E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë në politikë, Ana Xheka: Nuk është zbatuar Ligji për Barazinë gjinore



Partitë politike nuk e kanë zbatuar Ligjin për Barazinë gjinore. Kuota e 30% të përfshirjes së grave në politikat vendimmarrëse e në veçanti në Parlament nuk është zbatuar si duhet nga vetë subjektet politike. Kjo ka qenë deklarata e bërë dje nga drejtoresha e Politikave të Shanseve të Barabarta, në Ministrinë e Punës, Ana Xheka. Sipas saj, pavarësisht se numri i femrave në Parlament është dyfishuar kuota e 30% nuk është plotësuar. “Kuota e 30% nuk është arritur dhe ky është një fakt publik. Duke marrë në analizë situatën, duhet marrë parasysh koha nga momenti që ligji u vendos deri në momentin e pragzgjedhjeve elektorale 2009. Jashtë kontekstit politik, secila nga partitë politike ka pasur mundësinë që përpos deklaratave opozitare apo pozitare në listat respektive zgjedhore të vendoste sa më shumë gra në pozicionin që duhej dhe do ta kishte arritur”- tha Xheka. Ligji për Barazinë gjinore, sipas Xhekës ka sjellë një efekt pozitiv në rastet e denoncimit të dhunës ndaj femrave. Krahasuar me vitin 2008, numri i denoncimeve është rritur ndjeshëm, ndërkohë që strukturat përkatëse kanë regjistruar dhe raste të denoncimit të dhunës të ushtruar edhe ndaj meshkujve. “Vetëm në 9-mujorin e parë të këtij viti kemi 904 raste të dhunës në familje pranë dyerve të Policisë. Kjo shifër ka qenë shifra totale e vitit 2008. Në 9-mujorin e parë të këtij viti janë 19 raste meshkujsh që kanë denoncuar forma të ndryshme të dhunës në familje”,- pohoi Xheka. Ligji për Barazinë gjinore që po implementohet prej dy vitesh në vendin tonë është kritikuar herë pas here nga subjektet politike, por edhe nga kreu i shtetit Bamir Topi, i cili vetëm disa ditë më parë i ka bërë apel politikës ta zbatojë këtë ligj.

6 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›