E Shtunë, 31 Tetor 2026

Evidentohen shkollat që nuk do të hapen

02/09/2009  Mbipopullimi i klasave me nxënës edhe këtë vit do të shoqërohet me zhvillimin e mësimit me 3 turne

Probleme janë vënë re në çerdhen nr.11 në Laprakë, kopshti 22 e 39, që rrezikojnë mbylljen

Nxënësit e arsimit parauniversitar edhe këtë vit të ri shkollor nuk do të mund t’i shpëtojnë zhvillimit të mësimit me turne. Drejtuesit e dikastereve arsimore kanë bërë të ditur se tashmë është fakt i kryer që në një pjesë të mirë të shkollave të arsimit të detyruar, por edhe atij të mesëm, do të zhvillojnë procesin mësimor me më shumë se dy turne. Shkak për këtë situatë bëhet mbipopullimi i klasave, si dhe mungesa e ambienteve fizike për përballimin e prurjeve të reja të këtij vitit. Kontrollet e bëra në prag të çeljes së shkollave kanë treguar se në shumë prej tyre përveç mungesës së ambienteve nuk plotësohen kushtet higjienosanitare, çka mund të vërë në rrezik shëndetin e nxënësve.

Më të prekurat nga ky problem do të jenë shkollat në zonat periferike. “Shkollat tona janë gjithnjë të mbipopulluara. Do të jetë viti i fundit që shkollat e Kamzës do të jenë me 3 turne. Pra, disa nga shkollat janë me 3 turne”, - pohohet prej specialistëve. Regjistrimet kanë filluar ditën e djeshme dhe paraprakisht është pohuar se këtë vit pritet të ulen në bankat shkollore rreth 70 mijë nxënës.

Mbylljet

Prej ditësh specialistët e shëndetit publik janë shpërndarë nëpër shkolla, ku po kryejnë monitorimin e rreptë të kushteve higjienosanitare, për të garantuar kështu shëndetin e nxënësve kundrejt mundësisë së shpërthimeve epidemike. Verifikimet e bëra kanë treguar se tri shkolla në kryeqytet nuk do të çelen për këtë vit dhe se nxënësit e tyre do të shpërndahen në ambiente të tjera për të zhvilluar mësimin me turne. Konkretisht bëhet fjalë për nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi" si dhe në dy shkollat e arsimit të detyruar 9-vjeçar “Kushtrimi i lirisë” dhe “Kolë Jakova”. Këto të fundit nuk do të jenë në gjendjen e duhur për pritjen e nxënësve më 14 shtator, kohë në të cilën zyrtarisht do të çelet viti i ri shkollor 2009-2010 në të gjithë vendin. Në disa prej shkollave të kryeqytetit janë konstatuar probleme me mungesën e ujit, të bazës didaktike, lagështirës së krijuar etj. Ndërkohë shtohet se nga totali i godinave ekzistuese 69 prej tyre do të hapen në kohën e caktuar për pritjen e nxënësve.

Kopshtet

Gjithashtu kontrollet kanë treguar se probleme higjienosanitare janë vënë re edhe në kopshtet e çerdhet publike të kryeqytetit. Sipas specialistëve të shëndetit publik, në këto të fundit kjo gjendje mund të ndikojnë negativisht në shëndetin, rritjen e fëmijëve e sidomos atyre të grup-moshave 0-3 vjeç dhe 3-6 vjeç. Probleme janë vënë re në çerdhen nr.11 në Laprakë, kopshti 22 e 39 të Tiranës, që rrezikojnë mbylljen për mosplotësim të kushteve për pritjen e fëmijëve.

Mbyllja e kopshteve

Kontrollet e kryera nga specialistët e shëndetit publik kanë treguar se në disa prej çerdheve dhe kopshteve janë vënë re probleme që mund të ndikojnë negativisht në shëndetin e fëmijëve. Problemet higjienosanitare janë vënë re në çerdhen nr.11 në Laprakë si dhe në kopshtet 22 e 39, që rrezikojnë mbylljen. Në kryeqytet ofrohet edukim për fëmijët në 25 çerdhe dhe 49 kopshte publike, teksa numërohen edhe 34 të tjera jopublike.

Mbyllja e shkollave

Nxënësit e shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi" si dhe ata të dy shkollave të arsimit të detyruar 9-vjeçar “Kushtrimi i lirisë” dhe “Kolë Jakova” nuk do ta zhvillojnë mësimin në shkollat e tyre, por në të tjera. Këto shkolla për shkak të punimeve që do të kryhen në to, nuk do të çelen gjatë këtij viti mësimor deri në një afat të ri që do të caktohet. Këta nxënës do të shpërndahen sipas një grafiku të caktuar në shkolla të tjera, ku do të zhvillojnë mësim me turne.

9-radhëshi

Nuk janë të paktë nxënësit që detyrohen të braktisin bankat e shkollës jo vetëm prej fenomenit të varfërisë, por edhe nga gjakmarrja. Kreu i arsimit rajonal për kryeqytetin ka pohuar dje se në rrethinat Tiranës numërohen mbi 30 fëmijë që për arsye të gjakmarrjes nuk ndjekin dot shkollën. Zonat periferike janë edhe më të ekspozuarat ndaj këtij fenomeni. Për këtë kategori pohohet se janë caktuar dy mësues, që do t’u japin mësim në shtëpitë e tyre. “Kanë pasur probleme të tilla si ajo e hakmarrjes, vështirësi ekonomike. Ne kemi krijuar atë që quhet ‘fenomen i shansit të dytë’. Kjo do të thotë se këta fëmijë mund të ndjekin procesin mësimor, pasi ne kemi dy forca mësuesish që shkojnë në shtëpitë e këtyre fëmijëve dhe japin programet”, - pohohet nga specialistët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›