Dashi ngre lavazhe në QSUT pa leje nga KRRT e Tiranës
Drejtori i Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, Ilir Dashi nuk ka marrë leje në KRRT e Tiranës për ndërtimin e 3 lavazheve brenda territorit të spitaleve. Edhe pse nga ana e drejtorisë së QSUT-së e për më tepër nga vetë drejtori Dashi është njoftuar ditën e djeshme për gazetën SOTse lavazhet janë dhënë me leje nga drejtoria e spitalit, Dashi nuk sqaron në
asnjë moment si dhe nuk vë në dispozicion asnjë dokument që të mund të faktojë se ai ka leje nga KRRT apo nga të gjitha instancat e tjera shtetërore, të cilat do të vërtetonin se ndërtimi i këtyre lavazheve është kryer brenda të gjitha ligjeve. Nga verifikimet e konstatuara nga gazeta, konstatohet se Inspektoriati i Ndërtimit nuk ka dijeni për ndërtimin e këtyre tre lavazheve, e për më tepër nuk ka asnjë sinjalizim që ky aktivitet ekziston në ambientet e brendshme të spitalit më të madh në vend. Burime nga sektori i marrëdhënieve me shtypin, në Bashkinë e Tiranës me kërkesë nga gazeta SOT, kanë komunikuar ditën e djeshme me kreun e inspektoratit të Ndërtimit, Ardit Kraja, i cili ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë kontroll apo sinjal se në ambientet e QSUT-së ekzistojnë lavazhe. Gjithashtu, Kraja i ka komunikuar burimeve të bashkisë se do të fillojnë shumë shpejt kontrollet për të verifikuar nëse ky subjekt është me leje apo jo. Ndërkohë, burimet e bashkisë theksojnë faktin se ky biznes përderisa është i pakontrolluar nga inspektorati i ndërtimit, nuk e disponon lejen e ushtrimit të biznesit në territorin e brendshëm të spitalit më të madh në vend. Edhe pse Dashi tregon se lavazhet punojnë me ujë pusi, i cili është ngritur brenda territorit të QSUT, gazeta SOT ka informacion se nuk është marrë asnjë leje për shpimin e pusit brenda këtij territori. QSUT varet nga KRRT e Tiranës, por meqenëse Dashi është injorant, gazeta SOT është e detyruar ti sqarojë se ai nuk të drejtë të japë leje për ngritjen e një kioske apo objekti pranë QSUT, pa marrë leje nga KRRT e Tiranës, e cila përbëhet nga 7 anëtarë, 3 nga PD, 3 nga PS dhe 1 nga LSI. Lavazhet janë rreptësisht të ndaluara pranë QSUT, sepse ndotin ambientin. Por Dashit i duket sikur po shet çamçakëzë orbit, për të cilin ai mban ekskluzivitetin në Shqipëri. Duhet ti bëjmë me dije z. Dashi, të cilit nuk duam ti themi Ilir çamçakëzi, që në QSUT, qytetarët shkojnë për tu kuruar dhe jo për tu larë apo për të parë mjetet e tjera teksa lahen me ujë pusi apo tubacionesh. E ndërkohë që kreu i spitalit më të madh në vend ka deklaruar ditën e djeshme se lavazhet na qenkan pjesë e territorit rregullues e për më tepër na shërbyekan për larjen e makinave të administratës e autoambulancave, i bëjmë një pyetje z. Dashi. Në cilin vend të botës ka parë ai, lavazhe brenda territorit të spitaleve aq më tepër në përmasat dhe kapacitetin spitalor të QSUT.
Precedenti
Duam ti kujtojmë zotit Dashi, se meqenëse është drejtor në këtë institucion ku edhe vigonët e serumeve, mjekët e infermieret janë të gatshëm tua shesin me para nën dorë pacientëve apo të afërmve të tyre, se plani rregullues i spitalit janë pastrimi i koshave të tejmbushur me plehra e ndonjë vend i veçantë ku ato duhet të qëndrojnë, apo shtimi i hapësirave të gjelbra, e më e rëndësishmja ndër këto shtimi i ambienteve spitalore ku pacientët të fusin kokën e të mos qëndrojnë më në karrakatinat që u kanë bërë peshqesh Dashi me shokë. Si për të mos mjaftuar mungesat e theksuara e kushtet skandaloze të higjienës, ditën e djeshme Dashi ka marrë guximin më në fund duke ju drejtuar gazetës SOT me tone ironie të paskrupullta duke i ndarë justifikimet e tij në disa pika si më poshtë. Sipas këtij njoftimi me 5 rreshta, lavazhet janë me leje të miratuar nga drejtoria e QSUT, e janë ngritur në shërbim të institucionit, për larjen e autoambulancave dhe makinave të institucionit. Ndërkohë që sipas vëzhgimeve nga gazeta është konstatuar se nuk janë vetëm autoambulancat apo automjetet e stafit që u kryhet shërbimi i larjes në këto lavazhe por në shumicën e rasteve janë automjete private që nuk asnjë lidhje me drejtorinë apo qendrën spitalore. Sipas njoftimit nga kjo drejtori bëhet e ditur se 3 lavazhet furnizohen me ujë pusi, që është shpuar pranë tyre. Sërish duam ti kujtojmë zotit Dashi se fillimisht drejtoria e QSUT-së duhet të merrte leje nga KKRRT-ja e Tiranës për ndërtimin e tre lavazheve e për më tepër duhet që QSUT të pajisej me leje nga organet e instancat shtetërore për shpimin e puseve në ambientet e brendshme të spitalit më të madh në vend. Madje kjo gjë është vërtetuar edhe nga vëzhgimet e gazetës ku pusi i hapur është instaluar në hapësirat e brendshme të lavazheve. Edhe pse në kontekst deklarata e drejtorit Dashi ditën e djeshme është një justifikim i hapur në sytë e qytetarëve, sërish lejimi i tre lavazheve në hapësirat e brendshme të spitalit më të madh në vend janë një shkelje e pastër e ligjit duke parë faktin që në asnjë vend të botës në një institucion publik nuk është parë e është dëgjuar të hapen lavazhe, që sipas Dashit janë pjese e planit rregullues të QSUT-së.