E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama vetëm flet dhe nuk jep asnjë fakt konkret”

02/09/2009  Reagimi i Partisë Demokratike

Partia Demokratike ka vlerësuar si të papërgjegjshme deklaratat e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, ka reaguar menjëherë pas daljes publike të ditës së djeshme të kryesocialistit. “Sërish shoku Rama doli në bahçe i shfazuar dhe në një ezauriment mendor sa tragjik aq edhe komik, duke ripërsëritur fobinë e fundit të tij të sindromit të krijuar nga humbja e zgjedhjeve”, - tha Mëhilli. Ajo theksoi se pasi lideri i PS-së akuzoi me dhjetëra e dhjetëra herë komisionerët socialistë të të gjitha niveleve për mungesë integriteti gjatë procesit zgjedhor, e mbasi akuzoi mediet për breshëri sulmesh ndaj tij, tani ka disa ditë rresht që merret me të burgosurit që u lejuan të shkojnë me leje në shtëpitë e tyre në përputhje me një praktikë të të gjitha vendeve demokratike. Mëhilli, duke përcjellë qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike ndaj çështjes së lejimit të të burgisurve, tha se ata (të burgosurit) janë lejuar dhe do lejohen të shkojnë në shtëpitë e tyre në zbatim të një rregulli që ekziston në çdo vend të lirë. “Zoti Rama pati shansin të paraqiste qoftë edhe provën më të vogël të ndërhyrjes apo implikimit të tyre në procesin zgjedhor, por nuk e bëri. E përsëritim që i vetmi rast i evidentuar është ai i Emiliano Keçit, i cili sapo u lirua me leje u shndërrua në bodigardin e armatosur të Blendi Klosit, gjë që detyroi organet e policisë ta ndalojnë atë dhe ta rikthejnë në institucionet e vuajtjes së dënimit”, - deklaroi Mëhilli. Ajo u shpreh se, nëse kreu i PS-së disponon qoftë edhe faktin më të vogël, është i ftuar ta bëjë atë publik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›