E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristani: Procesin e bllokuan komisionerët socialistë, ata të ndiqen penalisht

04-08-2011 / Gazeta 55

KQZ, me 7 vota “pro” shpall të pavlefshme zgjedhjet në komunën Shalë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli dje të pavlefshme zgjedhjet për kryetar komune në komunën Shalë të qarkut Shkodër. Në datën e dekretuar për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore, të cilat u mbajtën më 31 korrik, në komunën Shalë u vërejtën probleme nga më të ndryshmet, të cilat çuan në ndërprerjen e procesit zgjedhore që në orët e para të mëngjesit, pasi në një pjesë të mirë të qendrave të votimit, nuk u lejua nga militantët politik të PS-së, dërgimi i bazës materiale. Por, problematika e zgjedhjeve të 8 majit shkon edhe më tej.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani tha se kur filloi dita e dielë komisioneri socialist i qendrës 130 në Shllak, nuk u paraqit bashkë me vulën, duke tentuar të bllokonin procesin zgjedhor dhe po kështu dhe në Finiq, ndërsa në komunën Shalë eksponentë dhe militantë të PS-së bllokuan procesin, duke çuar në mos zhvillimin e zgjedhjeve.
“Dhe kjo tregon se është një sjellje e vazhdueshme për të shkatërruar zgjedhjet”, u shpreh Ristani.
“Kjo pavlefshmëri në Shkodër ka ardhur pikërisht nga ju, nga paaftësia e juaj, se ju keni patur në dispozicion tërë shtetin, tërë mjetet, miratuat dhe kuorum dhe nuk mundët dhe pse nuk mundet? Por, se ishit në kundërshtim të hapur me ligjin në çdo lloj procedura se i emëruat komisionerët jo siç parashikonte ligji, por bëtë shpikje ditën e shtunë dhe se jeni të paaftë për të organizuar zgjedhje”, tha përfaqësuesi i Partisë Socialiste duke ju drejtuar kreut të KQZ-së.
Ndërkaq, shpallja e rezultatit final të zgjedhjeve vendore, do të ketë një tjetër pengesë, Finiqin. Partia MEGA ka ankimuar në këtë komunë të Delvinës rezultatin ku kandidati i saj Ziso Lluçi humbi vetëm me një votë kundrejt, Sokrat Spiros të PBDNJ-së.
Çështja do të shqyrtohet në KQZ e më pas dhe në kolegj zgjedhor, madje mund të shkojë deri në rinumërim. Zgjedhjet në të 2 komunat do të zhvillohen në të njëjtën ditë, e cila nuk dihet kur do të përcaktohet dhe si rrjedhojë kur KQZ do të certifikojë vendoret e 2011-ës. Në një mbledhje ku nuk munduan replikat me përfaqësuesin e PS-së, Arben Ristani njoftoi shkarkimin e komisionerëve të KZAZ-ve të këtyre komunave të cilët do të çohen për ndjekje penale. “Mbi bazën e një analize të situatës në KZAZ unë mendoj se duhet të propozoni dhe shkarkimin e tyre nga detyra se s’mundet që po këta të organizojnë zgjedhjet dhe të vazhdojnë të shikojmë për kallëzime të mundshme penale”,tha Ristani. Në rezultatin e dalë nga votimi me 8 maj në Finiq ishte shpallur fitues kandidati i MEGA-s me katër vota më shumë, por Kolegji Zgjedhor shpalli pavlefshmëri të rezultatit, pasi tre persona të cilët kishin votuar në këtë komunë ishin të regjistruar njëkohësisht edhe në listën e zgjedhësve të komunës Çarshovë dhe se rreth 60 për qind e zgjedhësve, kur janë paraqitur në qendrën e votimit, nuk kanë shënuar numrin e kartës së identitetit.

Të arrestuarit e Shalës, Gjykata, 10 ditë burg për 3 prej tyre
Gjykata e rrethit gjyqësor në Shkodër, në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj 5 të arrestuarve në Komunën Shalë që akuzohen për pengim të procesit të zgjedhjeve të 31 Korrikut, e ka vlerësuar të paligjshëm arrestin në flagrancë të të ndaluarve, pasi ata nuk janë kapur në kryerje e sipër të veprës penale. Megjithatë për 3 prej të arrestuarve, Petrit Colin, Mirash Rrethatorin dhe Pëllumb Mollzati, që kanë precedentë penalë, për shkak të rrezikshmërisë së ulët shoqërore që paraqet vepra penale në fjalë, është caktuar masa e sigurisë personale arrest me burg 10 ditë, kohë gjatë së cilës prokuroria është detyruar të sjellë materialet e duhura dhe provat shkresore që vërtetojnë akuzën e ngritur. Ndërsa për dy të tjerët, Prek Kodra dhe Kolë Gjergji u caktua masa detyrim paraqitje.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›