E Diel, 1 Nëntor 2026

OBSH, nuk garanton vaksina për vendin tonë

02/09/2009  Gripi i derrave, Shqipëria duhet ta sigurojë vetë blerjen

Pavarësisht deklaratave të bëra për sigurimin e vaksinës së gripit të derrave, ende nuk është e sigurt nëse do të arrihet sjellja e kësaj vaksine edhe në vendin tonë. Specialistët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë pohuar se qeveria shqiptare duhet të bëjë përpjekjet e saj për sigurimin e vaksinës, pasi OBSH-ja nuk mund të marrë përsipër një gjë të tillë. Aktualisht kompanitë farmaceutike që po merren me prodhimin e kësaj vaksine pohohet se janë të interesuar që ta shesin këtë produkt në vendet e mëdha e që kërkojnë një sasi të konsiderueshme, pasi rezultojnë të kenë një numër të lartë të prekurish. Përfaqësuesi i OBSH-së ka pohuar se ky organizëm do të sigurojë një sërë vaksinash, të cilat do të përdoren për vendet e varfra dhe që rezultojnë me një numër të lartë pacientësh të prekur. “Për Shqipërinë është e rëndësishme që ministria ka kontaktuar me disa vende dhe ne po punojmë së bashku për të marrë një pjesë të vaksinave. Por le të themi se nuk ka ende një zgjidhje. OBSH-ja po diskuton me industrinë farmaceutike, por nuk kemi arritur në përfundime. Është e rëndësishme të negociojmë që vendet e vogla të mund të sigurojnë vaksinën. Vendet e rajonit, për shembull, mund të bashkohen dhe të porosisin së bashku një sasi vaksinash, çka do të rriste numrin dhe do të ishte në interes të firmës farmaceutike. Kjo është diçka me të cilën duhet të punojmë. Aktualisht vendet po veprojnë në bazë kontratash individuale”, - ka pohuar përfaqësuesi i OBSH-së, Anshu Banerje. Nëse mundësohet sjellja e vaksinës në vend, kategoritë që do të përfitojnë të parat do të jenë punonjësit e shëndetësisë, personat me sëmundje kronike, fëmijët e vegjël si dhe gratë shtatzëna.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›