E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Salome", premierë në Teatrin e Operës

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka nisur përgatitjen për ngjitjen në skenë të një tjetër premiere operistike. Kësaj here në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, publiku shqiptar do të njihet me operën me një akt "Salome", me muzikë të Richard Strauss sipas libretit të Oscar Wilde. Në skenën e TKOB-së, "Salome" do të vijë nën drejtimin e regjisores Patrizia Panton, skenografi të Platon Bardhit, koreografi të Denys Ganio, dhe mjeshtrit koncertues, Nicola Colabianchi. Për këtë premierë janë ftuar artistët Nausicaa Policicchio, Roy Stevens, Thomas Gazheli, Aleksandër Dojkovic, ndërsa do të interpretojnë edhe shqiptarët Sonila Baboçi, Edith Mihali, Lindita Kola, Oltion Mëhilli, Gilmond Myftari, Erlind Zeraliu, Denis Skura, Elson Braha, Eduard Sokoli, Armando Likaj, Genci Vozga, Pandush Koko, Rezarta Qevani e Sokol Hidersha. Ngjarjet zhvillohen në pallatin e Herodit në Jerusalem. Ndërsa është duke u zhvilluar një banket madhështor shërbyesi i Herodiadës paralajmëron Narraboth që të ketë kujdes mos magjepset prej bukurisë hënore të Salomesë. Ndërkaq, dëgjohet zëri i profetit Joakanaan profet (Gjon Pagëzori), i cili i burgosur në një cisternë, njofton ardhjen e Mesias. Salome ngjitet në tarracë dhe intriguar nga zëri profetik i Jokanaan, urdhëron rojet për të thyejnë urdhrin e Herodit, dhe ta nxjerrin nga ku e kanë burgosur. Tashmë i liruar Jokanaan, dënon mëkatet e Herodit dhe Herodiadës. Salome vazhdon ta vëzhgojë dhe kur profeti e kupton e largon vajzën e cila gjithnjë e më shumë është e tërhequr prej tij, madje dëshiron edhe ta puthë. Narraboth, duke u ndierë i tradhtuar nga Salome, i ngul thikën vetes. Jokanaan mallkon vajzën dhe kthehet në cisternë. në tarracë dalin Herodi dhe Herodiada. Kjo e fundit është e shqetësuar nga prania e profetit. Heroi indiferent i kërkon Salomesë të vallëzojë për të duke i premtuar gjithçka ajo dëshiron. Pasi vallëzon "Kërcimin e shtatë mbulesave" e reja e cila mbetet lakuriq përballë njerkut, Herodit, kërkon që t‘i vijë mbi një pjatë të argjendtë koka e prerë e profetit. Herodi ia plotëson dëshirën Salomesë, edhe pse më parë përpiqet që t‘i ndryshojë mendje. Me t‘i ardhur koka Salome, puth buzët e tij të mbuluara me gjak. Herodi i tërbuar urdhëron ushtarët që ta vrasin. Për herë të parë "Salome" është shfaqur në 9 dhjetor të vitit 1905 në Drezdë. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Në Tiranë, për herë të parë kjo vepër do të ngjitet më 15 nëntor e do të vijojë të shfaqet deri në datën 21 të po këtij muaji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›