Arkitektura, kriteret dhe datat për konkurrim
Për maturantët që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta në degën e arkitekturës, vlen një tjetër “formulë”. Kjo për shkak se përpos pjesëmarrjes në provimet e Maturës Shtetërore, të rinjtë do t’i nënshtrohen edhe një tjetër provimi, i cili është kusht për të qenë student në Universitetin Politeknik të Tiranës, në degën e arkitekturës. Kjo do të thotë që konkursi që do të zhvillohet në këtë fakultet do të realizohet nëpërmjet një testi të përgatitur nga specialistët e kësaj fushe. “Procedurat që do të ndjekim në konkursin e këtij viti, do të jenë pothuajse të ngjashme me ato të përvojave të kaluara. Nuk do të ketë ndryshime rrënjësore, mund të konstatohen vetëm disa ndryshime teknike”, tha Andrea Maliqari, dekani i Fakultetit të Arkitekturës. Sipas tij, edhe për këtë vit kuotat do të jenë standarde, pasi janë 100 vende, njësoj si ato të viteve të kaluara. Dekanati i këtij fakulteti ka vendosur që pranimi i tyre të bëhet në bazë të disa kritereve.
KriteretMaturantët, që kanë përfunduar mësimet gjatë vitit shkollor 2009-2010, do të pranohen si studentë të kësaj dege mbi bazën e notës mesatare të shkollës së mesme, rezultateve të provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe përgjigjes finale të konkursit. Kjo nuk vlen vetëm për të rinjtë që kanë përfunduar mësimet këtë vit, por edhe për ata që i kanë dhënë fund mësimeve përpara këtij viti shkollor. Por për ata do të nevojiten jo vetëm provimet e pjekurisë, të cilat janë ekuivalente me ato të maturës, por edhe testet me zgjedhje, duke mos lënë pa përmendur këtu edhe përqindjen e notës mesatare të katër viteve të shkollës së mesme. Pas përfundimit të konkursit, çdo kandidati do t’i përllogariten pikët e grumbulluara, të cilat do të ndahen në dy përqindje specifike. Mesatarja e shkollës së mesme do të përmbajë 35 për qind, ndërsa nota me të cilën do të vlerësohet nxënësi në konkurs do të zërë 65 për qind, nga 100 për qind në total.
TestimiKonkursi i pranimit në degën e arkitekturës do të zhvillohet i ndarë në tri seanca specifike të hartuara nëpërmjet një programi të miratuar nga dekanati i këtij fakulteti. Sesioni i parë do të përmbajë kompozim arkitektonik dhe do të vlerësohet me 20 pikë, i dyti përfshin vizatimin teknik, nga i cili do të përfitohen po 20 pikë, ndërsa seanca e tretë e provimit “teston” maturantët në vizatimin e lirë të një objekti arkitektonik, nëpërmjet të cilit do të grumbullojë 25 pikë. Dekani i këtij fakulteti, Andrea Maliqari, i ka propozuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, që provimi i arkitekturës të zhvillohet javën e parë të shtatorit, në mënyrë që maturantët, pasi të përfundojnë provimet e maturës, të kenë kohë për t’u përgatitur për këtë konkurs. Sipas Maliqarit, datat më të përshtatshme do të ishin 6,7 dhe 8. Konkursi do të fillojë në orën 10.00, por hyrja e nxënësve do të fillojë në orën 08.00.
Procesi i vlerësimitProcesi i korrigjimit të tezave të konkurruesve do të realizohet nga një komision i posaçëm vlerësimi. Ai do të përbëhet nga një numër i caktuar profesorësh, të cilët do të zgjidhen dekani i këtij fakulteti, Andrea Maliqari. Pas përfundimit të procesit të testimit komisioni i caktuar për grumbullimin e tezave do të bëjë përzierjen e tyre dhe do t’ua shpërndajë ato komisioneve të vlerësimit. Ndërkohë korrigjimi i testit do të bëhet nga i gjithë grupi i vlerësimit. Maliqari bën të ditur se nuk do të lejohet korrigjimi i testeve vetëm nga një anëtar, çka nënkupton se provimi do të kalojë në disa “duar”.
#