E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koka e Zeusit, “vendi bosh” në Butrint...

19/05/2009  Koka e Zeusit është kthyer në Shqipëri. Pas 18 vjetësh ajo i jep fund “udhëtimit” të saj nëpër botë, për të prekur sërish atdheun. Ashtu siç u fol pak ditë më parë, hyu i mjekësisë, Asklepiusi, i është dorëzuar delegacionit shqiptar përmes një ceremonie zyrtare nga autoritetet italiane dhe tani “ligjërisht” është qind për qind në pronësinë e shtetit tonë.

Po nëse çështja “e riatdhesimit” të kokës së Zeusit u zgjidh (me gjithë përplasjet e lindura fillimisht nga pagesa bërë në mënyre private nga dy futbollistët Igli Tare dhe Lorik Cana), një tjetër “problem” po mban peng objektin. Ai nuk është çuar menjëherë në muzeun e Butrintit, sikurse u pohua fillimisht nga burime të Ministrisë së Kulturës, por ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar. Ky i fundit mbase do të jetë edhe vendi ku do të strehohet përfundimisht koka e Zeusit. “Nuk e kemi çuar as në zyrën e Kryeministrit, Presidentit, por e kemi sjellë në Muzeun Historik Kombëtar për të vendosur se ku do të jetë më e mira të vendoset: në vendin e origjinës apo në Muzeun Kombëtar”, - thotë ministri i Kulturës Ardian Turku. Nga ana e tij drejtori i Parkut të Butrintit (vendi i origjinës së kokës së Zeusit, prej nga u vodh në vitin 1991) Ylli Cerova, shprehet i sigurt se koka do të kthehet në Butrint. “Do të bëhet një diskutim ekspertësh, ku ministri është kryetari i bordit dhe do të marrim një vendim të plotë”, - shpjegon Cerova.

Historiku

Koka e Zeusit është vjedhur në vitin 1991. Koka e Asklepiusit mendohet të datojë në periudhën e vonë helenike dhe është zbuluar në Butrint në vitin 1932 nga Kont Ugolini. Në vitin 1991 i gjithë korpusi i Ugolinit rrëmbehet në Butrint. Edhe pse koka e hyjnisë së mjekësisë ishte e skeduar si një objekt i vjedhur, ajo u ekspozua në ankandin e “Christie’s” në Londër. Këtu ajo u ble nga një shtetas italian dhe më pas është kapur në aeroportin e Malpernësë nga autoritetet italiane, të cilat informuan autoritetet shqiptare dhe ambasadën. Kushti që koka e Zeusit të kthehej në Shqipëri ishte pagesa prej 20 mijë eurosh që shteti shqiptari duhej t’i bënte posedusit të saj, blerësit italian, sipas çmimit që ai e kishte blerë objektin në Londër. Kjo pagesë nuk u bë fillimisht nga shteti shqiptar, por në mënyrë private nga dy futbollistët Igli Tare dhe Lorik Cana. Sipas ministrit Turku, pagesa e bërë prej dy futbollistëve shërbeu për ngurtësimin e shumës financiare për kthimin e objektit deri në pagimin e tij nga shteti shqiptar. Por zyrtarisht objekti është blerë nga shteti shqiptar. “Ambasada jonë në Itali ka paguar 20 mijë euro gjatë javës së kaluar dhe paratë e ngurtësuara të dy futbollistëve mund të tërhiqen. Blerësi i vetëm është shteti shqiptar”, - shpjegon Turku.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›