E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, kostoja e vaksinës kundër virusit



Emanuela Sako

Tashmë që Shqipëria është përfshirë përkrahë vendeve të prekura nga virusi AH1N1, autoritet shëndetësore janë të detyruara që të bëjnë përcaktimin tarifave të vaksinës dhe kategoritë që do ta përfitojnë falas. Shëndetësia shqiptare do të ofrojë falas medikamentin e vetëm që aktualisht përdoret kundër gripit të derrit, për disa kategori, duke specifikuar kushtet e tyre. Ndërsa, Tamifluja që do të blihet nga vetë qytetarët në farmaci kap shifrën e 3700 lekëve. Dozat e para me Tamiflu që pritet të vijnë do të jenë falas për kategoritë e përcaktuara, më pas të gjithë qytetarët mund ta blejnë në farmaci. Aktualisht sasitë e sapoardhura do t’u shpërndahen urgjencave, spitaleve rajonalë etj. Dozat e Tamiflusë që Ministria e Shëndetësisë ka mundur të sigurojë deri tani, mbajnë përsipër edhe datën e skandencës, ku tek dozat e ardhura është përcaktuar që të skadojnë në janar të vitit 2011. Aktualisht, ISHP-ja po angazhohet për marrjen e masave për sigurimin e medikamenteve antivirale të gripit të zakonshëm. Sipas Drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, duhet kryer vaksinimi i tërë popullatës, pasi virusi i gripit të derrit mund të kombinohet me virusin e zakonshëm dhe të përbëjë rrezik për jetën e qytetarëve.
Kategoritë
Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar se të parët që duhet të vaksinohen do të jenë personeli mjekësor, qeveritarët, gratë shtatzëna, të vegjlit poshtë moshës dy vjeç dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike. Këto janë kategoritë më në nevojë, ku personeli mjekësor është i pari që ka kontakt me të gjithë personat e prekur me virus. Nga kushtet lehtësuese të specialistëve kanë përfituar edhe politikanët, të cilët janë gjithmonë në kontakt me persona të huaj, apo kryejnë më tepër udhëtime jashtë vendit, për shkak të profesionit të tyre. Ndërsa gratë shtatzëna dhe fëmijët janë dy kategori që e kanë më të vështirë kapërcimin e situatës shëndetësore nëse preken nga virusi i gripit të derrit, për shkak të komplikacioneve të mëdha që mund të japë në organizëm. Pjesë e përfituesve janë dhe të sëmurët kronikë, të cilët mund të pësojnë ndërlikime më të mëdha në organizëm, nëse u shtohet edhe virusi gripal përveç problemeve shëndetësore kronike.
Gripi i zakonshëm
ISHP-ja do të marrë masa për vaksinimin e popullatës kundër gripit të zakonshëm. Drejtori Alban Ylli, deklaroi se parashikohet që të kryhet vaksinimi për 100 mijë qytetarë. Kjo masë do të jetë ndryshe nga vitet e tjera, pasi rrezikshmëria është më e lartë. Vaksina synohet që të hidhet në treg më herët se vitet e kaluara për shkak të kombinimit të virusit A/H1N1, me gripin e zakonshëm, i cili mund të jetë fatal për jetën e qytetarëve. Alban Ylli shprehet se firmat farmaceutike, kanë filluar punën për vaksinën antigrip, më shpejt si pasojë e gripit pandemik. "Parvjet, më duhet të theksojë, që ka qenë një vit i vështirë. Ajo ka ardhur me vonesë, ndërsa vjet ka ardhur shumë herët dhe mund të themi që ka qenë një vit i suksesshëm, 70 mijë shqiptarë janë vaksinuar. Unë them që sivjet do të jetë akoma më herët. Mundet që brenda shtatorit të ketë filluar të jetë në treg. Kurba e rritjes së vaksinimit të popullatës ka qenë pak e ngadalshme, ndoshta sivjet për arsye dhe të gripit pandemik unë besoj që do të ketë të paktën 100 mijë shqiptarë të vaksinuar ndaj gripit të zakonshëm”, - thotë Alban Ylli. Ndryshe nga vaksina kundër gripit të derrit që do të jetë falas, vaksina kundër gripit të zakonshëm nuk do të shpërndahet falas për asnjë kategori. Qytetarët do ta blejnë atë në farmaci për t’i paraprirë virusit AH1N1. Përsa i përket përhapjes së gripit të derrit, ISHP-ja nëpërmjet Buletinit Epidemiologjik, bën të ditur se në listë janë shtuar edhe qyteti i Gramshit, Matit, Pogradecit dhe Beratit. Këto qytete i bashkëngjiten hartës fillestare në të cilën përfshiheshin; Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Sarandë, Fier, Devoll dhe Lushnjë. Numrin më të madh të mostrave të marra për ditët e fundit e mban qyteti i Durrësit, specialistët kanë marrë rreth 20 mostra.

5 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›