Arkiva britanike: Dështimi i aleatëve për të bashkuar Shqipërinë
Vijon nga numri i kaluar
Vlen për tu përmendur fakti se çfarë mund të bëhet për të siguruar një shkallë maksimale bashkëpunimi me shqiptarët në detyrën e dëbimit të gjermanëve qoftë për të lehtësuar zbarkimin aleat nga ajri, apo për ta bërë atë të panevojshëm. Puna paraprake, e nevojshme nga ana jonë, është në një masë të vogël vetëm problem ushtarak. Kjo do të thotë se ndërsa shqiptarëve do t'u nevojiten armë, do të jetë më pak i nevojshëm thjesht furnizimi me armë sesa të vendosim kujt dhe në çfarë kushtesh do të bëhet furnizimi i tyre.
Nuk mund të ketë gabim më të madh sesa të supozohet se gjithçka që duhet bërë është t'u pompojnë armë partizanëve dhe të varemi nga ata për të bërë detyrën tonë. Arsyet për këtë janë shkurtimisht si më poshtë:
1- Lëvizja partizane në Shqipëri nuk mund të krahasohet me atë në Jugosllavi. Në Jugosllavi, Tito ka harmonizuar nacionalizmin dhe politikën sociale. Kombet e Jugosllavisë janë shumë dhe premtimi i federalizmit dhe reformave radikale lejon këdo; qoftë slloven, qoftë maqedonas që të bashkohet me partizanët pa ushtruar dhunë ndaj patriotizmave lokale. Në Shqipëri, ku ekzistenca e vetë shtetit duket në rrezik për shumë arsye, lëvizja partizane luan rolin e përçarësit në vend që të bashkojë. Nacionalizmi atje është një çështje qejfi në krahasim me pjesën tjetër të Evropës, ndërsa partizanët nuk kanë arritur të bindin nacionalistët se ata janë në gjendje apo do të harmonizojnë reformën sociale me pavarësinë e Shqipërisë.
2- Në rast se (gjë që nuk ka të ngjarë të ndodhë) do të dërgoheshin armë në një masë të tillë, saqë partizanët mund të dërrmonin çdo element tjetër në vend së bashku me ushtrinë gjermane, atëherë ne duhet ta ndihmojmë dhe jo ta pengojmë pushtimin gjerman.
Është e qartë se gjermanët nuk dëshirojnë të shkatërrojnë partizanët, të cilët mund të jenë duke luajtur lojën e tyre. Për sa kohë që linjat e komunikimit ruhen, ekzistenca e një ushtrie partizane përbën avantazh ndaj gjermanëve, meqenëse ajo ndihmon në mbajtjen nën kontroll të Balkom-it dhe nacionalistëve të tjerë të papërfshirë në politikë dhe si rrjedhojë t'i binden asaj. Partizanët nuk e kanë përfituar ende dhuntinë apo aftësinë politike për të diferencuar mes dikujt që vepron si kolaboracionist me paramendim dhe qëllim të keq dhe një patrioti të sinqertë dhe progresist, i cili përmes forcës së rrethanave mbetet inaktiv apo e kufizon veten duke luajtur një rol neutral. Sa më të fuqishëm të bëhen partizanët në pjesët e tjera të vendit, - natyrisht deri në njëfarë mase, pasi ata nuk mund të fuqizohen deri në dominimin e vendit, - aq më shumë do t'i shtyjë intransigjenca e tyre politike elementet e moderuar pro-britanikë dhe pro-amerikanë në duart e gjermanëve.
3- Partizanët nuk kanë në gjirin e tyre figura popullore dhe një talent administrativ për të siguruar mbështetje publike dhe për të ruajtur qetësinë në prag të një pushtimi aleat. Ne do të ishim të përfshirë në një luftë civile gjatë të cilës rebelët do të përfshinin me mijëra nga ata që do të uronin sinqerisht një fitore të aleatëve, ndërsa forcat ku mbështeteshim ne do të na konsideronin si diçka me të cilën sillesh me një tolerancë përçmuese.
4- Furnizimi vetëm i partizanëve do të na hiqte nga duart fuqinë më të madhe bindëse që zotërojmë, - kapacitetin për të përdorur burimet tona të ushqimit, veshmbathjes dhe armëve si argument për rikthimin e unitetit kombëtar mbi bazat e një përpjekjeje kundër gjermanëve. Kjo do të ishte kryekëput gabim në kuadër të provave se a) elementët e Balkom-it, sa vijnë e bëhen më agresivë nën pushtimin gjerman dhe se b) elementi zogist po fiton mbështetje të gjerë popullore dhe gjashtë nga dhjetë prefektura tashmë raportohet se janë pothuajse plotësisht besnike ndaj lëvizjes zogiste.
Ne po përballemi me disa mijëra gjermanë dhe kosovarë të armatosur, - këta të fundit parashikohet të zhvillojnë një betejë të dëshpëruar kundër nesh dhe të dy këta mund të shfarosen vetëm nëse ne do të mund t'i shfrytëzojmë të gjithë elementet jo të kompromentuar nga mbështetja e Gjermanisë. Neve na nevojiten partizanët, formacionet e Kupit dhe rangjet dhe numri i luftëtarëve të Balkom-it. Së bashku ata mund të formojnë një "rreth të hekurt" duke i rrethuar gjermanët në ultësira dhe çdo politikë që nuk tenton në fillim t'i bashkojë ata do të sillte pështjellim në vetvete.
Mendohet se mundësia e një bashkimi është më e madhe tani sesa asnjëherë më parë për arsyet e mëposhtme:
1- Lëshimet territoriale me të cilat është manipuluar kaq shumë kohët e fundit do të kishin humbur shumë prej shkëlqimit të tyre për shkak të akteve të kryera nga kosovarët. Ka pasur gjithmonë një element të fuqishëm në Shqipëri, duke pasur parasysh pikëpamjen se irredentizmi nuk duhet inkurajuar me qëllim që të ruhet miqësia me Jugosllavinë dhe se në vend të pretendimeve të reja territoriale nga ana e Shqipërisë duhet të thithen elemente të dëshirueshme mes popullit të Kosovës nëpërmjet intensifikimit dhe kultivimit të tokës së tyre. Kjo pikëpamje duhet të jetë shtrirë gjerësisht muajt e fundit.
2- Rrjedha e luftës u tregon të gjithë elementëve të pasigurt se nuk ka asnjë shpresë në politikën e balancimit të premtimeve të aleatëve, të cilët janë në prag të fitores me premtimet e gjermanëve të cilët janë drejt humbjes së sigurt.
3- Që prej Konferencës së Teheranit, partizanët kanë humbur bazat për shtrirjen e ndikimit të tyre që nënkuptonte mosmarrëveshje mes britanikëve dhe amerikanëve nga njëra anë dhe një Bashkimi Sovjetik të angazhuar për një revolucion botëror nga ana tjetër. Meqenëse kundërshtarë me popullaritet të regjimit zogist, si peshkop Noli e pranuan mbretin Zog si liderin e përkohshëm të periudhës së luftës, ai sërish njihet të jetë ashtu siç ka qenë, në fakt për një kohë të gjatë, figura qendrore në skenën shqiptare. Si i tillë, njohja e këtij statusi është maksimumi që mund të parashikojnë edhe vetë zogistët gjatë luftës. Nga ana tjetër, garancitë e dhëna nga Zogu se e ardhmja e regjimit do të vendoset nga populli dhe fakti se aleatët janë në gjendje të shohin se këto rrethana janë realizuar, mundëson që partizanët të fundosin pretendimet e tyre ekstreme për një të mirë të përbashkët pa dyshimin se ata do ta gjejnë veten në disavantazh pas luftës.
Theksohet në kuadër të këtyre konsideratave se nuk duhet t'i jepet mbështetje ndonjë elementi të vetëm në kurriz të pjesës tjetër, por se avantazhet tona të konsiderueshme dhe në rritje duhen shfrytëzuar për të rikrijuar unitetin në Shqipëri dhe si rrjedhojë, për të bërë të mundur rikthimin e prestigjit tek aleatët dhe shpëtimin e qindra jetëve të aleatëve në muajt në vazhdim.
Vijon në numrin pasardhës
Materiali është marrë nga arkiva britanike të Luftës së Dytë Botërore. Agjentët anglezë që morën pjesë në operacionet e forcave aleate në vendin tonë mbajtën ditar për gjithë zhvillimet e Luftës, ku tregohet skena politike e Shqipërisë së viteve 1943-44 dhe roli i forcave politike në luftë
6 Nentor 2009