se "krimi i organizuar dhe korrupsioni lulëzojnë nëpër rajone dhe shtete ku besimi publik ndaj institucioneve është i ulët" (Misha Glenny, libri i cituar, fq. 119). E gjithë kjo situatë është ekuivalente me vëzhgimin e mprehtë të Savianos se përhapja e Komorrës është lehtësuar së tepërmi nga fakti se në rajonin në fjalë kanë munguar projektet serioze për zhvillim.

Po, si qëndrojnë institucionet e reja shqiptare (të shtetit të së drejtës) në raport me besimin publik? Si dhe sa punon vetë klasa politike e para në lidhje me përmirësimin e shkallës së besueshmërisë publike? Nuk është e vështirë të thuhet se është pikërisht vetë klasa jonë politike që është në krye të rrënimit të mëtejshëm të kësaj besueshmërie. Ishte Berisha i cili gjatë gjithë kohës së gjatë të të qenit në opozitë vetëm shpërndante mosbesim për këto institucione, të cilat, për shkak të trashëgimisë së një shteti diktatorial, edhe ashtu ishin të dobëta. Fjalët "mafie" dhe "mafioz" ishin shndërruar në mbiemrat e secilit politikan apo nëpunësi të administratës së asaj kohe. U shkua edhe më tej, kur në vend që si çdo opozitë e përgjegjshme të bashkërendonin kontributet për të ringritur besimin ndaj këtyre institucioneve, vetë Berisha nuk pranonte të paraqitej as për të dëshmuar përpara drejtësisë, (kujto rastin flagrant "Hajdari", p.sh.) ndërkohë që nëpërkëmbeshin të gjithë ata që tentonin të kryenin detyrën dhe u arrit deri te moskonsiderimi i vetë Kushtetutës.

Sikur të mos mjaftonte fakti se shumica e emërimeve nëpër zyrat e shtetit (pra edhe në institucione) kalonte nëpër sitat partiake (kupto: klanore dhe korruptive), sulmi politik, abuzimi me pushtetin ndaj tyre, nëpërkëmbja dhe anashkalimi u bënë thuajse një normë e të sjellurit të politikanëve. Në mënyrë thuajse të pabesueshme, e njëjta mënyrë sjelljeje ndaj institucioneve vazhdon edhe sot e gjithë ditën, madje edhe me ata përfaqësues institucionesh tashmë të emëruar nga vetë Berisha. Mjafton të kujtojmë sjelljen e tij dhe të ansamblit politik që e shoqëron ndaj Presidentit, ndaj Prokurores së Përgjithshme dhe, si rregull, ndaj gjithkujt për të cilin ai mendon se nuk ka sjellje "korrekte" politike me të. Kuptohet që akuzat janë po ato: lidhje me krimin dhe me korrupsionin. Le të citojmë një deklaratë të tijën në Parlament të para ca ditëve:

"Do të kem përplasje ndaj çdo prokurori dhe prokurorie të lidhur me krimin. Në tërësi këto institucione nuk i kanë shpëtuar akuzave politike. Ajo që është e rëndë është simbioza apo lidhja me krimin", ka qenë deklarata e Kryeministrit Berisha. Dhe vazhdon: "Në qoftë se Shqipëria u bë famëzezë për krimin e organizuar, prokuroria nuk veproi. Sollaku, ish-bashkëpunëtor i imi, ka qenë këshilltar imi, por unë nuk do të pajtohem kurrë me simbiozën e tij me krimin".

Kjo mënyrë të sjelluri me institucionet, tashmë është bërë determinuese për vetë besimin publik ndaj tyre. Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo mënyrë të sjelluri agresive dhe aspak institucionale, ka tash disa kohë që është bashkërenduar me një "sëmundje" tjetër, e cila pak nga pak po shndërrohet në një normë: shmangia, apo bishtnimi nga përgjigjja ndaj akuzave, qoftë ndaj atyre të politikanëve kundërshtarë, qoftë edhe ndaj atyre që ngre media. Pak a shumë stereotipi që është krijuar tashmë është si më poshtë: X politika është akuzuar nga Y media (apo kundërshtar politik) për një Z aferë të fëlliqur korruptive. Në vend që të sqarojë opinionin në lidhje me akuzën, përgjithësisht reagon si më poshtë: Kjo akuzë tregon frikën e humbjes së pushtetit dhe është gatuar në laboratorët e krimit… Duket se edhe Rama nuk e ka pak të kultivuar këtë mënyrë sjelljeje. Nëse ai është akuzuar - shkak i pretenduar për ngritjen e Komisionit Hetimor, - për korrupsion në dhënien e lejeve të ndërtimit, do të ishte e udhës që së pari të sqaronte para publikut se si qëndron e vërteta në lidhje me këto leje të pretenduara dhe vetëm pas kësaj të rendiste edhe argumentet ligjorë të cilët e ndalojnë ngritjen e këtij komisioni, sigurisht pa iu shmangur edhe "detyrimit" për të bërë politikë me sa më sipër ndodhi.

Pikërisht te "bishnimi" ndaj detyrimit për të dhënë përgjigje korrekte dhe transparente, qoftë edhe me ngarkesa politike, është një tjetër shkak i rrënimit të mëtejshëm të besimit publik ndaj institucioneve, për pasojë edhe tymnaja e korrupsionit dhe lidhjeve me krimin, një tymnajë në të cilën është thuajse e pamundur që të ndash të vërtetën nga shpifja, korrupsionin nga përfitimi normal, partinë politike nga grupimi i interesave të fëlliqura, qeverinë dhe aktivitetin e saj nga aktiviteti i një bande të përbetuarish.

A kemi të bëjmë realisht me një simbiozë? Si krijohet, kush e kultivon dhe për ç‘interesa? Sa e re është kjo simbiozë dhe në ç‘nivel është përhapja e saj ndër ne? A jemi kaq të ndryshëm nga "bota"? Dhe…

2. E mund të dilet nga ky "mallkim"?

Në të vërtetë, dy librat e lartpërmendur, pra "Gomorra" i Savianos dhe "McMafia…" i Glenit kanë fokuse të ndryshëm. Nëse i pari bën një anatomi vertikale të krimit të organizuar vetëm në një rajon të Italisë dhe për një strukturë mafioze, Kamorrën, i dyti realizon një prerje horizontale të krimit të organizuar të përbotshëm. E, një penë e tretë, gjithashtu e shquar, nga Parisi, Zhak Atali, me tonet e një futurologu që tenton të rigjallërojë traditën e orakujve, këmbëngul se si pasojë e globalizmit dhe e mbërthimit të politikës nga korrupsioni, tashmë ndërkombëtar, kufijtë mes politikës dhe krimit të organizuar do të shuhen dhe sindikatat e krimit do të kontrollojnë zhvillimet. Ngjan si një peizazh i trishtë i një të ardhmeje të pashpresë. Ashtu si në të gjitha kohërat, të flasësh për të ardhmen do të thotë të marrësh përsipër një risk të madh, çka nuk i shmanget Atali. Madje edhe më tej se kaq: ai riskon të përcaktojë edhe kufij kohorë për këto kapërcime.

Por, a është vërtet kaq e pashmangshme kjo lloj e ardhmeje? Misha Gleni dëshmon se në shoqëritë ku strukturat shtetërore antikorrupsion dhe vetë tesuti institucional funksionon, kjo luftë do të mund të fitohet nga shoqëri dhe shtete të shëndetshëm, demokratikë dhe funksionalë. Ai vë re se madje edhe në shoqëri si ajo e Nigerisë që konsiderohet thuajse një kampion i shtetit të korruptuar, me aktivizimin e strukturave efikase të antikorrupsionit, kanë filluar të shfaqen shenjat e para të përmirësimit të funksionimit të shtetit dhe të tkurrjes së dukurisë së krimit të organizuar. Megjithatë që të tre këta autorë duket se kanë të drejtë kur vënë theksin se bashkëpunimi mes shteteve, posaçërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, janë ku e ku më prapa nga rrjeti tashmë global i strukturave eficente dhe aspak burokratike të vetë krimit të cilit interneti i ka dhënë "pasaportë" ndërkombëtare. Nuk është e vështirë të kuptohet se shkaqet për këtë "vonesë" janë të shumta, fillojnë nga ato quasi ideologjike, nga diferencat e pasurive dhe të efektivitetit të institucioneve, tek kulturat e ndryshme e deri tek një fakt që nuk duket se është i fundit për nga rëndësia: tek korruptimi dhe mbajtja peng e vetë politikës së shumë vendeve prej krimit të organizuar.

3. Ku jemi ne?

Që shteti shqiptar, ashtu si shumica e shteteve që dalin nga diktaturat (përfshi edhe ato ushtarake, "të djathta" apo "të majta") nuk ishte i përgatitur për të përballuar këtë realitet të ri, nuk përbën ndonjë lajm. Që Shqipëria dhe shqiptarët kudo që janë, përmenden jo rrallë si burim i mafieve të llojllojshme, edhe kjo është e vërtetë. Madje më shumë se sa kaq: dukuria të cilën Kadare e përmend si një cilësi të theksuar vetëkritike të natyrës së shqiptarit, ka bërë që jo vetëm ne, por edhe të huajt të kenë një afrim dyshues me ne. Mafia shqiptare, mafia kosovare, mafia e Durrësit, familjet mafioze shqiptare, mafia politike… janë vetëm disa nga togfjalëshat që nuk se i hasim rrallë edhe në shtypin a mediat e përditshme, edhe në fjalimet e ekzaltuara pa shkak të politikanëve. Këtij stereotipi nuk i ka shpëtuar as Saviano, i cili përmend si një arritje të "mafies" shqiptare martesën e një vajze shqiptare në një familje të Komorrës.

Nëse do ta konsideronim librin e Misha Glenit si një udhërrëfyes në botën globale të krimit, do të kuptonim se Shqipëria dhe shqiptarët, janë thjesht ca amatorë, edhe në këtë fushë. Mendoj se është e paprecedent, që ndërkohë që edhe një televizion lajmesh, i cili administrohet nga një italian, nuk rresht së foluri për krimin e organizuar shqiptar, vetë ministri i Jashtëm i Italisë të deklarojë, siç edhe ndodhi, që 440 mijë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali janë të integruar dhe nuk i sjellin probleme këtij shteti. Kur shqiptarët të përfshihen më mirë në informacionin global, kur të mësojnë për Dubain, Mumbain, Izraelin, apo fqinjin tonë, Bullgarinë dhe të shohin se si në këto vende lulëzon krimi i organizuar dhe korrupsioni, për të mos shkuar pastaj në zemër të Afrikës, atëherë, mbase do të fillojë një lloj normaliteti edhe në gjykimin e vetes.

Megjithatë, sikundër e theksuam edhe në krye të këtij shkrimi, nënvleftësimi i këtij problemi tashmë madhor për një vend, mund të shndërrohej në një të keqe edhe më të madhe nga kjo cilësi e vetëkrikës që na dallon. Në kushtet kur institucionet përgjegjëse në këtë luftë janë ende të reja dhe të paqëndrueshme për shkak të presionit politik, rikthehet edhe një herë problemi tek politika. Sa dhe në ç‘raporte është ajo me krimin e organizuar? Sa ka vullnet politik që ta çlirojë vendin dhe jetën tonë nga kjo e keqe që shkatërron funksionimin normal të shtetit? Sa kontribut jep ajo për të rritur besueshmërinë e publikut ndaj institucioneve të shtetit të së drejtës?

Shqipëria tashmë ka hyrë në fushatën elektorale të radhës. Përzgjedhja e kandidatëve për deputetë, përpos të tjerash ka për të qenë një sprovë e vullnetit politik të lidershipit aktual për ta ndërprerë këtë simbiozë të rrezikshme mes krimit dhe politikës që tashmë është shfaqur edhe ndër ne. Në të kundërt, kjo simbiozë do fuqizohet jo vetëm në kurriz të institucioneve të shtetit, por në radhë të parë do të rrezikojë seriozisht të ardhmen demokratike të vendit. Dhe atëherë akuzat në mes politikanëve kanë për të qenë jo vetëm të pavlefshme, por qesharake, sikundër janë jo rrallë edhe tash.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›