E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkitekti i Perestrojkës shqiptare

Nga Miranda Vickers, The Guardian

Ramiz Alia, që vdiq në moshën 85 vjeçare, ishte lideri i fundit komunist dhe arkitekti i Perestrojkës së vendit të tij. Ai u bë lider i vendit të vogël e të varfër në Ballkan- me një popullsi prej 3 milion banorë- pas vdekjes në vitin 1985 të diktatorit Enver Hoxha, që kishte qenë në detyrë që pas fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Transferimi i pushtetit kishte nisur efektivisht që në fillim të viteve 80, me Alinë që ndante detyrat ceremoniale e publike me Hoxhën, që po bëhej gjithmonë e më i pazoti për shkak të sëmundjes. Dy ditë pas vdekjes së Hoxhës, Alia u bë Sekretari i parë i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe lider i vendit të tij. Megjithëse u shpreh për një sens vazhdimësie, qeveria e Alias nisi gradualisht që të distancohej nga trashëgimia e Hoxhës, e rrënjosur thellë në stalinizëm, që e kishte futur Shqipërinë në një rrugë të vetmuar.

Përgatitja e tij si një teknokrat dhe menaxher industrial bëri që të nisë një përpjekje për të rigjallëruar ekonominë  e lodhur dhe të niste një plan për rritjen e produktivitetit, që supozohej se do sillte dhe rritje të standardeve të jetesës. Ai ishte i shqetësuar veçanërisht për atë që perceptohej si kultura e mediokritetit në gjitha aspektet e shoqërisë shqiptare dhe falë iniciativës së tij, u ndërmorën përpjekjet e tij të para për të inkurajuar kriticizmin publik.

Ndërsa lidershipi shqiptar shikonte lëvizjet popullore në Europën Lindore, u bë e qartë se PPSH nuk mund të priste që të mbante monopolin e pushtetit. Rënia e shpejtë e regjimit në Rumani në vitin 1989 dhe veçanërisht pamjet e trupit të Nikola Çausheskut me plumba, e sinjalizuan Alian se mbijetesa e regjimit shqiptar mbetej tek dhënia fund e politikës së vjetër të izolimit ndërkombëtar dhe vetëfurnizimit. Pati përpjekje të kujdesshme për liberalizim. Një politikë e jashtme fleksibël çoi në përmirësimin e marrëdhënieve me disa vende evropiane, por burgjet politike dhe kampet e punës së detyruar ishin sërish të mbushura plot.

Pas 45 vitesh diktaturë, ndrydhje, zemërim, shqiptarët e dëshpëruar nga ritmi i ngadaltë i reformave shpërthyen në demonstrata dhe greva gjatë pranverës së vitit 1990.

I alarmuar nga trazirat në rritje, Alia pranoi me ngurrim për legalizimin e partive të pavarura politike. Në dhjetor u njoftua formimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, e para parti ligjore opozitare që nga Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë Alia vazhdoi të kundërshtonte idenë e një sistemi elektoral multipartiak.

Në nisje të vitit 1991, vendi ishte mbërthyer nga protestat e studentëve dhe punëtorëve, që kërkonin heqjen e emrit të Hoxhës nga universiteti dhe dhënien fundit të studimeve të marksizëm- leninizmit. Atë shkurt, forcat e sigurisë tentuan të shpërndajnë mijëra protestues ndërsa ata rrëzonin statujën e Hoxhës në sheshin qendror të Tiranës. Alia denoncoi demonstruesit si vandalë, por ra dakord që të thërriste zgjedhjet e përgjithshme në mars.

Pavarësisht fitores së përgjithshme të PPSH në zgjedhjet e para multipartiake në Shqipëri pas gjashtë dekadash, opozita fitoi të gjithë zonat urbane. Alia vetë pësoi një humbje turpëruese, duket fituar vetëm 36 përqind të votave në zonën e tij në Tiranë. Megjithatë ai shihej nga shumë si një forcë motivuese pas reformave, madje edhe jo- komunistët e vlerësonin atë për rezistencë ndaj konservatorëve brenda PPSH.

Pas zgjedhjeve, Alia u zgjodh president i Shqipërisë, dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Parë të PPSH, në përputhje me një amendament të ri kushtetues që parandalonte presidentin që të kishte poste në një parti politike. Ai hoqi dorë edhe nga byroja politike dhe komiteti qendror i partisë.

Qeveria e re megjithatë përballej me probleme të mëdha, me një ekonomi që po shpërbëhej me shpejtësi, me inflacion rreth 260 përqind dhe me më shumë se 70 përqind të forcës punëtore rrugëve. Ndërsa jeta politike dhe ekonomike po vinte drejt një pushimi total, Alia e kushtoi se nuk kishte më shans për të zbatuar autoritetin e tij. PPSH ishte copëtuar, dhe mbi të gjitha dëshira psikologjike për të mbajtur pushtetin kishte kaluar. Nën presionin e opozitës, Alia pranoi të mbante zgjedhje. Më 22 mars 1992, PD më në fund mori një fitore bindëse.

I lindur në Shkodër, një qytet verior, nga prindër myslimanë, Alia u bashkua me Partinë Komuniste në vitin 1943, luajti një rol të vogël në rezistencën partizane kundër pushtuesve italianë. Në vitin 1948 ai u zgjodh në komitetin qendror, pasi studioi në Bashkimin Sovjetik u bë kandidat për anëtar i Byrosë Politike në vitin 1956 dhe më vonë anëtar me të drejta të plota.

Ai nisi të rritej si një administrator dhe ekspert teknik në fillimet e programeve industrializuese, dhe kishte një prani të thjeshtë poshtë rrethit të ngushtë të Hoxhës. Si ministër i Arsimit, ai shoqëroi Hoxhën në vizitën e tij të parë në Kinë në vitin 1956, ishte në takimin e Hoxhës me Nikita Hrushovin në Moskë në vitin 1960, e cila kulmoi me prishjen nga Bashkimi Sovjetik.

Një burrë i vogël me paraqitje modeste dhe sjellje të këndshme, Alia nuk kishte karizmën e Hoxhës. Ai arriti të mbijetonte nga spastrimet e pamëshirshme në parti duke treguar besnikëri të plotë ndaj Hoxhës dhe duke mbajtur një profil të ulët për çështje të debatueshme.

Pas prishjes me Kinën në vitin 1978, Shqipëria u detyrua të ndiqte një politikë të vetë-mjaftueshmërisë maksimale, duke u mbështetur vetëm në burimet e brendshme njerëzore e materiale. Vendi u tërhoq në një izolim total, u harrua pas maleve të mrekullueshme  e të vetmuara. Izolimi politik, i cili zor se ka ndonjë paralele moderne, zgjati deri në vdekjen e Hoxhës.

Pas fitores së PD në vitin 1992, Alia dha dorëheqjen nga presidenca dhe u pasua nga Sali Berisha. Një shpirt dogmatizmi dhe hakmarrje më shumë se pajtimi u shfaq ndërsa Berisha vendosi të shkatërronte kundërshtarët politikë. Alia u vendos në arrest shtëpie, i akuzuar për korrupsion dhe për dhunim të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Në vitin 1994, pas një gjyqi të gjatë, ai u dënua me 9 vite burg, u lirua më vonë me një amnisti për të qetësuar opozitën. Megjithatë u arrestua pak më vonë, kësaj here me akuzën për gjenocid. Ai u akuza se kishte dhënë urdhër të qëllonin njerëzit që po përpiqeshin të kalonin kufirin shqiptar në vitet 1990-91. Alia u ankua më vonë se kishte jetuar pa pagë e pa pension që pas dorëheqjes. Mund të kisha shkaktuar një tjetër Tiananmen në Tiranë. Nuk më ka pëlqyer kurrë gjaku. Kam bërë më të mirën në kushte të vështira.

Në mars të vitit 1997, ai doli nga burgu mes kaosit që solli rrëzimi i firmave piramidale në mbarë Shqipërinë. Ai u largua nga vendi menjëherë për tu bashkuar me familjen në Francë. Megjithatë ai u kthye në Shqipëri atë dhjetor, por nuk ishte kurrë aktiv në politikë. Ai vazhdoi megjithatë të shkruante artikuj dhe të shfaqej në aktivitetet sociale në Tiranë, duke u respektuar si një burrë i urtë shteti si nga e majta ashtu dhe nga e djathta e shoqërisë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›