Legalizimi, tarifat për ligjërimin e pallateve pa leje
Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë pritet të shtohet me rreth 2.5 miliardë euro vetëm nga regjistrimi i pallateve të reja. Janë rreth 400 pallate të reja, të ndërtuara me leje ndërtimi, por të paregjistruara në Hipotekë për shkak të shmangieve nga projekti, kryesisht shtesa të bëra në lartësi ose në gjurmë. ALUIZNI vlerëson se sipërfaqja totale e tyre është rreth 3 milionë m2. Shumëzuar me çmimin mesatar të shtëpive në Tiranë gjatë vitit 2007, që sipas të dhënave të tregut të pasurive të paluajtshme do të ishte 813 euro për m2, vlera totale e tregut të këtyre ndërtimeve është afro 2.5 miliardë euro.
Regjistrimi i këtyre ndërtimeve pritet të sjellë të ardhura të konsiderueshme edhe në arkën e Bashkisë Tiranë. Sipas ligjit, 10% e vlerës së shitjes së pasurive të patundshme paguhet si taksë në momentin e regjistrimit në Hipotekë. Kur të mbyllet legalizimi dhe të bëhet regjistrimi i tyre, pala shitëse (ndërtuesit) duhet të paguajnë 10% të vlerës së kontratës së shitjes. Për të gjithë sipërfaqen e pallateve të reja, në arkat e shtetit duhet të shkojnë rreth 250 milionë euro. Ndërsa nga taksa vjetore mbi pasuritë e paluajtshme, që për sipërfaqet e banimit është 21 lekë për m2, do të shtohen të paktën 63 milionë lekë çdo vit. Këtyre shumave u duhen shtuar edhe penalitetet që duhet të paguhen për sipërfaqet e ndërtuara pa leje, por ALUIZNI ende nuk mund të publikojë statistika të veçanta për sipërfaqen e shtesave.
Regjistrimi
Shumica e atyre që kanë blerë shtëpi në pallatet e ndërtuara pas viteve ’90 në Tiranë nuk disponojnë dokumente pronësie, sepse pallatet nuk janë regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Arsyeja kryesore kanë qenë shkeljet e bëra nga ndërtuesit në projektet e miratuara në lejet e ndërtimit, apo mosplotësimi i standardeve të vendosura nga bashkia për marrjen e lejeve të shfrytëzimit. Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi edhe këto ndërtime u përfshinë në skemën e legalizimeve, por fillimisht pati një rezistencë nga ana e ndërtuesve, me argumentin se penalitetet e vendosura në ligj për legalizimin ishin shumë të larta. Problemi i regjistrimit të ndërtesave ndahet në dy kategori; Të parat janë pallatet që janë ndërtuar konform lejes së ndërtimit dhe që kanë ngelur në pritje të marrjes së lejes së shfrytëzimit nga Bashkia. Kategoria e dytë dhe që është më problematike është ajo e pallateve që janë përfshirë në procesin e legalizimeve, për shkak të shmangieve nga lejet e ndërtimit. Kjo kategori po ndjek procedurat e përcaktuara në ligjin për legalizimet. Të dhënat tregojnë se 40-50 objekte shfaqin probleme kryesisht për shkak të problemeve me pronësinë.
Kostoja e legalizimit
Për legalizimin e një pallati që ka devijime nga leja e ndërtimit ekzistojnë katër lloj taksash dhe penalitetesh, që ndërtuesit duhet të paguajnë për legalizimin e tyre. Njëra është tarifa e shërbimit, që është katër mijë lekë dhe shkon në favor të institucionit që përgatit dosjen, pra, të ALUIZNI-t. Është tarifa e ndikimit mbi infrastrukturë, që për qytetin e Tiranës merret në tarifat minimale të përcaktuara nga ligji, në masën 2% të vlerës së ndërtimit, së sipërfaqes së ndërtuar pa leje. Përllogaritja bëhet mbi bazën e vlerës së kostos së ndërtimit të përcaktuar nga Enti i Banesave. Në mbështetje të ligjit për legalizimet, fillojnë edhe penalitetet. Për sipërfaqet e ndërtuara për banim, norma e gjobës është 4% e vlerës së sipërfaqes së ndërtuar pa leje, ku si bazë merret çmimi minimal fiskal sipas zonave, i përcaktuar nga marrëveshja mes Shoqatës së Ndërtuesve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Kur shtesat janë bërë për veprimtari biznesi, penaliteti është në masën 10% të vlerës së sipërfaqes së ndërtuar pa leje. Për sipërfaqet në të cilat është bërë ndryshim i destinacionit, penaliteti është në masën 20% të vlerës së sipërfaqes. Për ata ndërtues që kanë bërë vetëdeklarimet pas datës 15 shtator 2006, shtohet një penalitet prej 10 mijë lekë për çdo m2 të ndërtuar pa leje.
KOSTOJA E LEGALIZIMIT
Tarifa e shërbimit nga ALUIZNI: 4 mijë lekë
Taksa e ndikimit në infrastrukturë: 2% e kostos së ndërtimit për m2 sipërfaqe
Gjoba për sipërfaqet pa leje për individët: 4% e çmimit fiskal për m2
Gjoba për sipërfaqet pa leje për ndërtuesit: 10% e çmimit fiskal për m2
Gjoba për ndryshimin e destinacionit nga ndërtuesit: 20% e çmimit fiskal për m2
Pagesa për legalizimit tani me bono, rritet vlera në treg
Ende pa kaluar në Kuvend ligji për përdorimin e bonove të privatizimit në procesin e legalizimeve u rrit në treg vlera e tyre në masën 400 për qind. Nëse deri në qershor apo në korrik ato këmbeheshin në tregun e zi me 3-5 për qind, sot ato kanë arritur nga 14 deri në 20 për qind. Ekspertët parashikojnë rritjen e vlerës së tyre tashmë që ka hyrë në fuqi ligji. Në dhjetëditëshin e dytë të tetorit deputetët kaluan draftin e përgatitur nga qeveria, duke i hapur dritën jeshile legalizimit të banesave informale me anë të bonove të privatizimit deri në 50 për qind të vlerës totale. Në bazë të këtij ndryshimi, banorëve të këtyre zonave u jepet e drejta për të blerë shtëpitë e tyre me gjysmën e vlerës. Projekti synon përshpejtimin e procesit të legalizimit nëpërmjet shtimit të disa dispozitave të reja ligjore. Në të është parashikuar që në procesin e legalizimit të mund të përdoren për pagesa bonot e privatizimit. Ndërsa pagesa e taksave, tatimeve dhe e detyrimeve të tjera financiare do të bëhet vetëm në lekë. Ligji ka efekt prapaveprues, pasi personat që nuk kanë kryer pagesat për legalizimin e ndërtimeve të tyre përpara hyrjes në fuqi të këtij drafti, mund të përfitojnë nga e drejta me pagesë me bono privatizimi dhe e drejta e përfitimit është 3 muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ministri i Financave, Ridvan Bode, e cilësoi si shumë të rëndësishëm një ndryshim të tillë, duke theksuar se kjo do të ndikojë në koston financiare të këtyre banorëve. “Ne bëjmë një kontribut të çmuar si qeveri, ku 100 për qind e vlerës së truallit të privatizuar nuk shkon në njësitë e qeverisjes vendore, por shkon në arkën e AKKP-së, për kompensimin financiar të ish-pronarëve”, - theksoi Bode.
LIGJI I NDRYSHUAR I LEGALIZIMEVE
“Neni 17/1
Mënyra e pagesës për legalizimin e ndërtimeve pa leje
1. Pagesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet:
a) Në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë, në proces legalizimi;
b) Me bono privatizimi, në përputhje me dispozitat e neneve 19, 20 e 21, të këtij ligji.
2. Bonot e privatizimit, për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit, që janë në proces legalizimi.
3. Bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.
4. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë”.
Neni 2
Në fund të shkronjës “dh”, të Nenit 19, shtohen fjalët “... dhe, deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi”.
Neni 3
Në fund të shkronjës “ç”, të Nenit 20, shtohen fjalët “... dhe, deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi”.
Neni 4
Në fund të shkronjës “ç”, të Nenit 21, shtohen fjalët “... dhe, deri në 50 për qind të vlerës, pagesa mund të kryhet me bono privatizimi”.
Neni 5
Në paragrafin e parë, të Nenit 22, pas fjalëve “... zbatohen të njëjtat tarifa...” shtohen “... dhe mënyra pagese...”.
Neni 6
1. Pas shkronjës “ë”, të Nenit 27, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) Kërkesë e subjektit për mënyrën e pagesës për legalizimin e ndërtimit pa leje, në përputhje, përkatësisht, me nenet 19, 20 ose 21, të këtij ligji”.
Neni 7
Pika 1, e nenit 32, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Të ardhurat e arkëtuara nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje transferohen në buxhetin e shtetit, për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond kompensimi financiar, sipas parashikimeve të Ligjit Nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”.
Neni 8
Dispozita kalimtare
1. Personat, të cilët i kanë kryer pagesat për legalizimin e ndërtimeve, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përfitojnë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj.
2. Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë, me shkrim, pranë ALUIZNI-it, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
6 Nentor 2009