E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkeologu, “ndalesë” në periudhën e bronzit

19/05/2009  Frano Prendi

Puna e tij vendoset në një tjetër kohë. Gjithçka për të cilën kërkoi lidhet me prehistorinë. Po kështu më së shumti edhe veprat që ai solli e që vazhdon të sjellë. Dy të tilla arkeologu Frano Prendi i ka prezantuar edhe dje në një ditë që përkon me 80-vjetorin e tij. “Bronzi i hershëm në Shqipëri” dhe “Studime arkeologjike” janë paraqitur mes një rrethi miqsh, studiuesish e arkeologësh. Sipas kolegëve të shumtë, pjesëmarrës në aktivitet, “prof. Prendi gëzon privilegjin të shquhet si ndër arkeologët e parë dhe me formim të mirëfilltë profesional dhe të hyjë në radhën e atyre njerëzve që lanë gjurmë dhe i bënë vend vetes që të respektohen me nderim”. Ai njihet prej të gjithë studiuesve si brenda, ashtu dhe jashtë vendit, si themelues i shkencës së arkeologjisë prehistorike shqiptare, së cilës iu përkushtua me këmbëngulje dhe pasion të jashtëzakonshëm gjatë një periudhe prej rreth një gjysmë shekulli, duke dhënë me punën e tij kërkimore e studimore një ndihmesë thelbësore dhe të papërsëritshme. Ai është njëherazi një nga lëvruesit e parë që kanë hedhur bazat në fushën e studimeve ilire në Shqipëri. Nismëtar i kërkimeve më të hershme në këto fusha, ai është edhe themelues i mendimit shkencor mbi të cilin u mbështetën kërkimet e mëtejshme në to. Në fushën e prehistorisë prof. Frano Prendi krijoi për të parën herë sistemin e periodizimit kronologjik e kulturor të të gjitha epokave pre- dhe protohistorike në Shqipëri dhe realizoi strukturimin e kulturave prehistorike shqiptare në grupe dhe komplekse kulturore në një kontekst të gjerë ballkanik e mesdhetar. Gjithashtu arriti të evidentojë veçoritë rajonale të zhvillimit kulturor në Shqipëri si gjatë epokës së neolitit dhe eneolitit, ashtu dhe gjatë epokës së bronzit dhe asaj të hekurit, duke arritur të formulojë teorinë mbi unitetin dhe diversitetin në zhvillimin e kulturës ilire gjatë epokës së hekurit në Shqipëri, si dhe të argumentojë mbi këtë bazë procesin autokton të formimit etnogjenetik të popullsisë ilire në territorin e Shqipërisë, në veçanti dhe në Ballkanin perëndimor në përgjithësi. Aplikues i metodave bashkëkohore në gërmimet arkeologjike të prehistorisë, Prendi ka meritën të jetë krijuesi i shkollës së prehistorisë shqiptare, në të cilën u përgatit një brez i tërë prehistorianësh që punojnë edhe sot në këtë fushë. Prof. Frano Prendi ndërmori gërmime në shumë vendbanime prehistorike, por më tepër pati për zemër atë që lidhet veçanërisht me emrin e tij, vendbanimin shumështresor të Maliqit. Maliqi ku ai gërmoi (me ndërprerje) gjatë dhjetë fushatave, nga viti 1961 e deri në 1990, do të mbetet në historinë e arkeologjisë shqiptare si vendbanimi i parë stratigrafikisht i gërmuar e i studiuar dhe si shkolla e parë e përgatitjes së kuadrove të reja në fushën e arkeologjisë prehistorike. Ai e zgjeroi hapësirën e studimit edhe në zona të tjera të Shqipërisë për të krijuar një pamje sa më të plotë të zhvillimit prehistorik të vendit tonë. Kështu, ndërmori një numër gërmimesh në Kamnik të Kolonjës, në Podgori dhe në Sovjan të Korçës, në Blaz dhe në Nezir të Matit, në Belaj të Shkodrës etj. Ndihmesa e tij shtrihet edhe në fushat e arkeologjisë antike ilire dhe mesjetare. Në fushën e arkeologjisë antike vlen të përmenden gërmimet në Apoloni, në qytetin ilir të Irmajt në Gramsh, në atë të Lisit etj. Ndërsa në atë të arkeologjisë mesjetare me rëndësi të veçantë është gjurmimi dhe kërkimi i vendvarrimit të Skënderbeut, të cilin ai e identifikoi në rrënojat e katedrales së Shënkollit në Lezhë. Në fushën e studimeve dhe botimeve historike duhet përmendur se është bashkautor i pjesës së lashtë të “Historisë së Shqipërisë”, në tri botimet e saj që nga viti 1959, i librit në frëngjisht “Les Illyriens” (1982) dhe i veprës së rëndësishme “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”. Në botimet jashtë vendit me rëndësi është studimi monografik “The prehistory of Albania”, botuar në vëllimin III të botimit akademik shumëvëllimësh në Cambridge. Për kontributin e tij është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri të Klasit II” dhe “Naim Frashëri të Klasit I”, si dhe me titullin “Mjeshtër i madh”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›