E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkeologu Neritan Ceka promovon sot në qytetin e Gjirokastrës

Një histori e plotë për qytetin antik

Rreth 35-40 vjet nga koha kur arkeologu Dhimosten Budina arriti të identifikojë Antigonenë, për herë të parë botohet një histori e plotë e qytetit antik. "Antigonea, qyteti i dashurisë së parë", shkruar nga arkeologu Neritan Ceka dhe botuar nga "Migjeni", promovohet sot në Universitetin "Eqrem Çabej" të Gjirokastrës. Prej disa kohësh, për shkak të angazhimeve politike, Ceka ka qenë paksa i distancuar nga zhvillimet arkeologjike apo botimet e kësaj fushe. Në një panel me specialistë, ku i pranishëm do të jetë edhe autori, do të mbahet një diskutim lidhur me vlerat historike të këtij libri dhe ato promovuese për Parkun Arkeologjik të Antigonesë. Arkeologu sjell në faqet e këtij botimi historinë e Antigonesë në shumë plane e rrjedha të saj, legjendat dhe ngjarjet që lidhen me këtë qytet, etapat dhe periudhat para lindjes së qytetit dhe pas ndërprerjes së jetës në të, personazhet dhe figura që lidhen me emrin e Antigonesë, luftëra e ngjarje të përshkuara nga autorë të ndryshëm që u përkasin periudhave që nga antikiteti i hershëm e deri në ditët tona. Janë legjenda dhe histori të lashta, lehtësisht të lexueshme për një publik të thjeshtë që kërkon të shuajë kureshtjen për këtë qytetërim të lashtë. Autori e konsideron "…botim me karakter shkencor-popullor". Vetë titulli i këtij botimi të sugjeron një botë legjendash, por në fakt brenda faqeve vijnë njëkohësisht edhe fakte historike të dëshmuara nga autorë të lashtësisë si Plutarku, Justini e të tjerë, të cilët rrëfejnë se Antigona ishte gruaja e parë e Pirros. Ai u martua me të në oborrin e mbretit Ptoleme në Egjipt dhe emrin e Antigonës ia vendosi një qyteti; kjo ishte dashuria e parë. Ngjarjet dhe fati bëri që Pirro të martohej edhe disa herë më pas, e të tjera ngjarje e fakte të tilla me vlera historike. "Antigonea, qyteti i dashurisë së parë" vjen në vazhdën e disa botimeve që Neritan Ceka ka sjellë si arkeolog për lexuesin shqiptar dhe të huaj në dekadën e fundit. "Ilirët", "Apolonia", "Bylisi", "Butroti", "Harta Arkeologjike e Shqipërisë" (me bashkautorë) janë disa nga titujt e tjerë. "Neritan Ceka na jep sot një vepër të plotë shkencore, artistike dhe informative. Ky libër ndriçon e sqaron përfundimisht të gjitha dilemat dhe enigmat që lidhen me historinë dhe ekzistencën e Antigonesë. Nga pikëpamja shkencore vlerat më të rëndësishme të botimit "Antigonea, qyteti i dashurisë së parë" janë të shumta: përshkrimet me kompetencë të plotë shkencore të të gjitha monumenteve të zbuluara nga ekspeditat arkeologjike gjatë afro 30-40 vjetëve nga prof. Budina, konteksti i plotë i ngjarjeve historike para dhe pas jetës urbane në Antigone, portretizimi i spikatur dhe i studiuar mirë i të madhit Pirro, Mbret i Epirit, sqarimi i argumentuar i rrethanave të lindjes së qytetit, interpretimi i përkryer shkencor i objekteve të gjetura poshtë rrënojave të këtij qyteti etj. Ndër këto vlera shkencore të botimit përfshihen edhe referencat në monumentet e tjera në territorin përreth kësaj qendre të rëndësishme të periudhës antike në Luginën e Drinos dhe në krejt Epirin", shprehet arkeologu Dhimitër Çondi për këtë libër të ri. Ndërsa Engjëll Serjani, drejtor i zyrës së administrimit dhe koordinimit të parkut të Antigonesë, duke e konsideruar këtë libër si një dhuratë për stafin e parkut arkeologjik, për pedagogët dhe studentët e universitetit, por edhe për operatorët turistikë të rajonit, thekson se do të ishte e udhës që rrënojave ende të pazbuluara të qytetit t‘u ktheheshin ekspeditat si ato të disa viteve më parë nën drejtimin e arkeologut Dhimosten Budina, të bëheshin më shumë investime për sa u përket restaurimeve të monumenteve të zbuluara tashmë dhe të përmirësohej infrastruktura që të çon në këtë park arkeologjik. "Ashtu si në botimet e mëparshme, për nga përmbajtja edhe në këtë libër autori shpalos vlera sa shkencore aq edhe historiko-artistike, duke e bërë lashtësinë më interesante, më të lexueshme dhe tërheqëse për një masë më të gjerë dashamirësish të librit. Me këto botime autori ka dalë jashtë auditorit të vogël të universitetit drejt auditorit të madh të lexuesit të thjeshtë", thekson Stefan Thimjo, specialist i zyrës së parkut arkeologjik. Po sot, do t‘i jepet titulli "Qytetar nderi" i Qarkut të Gjirokastrës arkeologut grek Kostandinos Zahos, bashkëdrejtor i ekspeditës kërkimore shqiptaro-greke gjatë periudhës 2006-2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›