Subashi: Numërimi i votave, Kolegji shkeli Kodin Zgjedhor
BLEDAR HOTI
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi ka akuzuar dje Kole-gjin Zgjedhor në lidhje me vendimet e marra për mos rinumërimin e votave në disa Qendra Votimi. Akuza e rëndë lëshohet nga ana e numrit dy të KQZ-së, Subashi, kur pikërisht procesi i 28 qershorit ka përfunduar tashmë. “Gjykata nuk e bëri dhe kjo përbën për mua një shkelje të hapur të ligjit. Natyrisht unë nuk komentoj vendimin e gjykatës, por komentoj të drejtën time, që është shkelur hapur ligji në të drejtën që unë kisha për të kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin e disa votave, e disa qendrave votimi për të cilat unë kisha një objeksion. Objeksioni im ishte që të arrinim një standard, që zgjedhjet të mos kontestoheshin. Në vetvete kjo dispozitë nuk ndryshon rezultatin zgjedhor, por është një hapësirë për të hetuar” deklaroi Subashi. Partia Socialiste ankimoi vendimin e KQZ-së për mos numërim të votave në disa Qendra Votimi në Berat, Durrës, Shkodër dhe Tiranë. Maxhoranca në KQZ rrëzoi kërkesën e tyre, por që u cilësua e drejtë edhe nga ana e Kolegjit Zgjedhor. Subashi ka bërë prezent në të njëjtën kohë edhe arsyet se pse votoi pro për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. “Në mbylljen e vendimmarrjes për këto ankime që kishin të bënin me rezultatin zgjedhor, vendime të cilat i ka shqyrtuar dhe Kolegji Zgjedhor pothuajse konsiderohet, sipas Kodit Zgjedhor, çështje e mbyllur vlefshmëria, llogaritja e votave të marra nga çdo subjekt politik”, theksoi Subashi. Ndërsa nuk është pro tezës së hedhur nga partitë politike për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke e cilësuar si një modë jashtë të cilës politikanët nuk dalin asnjëherë. “Kjo tashmë është bërë në modën e politikës, që sapo shpallet rezultati përfundimtar nxitohet për të thënë që do ndryshojmë Kodin. Partitë politike kishin kohën e nevojshme të bënin analizat e funksionimit të zgjedhjeve. Më duket pak e nxituar, ndoshta emocionale, të diskutosh për ndryshime të Kodit ku nuk ka vetëm pak ditë kur kanë përfunduar këto zgjedhje”, deklaron Subashi. Ajo hedh idenë e një kodi të qëndrueshëm, nëpërmjet të cilit të konkretizohen standardet aq shumë të kërkuara.