E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkitektura: rezultatet e arritura në testimin special

02/09/2009  Procesi i regjistrimeve do të zgjasë një javë

Shpjegohet procedura e pranimeve të reja në universitete për 2009-2010-n

Publikohen rezultatet e arritura nga kandidatët që kanë aplikuar për ndjekjen e studimeve të larta në degën e arkitekturës për vitin e ardhshëm akademik, që do të iniciojë në muajin tetor. Pikët e arritura në testimin special nga secili prej kandidatëve do t’i shtohen listës së të dhënave, mbi të cilat do të përllogaritet rezultati final i pranimeve në universitete. Drejtuesit e Universitetit Politeknik bëjnë të ditur se këto rezultate i janë dërguar APRIAL-it, i cili është institucioni që do të bëjë renditjen definitive të fituesve për çdo program të studimeve publike sipas kuotave të miratuara edhe nga qeveria.

Kreu i arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu, ka shpjeguar procedurën që do të ndiqet për zbardhjen e listave të fituesve, duke identifikuar edhe afatet kohore të kryerjes së regjistrimeve. Për degën e arkitekturës qeveria ka aprovuar rreth 100 kuota pranimi për vitin që vjen, ndërkohë që kanë aplikuar për ndjekjen e konkursit rreth 500 kandidatë nga rrethe të ndryshme të vendit. Shpallja e fituesve edhe për këtë degë do të bëhet në të njëjtën kohë me fituesit e programeve të tjera studimore publike.

Pranimet

Pavarësisht rezultateve pozitive të arritura në konkurs, mundësia e përzgjedhjes për fituesit në këtë degë do të varet edhe nga rezultatet që këta kandidatë kanë arritur në provimet e lëndëve me zgjedhje. Këto të fundit do të kenë rreth 45 për qind të peshës përllogaritëse në zgjedhjen e kandidatëve fitues sipas kuotave të përcaktuara. Lidhur me këtë proces Vejsiu ka pohuar se ka iniciuar procesi i lidhjes së pikëve me emrat e maturantëve për çdo preferencë të zgjedhur nga vetë ata. Shkak për vonesat e shfaqura në kryerjen e këtij procesi janë bërë rivlerësimet e kërkuara nga maturantët nëpërmjet plotësimit të formularëve të pasaktësive për mangësitë apo pasaktësitë e gjetura në pikët e tyre. Brenda një harku dyjavor do të përfundojë edhe lidhja e emrit të kandidatit me pikët finale të arritura nga përllogaritja e të gjithë komponentëve përbërës të maturës për të dhjetë preferencat e listuara.

Regjistrimet/ Vendet bosh

Paraprakisht është pohuar se deri më datën 15 shtator universitetet do të publikojnë listat zyrtare të kandidatëve fitues për fazën e parë të pranimeve. Më pas do të fillojë regjistrimi i fituesve, proces që do të zgjasë rreth një javë. Me mbylljen e kësaj faze do të operohet me zbritjen e listës së kandidatëve fitues apo lëvizjet e preferencave nga më e ulëta në një tjetër më të lartë, bazuar në kuotat që do të mbeten bosh. “Pas shpalljes së listave fillon regjistrimi me një afat kohor të përcaktuar jo më shumë se një javë. Pas përfundimit të regjistrimeve bëhet bilanci i vendeve vakantë, çka nuk do të thotë se bëhen shtesa artificiale, por shtesat bëhen duke u ngjitur nga poshtë lart. Nëse në preferencën e parë një kandidat është djegur për pak pikë dhe krijohet një vend bosh, atëherë ai mund të futet në varësi të kuotave të mbetura bosh”, - ka deklaruar Vejsiu. Pas verifikimeve të bëra në lidhje me parregullsitë e ndodhura në zhvillimin e provimeve me zgjedhje janë dhënë dhe penalizimet e para të kandidatëve. Për këtë vit nga Matura Shtetërore rezultoi se rreth 150 maturantë kishin kopjuar në ditën e provimit, gjë për të cilën krahas pavlefshmërisë së tezave u është vendos dhe masa e ndëshkimit me përjashtim nga nisja e vitit të ri akademik 2009-2010.

Përcaktimi i fituesve

Për përcaktimin e fituesve ndër kandidatët maturantë konkurrentë përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë. Kërkesat e maturantëve për programe studimi janë 10, të renditura sipas preferencave të tyre, të cilat merren parasysh në klasifikimin përfundimtar. Me marrjen dhe hedhjen e këtyre kërkesave në bazën e të dhënave janë të gjithë elementet e nevojshme për llogaritjen e pikëve të secilit maturant. Listat me emrat e kandidatëve fitues përveç publikimit në secilin prej fakulteteve do t’u dërgohen edhe drejtorive arsimore në vend. Kështu, maturantët e rretheve do të kenë mundësi që të mësojnë nëse kanë fituar ose jo një nga preferencat e përzgjedhura nga vetë ata, pa u detyruar që të vijnë deri në kryeqytet. Afishimi i listave do të ketë përfunduar deri më 15 shtator.

Raporti për fituesit

Një në dy maturantë do të ketë mundësinë që këtë vit akademik të ndjekin studimet e larta në degët e përzgjedhura nëpërmjet plotësimit të formularit A-2. Specialistët e Ministrisë së Arsimit kanë deklaruar se bazuar në numrin e kandidatëve që kanë aplikuar për universitet, si dhe listës zyrtare të kuotave të miratuara nga qeveria rezulton që më shumë se gjysma e garuesve të përfshihen në fakultetet publike këtë vit. Pas propozimeve të paraqitura nga vetë universitetet për vitin akademik 2009-2010, qeveria ka miratuar për sistemin e ditës më shumë se 22 mijë kuota pranimi, të shpërndara këto sipas programeve përkatëse që do të ofrohen në të gjithë vendin. Më të privilegjuarit për marrjen e degës së tyre do të jenë ata që kanë përzgjedhur degët e gjuhëve të huaja, të cilat vlerësohen me koeficientët më të lartë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›