E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita Ndërkombëtare e Muzeve, fluks vizitorësh në Durrës

Muzetë e ndryshme të vendit tonë në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve kanë pasur dje dhjetëra vizitorë, të cilët kanë vizituar gjatë kësaj dite pavijonet e pasurisë sonë kombëtare. Në kuadër të kësaj dite dje me dhjetëra të rinj durrsakë kanë vizituar Muzeun Etnografik të qytetit të Durrësit. Me këtë rast, në mjediset e këtij muzeu ishte hapur edhe një ekspozitë me rreth 30 punime të autorëve durrsakë, pjesë e fondit të galerisë së arteve figurative. Drejtori  i këtij muzeu, Edmond Agolli tregon se Muzeu Etnografik dhe ai Aleksandër Moisiu janë vendosur në banesën me çardak, e cila daton shekullin e 19-të, në të cilën ka kaluar një pjesë të fëmijërisë edhe aktori i madh me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu. Sipas tij, në dhomat e muzeut etnogafik ndodhen më shumë se 300 objekte, veshje dhe enë të traditës së qytetit dhe trevës pranë tij. Në qytetin e Durrësit funksionon edhe muzeu i luftës dhe pavijoni i armëve relike. Gjithashtu, me një fond prej  rreth 1040 punime të autorëve të ndryshëm si 127 vepra në pikturë dhe skulpturë nga autorë italianë, së shpejti pritet  të hapet në këtë qytet muzeu Ibrahim Kodra. Ndërkohë, muzeu arkeologjik i Durrësit, me rreth 2000 objekte nga antikiteti, është muzeu më i madh arkeologjik i vendit tonë.
Pak histori për Durrësin...
Banorët e parë të Dyrrahut, para Ilirëve, të quajtur Protoiler, Pellazgë, ngritën në rrethinat e këtij qyteti, vendbanimet e para prehistorike. Në kushtet e një klime mesdhetare, zona më e përshtatshme për banim ishte ajo e lumit Erzen (Ululeus) si dhe Ultësira Perëndimore përreth saj. Në bregdetin e Gjirit të Durrësit u vendos qendra e parë apo limani me emrin Dyrrah. Sipas autorëve antikë, ky qytet u themelua nga dy mbretër me origjinë ilire, të quajtur Dyrrah dhe Epidamn. Nga këto dy emra, mbijetoi deri në ditët tona emri Dyrrah-Durrësi, për vetë rolin e tij si liman-Port. Emri i vërtetë i mbretit vendas Dyrrah, identifikohej dhe me paraqitjen gadishullore të relievit, duke shprehur qenien e dy shpateve (dy rrahë), që duken kur hyn në Gjirin e Durrësit. Në shekujt X-VIII Para Krishtit u krijua Federata Taulane, të cilat ishin Shtete me Kryeqendër Dyrrahun, qytet me zhvillim të gjithanshëm "Derë e dritare" të Europës. Gjatë periudhës Bizantine vazhdoi të mbetej qyteti më i rëndësishëm në brigjet perëndimore të Gadishullit të Ballkanit. Ai ishte kryeqendra e Provincës "Epiri i Ri", ku përfshiheshin krahinat nga lumi Mat deri tek lumi Vjosa.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›