E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkitektura, përcaktohen datat e zhvillimit të konkursit



Përcaktohen datat e provimit të degës së Arkitekturës, për të gjithë studentët që janë përgatitur dhe janë gati t’i nënshtrohen konkurrimit. Fundi i muajit gusht do t’i gjejë maturantët që kanë zgjedhur degën e arkitekturës, në konkurse, pasi nëpërmjet pikëve që ata mund të fitojnë në këto konkurse, dhe rreth 35 pikëve që duhet të kenë siguruar nga provimet e maturës shtetërore, mund të fitojnë një vend në auditorët e degës së tyre të preferuar. Rektori i politeknikut, Jorgaq Kaçani, thotë se konkurset do të zhvillohen në masa të rrepta sigurie, duke shmangur çdo lloj abuzimi. “Konkursi është në datat 27, 28 dhe 29 gusht. Tezat do të jenë me sekretimin e tyre, me numër identifikimi për të gjithë personat dhe pas vlerësimit do të bëhet identifikimi i personit. Pra, vlerësimi mos të ketë ndikime subjektive, ose ndikime të tjera të cilat në një shoqëri shqiptare sot janë të pranishëm”,- theksoi Jorgaq Kaçani, Rektor i Politeknikut. Sipas Kaçanit, shpallja e fituesve do të bëhet publike nga Ministria e Arsimit, të cilat pritet të dalin në javën e dytë të shtatorit. Kjo vlen për studentët që kanë konkurruar në degë të tjera të Universitetit të Tiranës. Ndërsa për fituesit e arkitekturës, rezultatet do të dalin në javën e parë të shtatorit. “Përpara se të zhvillohet konkursi, lista vjen nga MASH-i dhe lejohen vetëm ata kandidat të cilët përfshihen në këtë listë dhe brenda datës 30 gusht, ose 1 shtator ato do të shpallen sipas pikëve që ata përfitojnë. Ndërsa fituesit në degën e arkitekturës shpallen nga MASH-i sepse merret parasysh jo vetëm 65 % që përfshin konkursi por dhe 35 % i maturës shtetërore”,- vijoi Kaçani. Akademia e Sporteve dhe ajo e Artit do të përgatiten për zhvillimin e konkurseve për vitin e ri akademik.

Policia Bashkiake vendos 14 gjoba për zhurmat akustike në Bllok

Misioni i Policisë Bashkiake të Tiranës është zhvendosur në zonën e ish-Bllokut, ku ka penalizuar me gjobë 14 subjekte që për shkak të zhurmave të krijuara. Ndotja akustike në vendin tonë është cilësuar tepër e lartë nga specialistët e shëndetësisë, por kjo bëhet edhe më e madhe në zonat që kanë fluks qytetarësh siç është zona e ish-Bllokut, që është mjaft e frekuentuar. Kjo masë ndëshkimore është marrë ndaj tyre, pasi nuk kanë përdorur silenciator për muzikën pas orës 23:00 të mbrëmjes, megjithëse Policia Bashkiake i kishte paralajmëruar për këtë gjë edhe më parë. Ndërkohë që drejtuesit e kësaj policie shprehen së nëse ky do të jetë një veprim i përsëritur nga pronarët e lokaleve nuk do të mungojnë as masat ekstreme, pra mbyllja e tyre. Ky aksion i Policisë Bashkiake ka nisur pak ditë më parë pas ankesave të shumta nga banorët e kësaj zone, për zhurmat e larta që vazhdojnë deri në orët e para të mëngjesit. Policia Bashkiake i ka njoftuar pronarët e këtyre lokaleve se do t’i mbajnë hapur “non stop” vetëm nëse përdorin silenciatorë për eliminimin e zhurmave, sidomos të muzikës me zë të lartë. Ndërkohë të rinjtë kanë qenë edhe më të pakënaqurit ndaj nuk kanë ngurruar as të ankohen se policia përdor presion dhe dhunë për t’i nxjerrë forcërisht klientët nga lokalet, pasi ata nuk pranojnë të ikin në shtëpi kaq herët. Problemet e ndotjes akustike janë mjaft shqetësuese në zonat që janë në ndërtim apo që janë mjaft të populluara nga pub-et dhe lokalet.

5 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›