Një rrëfim për "Berlinin pa mure"
Në vigjilje të 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, diplomati Jorgji Kote i ka hedhur në një libër mbresat dhe kujtimet e tij gjatë kohës që shërbeu si ministër këshilltar në ambasadën tonë në Berlin (2001-2005). "Berlini pa mure", botuar nga "Toena", veç historisë së kryeqytetit të Republikës Federale të Gjermanisë, sjell përvojat dhe përjetimet personale të një funksionari shqiptar. Fakti që autori ka shërbyer edhe si diplomat në kryeqytetin gjerman, dija dhe qasja e tij historike mbi dallgët kohore që Berlini ka kaluar nga koha e Bismarkut, Republika e Weimar-it, periudha e errët naziste, Lufta e Ftohtë, rënia e Murit të Berlinit dhe ribashkimi i Gjermanisë, që solli edhe rënien e perdes së hekurt komuniste, vrulli dhe entuziazmi, por edhe vështirësitë në rinjohjen gjermano-gjermane dhe berlineze (tani pa mure) e bëjnë këtë libër një lloj manuali të dobishëm për lexuesin shqiptar, që do të dijë më shumë për kryeqytetin gjerman, sidomos për lexuesin që do ta vizitojë atë.