Mazhoranca i përgjigjet edhe njëherë negativisht kërkesës së opozitës, për ndryshimet në Kushtetutë

Gumi dhe Braho: Kërkesa e PS, e pasinqertë - Rama kërkon të kthejë krizat politike
Partia Demokratike dhe aleati i saj në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim shprehen kundër propozimeve të opozitës për një tjetër ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit. Deputeti demokrat Viktor Gumi e cilëson kërkesën e PS-së si tendencë të Edi Ramës, për të rikthyer krizat politike, në zgjedhjen e presidentit. Sipas Gumit, ishte vetë Rama ai që kërkoi 3 vjet më parë ndryshimin e kushtetutës, duke kthyer formatin që është ende edhe sot. “Ne kemi rënë dakord që kushtetuta nuk mund të jetë burime krizash. Kushtetuta duhet të jetë burim i zgjidhjes së krizave. Ndaj çdo lloj amendamenti që tentohet të bëhet ndaj kushtetutës, unë mendoj se është e destinuar të dështojë. Pastaj, unë mendoj se çështja e imunitetit mbetet një çështje e hapur, por njëkohësisht është edhe një çështje e zgjidhur. Nga ana e saj, mazhoranca e ka deklaruar elementin e imunitetit në këtë drejtim, duke i dhënë një zgjidhje ligjore. Për aspektin e imunitetit të Kushtetutës, është një parë në historikun e këtyre dy viteve, është një zgjidhje që mbështetet në eksperiencën ndërkombëtare dhe është një zgjidhje ligjore dhe kushtetuese”.
Spartak Braho
Aleati i demokratëve, Lëvizja Socialiste për Integrim, ruan qëndrim kritik të për ndryshimet Kushtetuese, të miratuara më 21 prill të vitit 2008. Sipas sekretarit për çështjet ligjore në LSI, Spartak Braho, oferta e Partisë Socialiste është e pasinqertë, pasi në radhë të parë ata duhet të mbajnë përgjegjësi për ndryshimet e nxituara të 2008-ës. “Unë mendoj se Kushtetuta nuk duhet të përfundojë si seancat e natës së 21 prillit 2008. Zoti Rama, apo edhe segmente të tjera të Partisë Socialiste, nuk e kanë të sinqertë problemin e ndryshimeve Kushtetuese”- u shpreh Braho. Debati për ndryshimet kushtetuese u hap nga lideri socialist Edi Rama, i cili pas përfundimit të betejës ligjore për bashkinë e Tiranës, pranoi se ndërhyrja në lkigjin themeltar të shtetit në vitin 2008, ishte e gabuar dhe kishte ardhur momenti që Kushtetuta të amendohet sërish.
...