Arka e bashkisë bosh, Edi Rama ka gllabëruar edhe grantin e Qeverisë

Boshatiset arka e Bashkisë së Tiranës, duke lënë në gjendje vetëm 140 milionë lekë. Gazeta 55 i referohet shifrave më të fundit nga buxheti i bashkisë së kryeqytetit, të cilat flasin për një gjendje të vështirë financiare. Këto të dhëna tregojnë se ky institucion nën drejtimin e ish kryetarit Edi Rama, i është dorëzuar kryetarit të ri Lulzim Basha, me gjendje vetëm prej 140 milionë lekësh, shumë kjo që nuk mjafton as për pagat e punonjësve të institucionit.
Në gjashtë muajt e parë të vitit është konsumuar edhe granti i Qeverisë qendrore për bashkinë, prej 870 milionë lekësh, duke e bërë edhe më të vështirë situatën. Si për të mos mjaftuar vetëm kjo, bashkia tani është e detyruar të përballet dhe me një nivel të lartë borxhi ndaj kompanive, të trashëguara nga kryetari paraardhës, shifër kjo jo e vogël, plot 930 milionë lekë.
E gjithë kjo situatë duket të jetë krijuar nga niveli i ulët i arkëtimeve që ka siguruar bashkia, kryesisht ndaj biznesit. E përkthyer kjo në shifra, gjatë 6-të mujorit të parë të këtij viti taksat janë mbledhur në nivelin 32%. Parë në mënyrë më të detajuar, në muajin prill mbledhja e taksave ka arritur në nivelin 95.3%, nivel ky që mund të konsiderohet i lartë, por në muajin qershor arriti në nivelin më të ulët të mundshëm prej vetëm 9.6%.
Këto të dhëna mund të interpretohen në disa mënyra, por ajo që korrespondon më shumë është realizimi i zgjedhjeve vendore. Thënë më thjeshtë, një muaj para procesit elektoral të 8 majit, është parë nevoja për më shumë para, duke angazhuar maksimalisht administratën tatimore, të mbledhë të ardhurat, ndërkohë që, krejt e kundërta duket se ka ndodhur në qershor, një muaj pas zgjedhjeve. Burime pranë bashkisë së Tiranës thonë se është bërë pagesa e punonjësve për muajin korrik, ndërsa fondet që mbeten nuk mjaftojnë për muajt në vijim.
Për këtë arsye bashkia thotë se janë shtuar inspektimet e agjentëve në terren, duke detyruar të gjithë debitorët të paguajnë detyrimet e prapambetura.