E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i banesave në qendër dhe periferi të kryeqytetit, ja çmimet



Qytetarët ende mbajnë shpresa se do të ulen çmimet e banesave në kryeqytet. Në anën tjetër, edhe ndërtuesit shpresojnë se çmimet do të mbajnë këtë nivel, ose do të rritet, për shumë arsye. Kjo status quo e dyanshme nuk po e çliron ende tregun e pasurive të patundshme. Kriza ekonomike dhe financiare në botë dhe efektet e saj nuk duken se po ndikojnë në çmimet e banesave në kryeqytet. Blerësit nuk kanë fuqi për të përballuar çmimet e kripura, ndërsa sipërmarrësit nuk lëvizin nga istikami. Edhe ardhja e emigrantëve gjatë kësaj vere, të cilët përbëjnë rreth 70% të fuqisë blerëse në tregun e banesave, apo futja në treg e kompanive të huaja, nuk ka ndikuar në një zbritje të tarifave për metër katror. Duke iu referuar të dhënave që ofrojnë agjencitë imobiliare, apo edhe sajtet e specializuar në tregun e informacionit të shitblerjeve, nuk flitet për ulje të pazarit në zonat e luksit në kryeqytet, si te ish-Blloku, apo zonat e Tiranës së Re. Megjithatë, ekzistojnë oferta me çmime të ulëta në periferi, si në zonën e Yzberishtit, Kasharit apo te Fresku, ku një metër katror shkon deri në 370 euro.

Emigrantët në krizë
Të gjithë prisnin në këtë periudhë një ulje të ndjeshme të çmimeve, por një gjë e tillë nuk ndodhi as në këto muaj vere, kur janë kthyer pranë familjeve të tyre me mijëra emigrantë, të cilët, në ndryshim nga vitet e tjera, nuk e kanë më xhepin e ngrohtë. Kriza financiare i ka prekur në mënyrë të konsiderueshme shqiptarët që punojnë jashtë vendit. Madje, kjo është kategoria më e prekur nga shkurtimet e vendeve të punës në Itali, Greqi dhe në vendet e tjera ku kanë emigruar. Banka e Shqipërisë flet për një ulje në masë të konsiderueshme të dërgesave krahasuar me vitin 2008. Nëse në vitet e kaluara kishte kërkesa të mëdha, gjatë kësaj periudhe ka rënie të ndjeshme për blerje apartamentesh. Qoftë bankat, por edhe agjencitë konstatojnë se refugjatët nuk blejnë më me para në dorë apartamente, apo nuk u drejtohen bankave për të marrë sasi të vogla kredish për të blerë shtëpi në kryeqytet. Rreth 70 përqind e blerësve potencialë të apartamenteve në vendin tonë janë emigrantët, të cilët me paratë e tyre ose përmes kredive blejnë një shtëpi, të cilën e japin me qira dhe vazhdojnë të punojnë atje. Por, tashmë, ata janë prekur, duke rrezikuar vendet e punës, ose duke mos siguruar të ardhura të mjaftueshme për të blerë një apartament.

Ulje, apo status quo?
Ende është shumë e vështirë që të parashikosh nëse do të ketë çmime të pandryshueshme apo ulje gjatë muajve në vazhdim. Shifrat që bëjnë publike agjencitë përmes sajteve të tyre, apo edhe në tabelat reklamuese në zyrat e tyre flasin për një palëvizshmëri çmimesh. Ekspertët e tregut imobiliar thonë se aktualisht është një ecuri e njëjtë e çmimeve, që nuk pritet të kenë as ulje, por as rritje. Po ashtu, kërkesa është ulur ndjeshëm. Kërkesa dhe interesi për të blerë shtëpi vazhdon të mbetet i lartë, por kur vjen puna te konkretizimi i kontratës, janë shumë të paktë ata që e finalizojnë. Zyrave të firmave apo edhe agjencive të shitjes së pasurive të paluajtshme u drejtohen jo pak persona, por klientët janë të paktë.
Sipas specialistëve, ndonëse kriza në Perëndim po shkon drejt fundit dhe kanë nisur shenjat pozitive, ende nuk ka shenja reaguese të tregut të shitblerjeve të banesave në vend. Agjentët pohojnë se kjo lidhet me mbingopjen e tregut këtu dhe jo me faktorë të tjerë të jashtëm apo të brendshëm. Megjithatë, klientët i kanë kthyer sytë te bankat, ndonëse ato kanë nisur shtimin e kritereve të marrjes së kredisë dhe rritur normat e interesave që prej fillimit të janarit.
Banka e Shqipërisë ka dhënë sinjale jo të mira për gjendjen financiare dhe gjatë vjeshtës nuk priten përmirësime. Rritja drastike e shpenzimeve dhe ulja e të ardhurave nga vjelja e taksave po dobëson operatorët që punojnë në investimet publike. Zhvlerësimi i lekut në mënyrë të vazhdueshme dhe etja e tregut për euro po bën që të rriten çmimet e banesave në mënyrë të vazhdueshme. Kjo lidhet me faktin se shumica e ndërtuesve ende i shesin banesat me euro. Të gjithë janë në pritje të përmirësimit të tregut bankar, lehtësimit të kritereve për marrje kredie, si dhe të rritjes së treguesve ekonomikë në përgjithësi, jo vetëm në tregun vendas, por edhe jashtë.

OFERTAT
Qendra e shenjtë, periferia ende e lirë

Nëse do të blesh një shtëpi me çmim të lirë mos iu afro ndërtesave në zonat e konsideruara si luks në kryeqytet; konkretisht, qendra historike, ish-Blloku, Tirana e Re dhe gjithë zona tjetër brenda Unazës së Vogël. Kjo duket nga lëvizja e madhe e çmimeve që ofron metropoli, të cilat nisin me 400 euro dhe përfundojnë me rreth 2000 euro për një metër katror. Zonat e “luksit” kanë çmime që variojnë nga 1000-2100 euro m2. Kjo ka bërë që kërkesa të jetë u ulët në këtë periudhë, por në këto zona aktualisht ka pak objekte në ndërtim. Çmimet më të ulëta i përkasin zonës së Farkës, Komunës së Dajtit, si dhe Kasharit, ku ofertat janë edhe për apartamente me 380 euro/m².
Vetëm në këto zona, që rrethojnë kryeqytetin, çmimet e apartamenteve shiten nën nivelin e 500 eurove për metër katror. Madje, disa nga firmat kryesore në këtë sektor kanë lajmëruar në formën e promocionit ulje nga 30-40 euro për metër katror. Gazeta sjell një hartë të kryeqytetit, në të cilën janë shënuar çmimet sipas zonave përkatëse. Të dhënat janë marrë nga agjencitë e informacionit të tregut imobiliar si dhe nga tregu i shitje-blerjeve.

ÇMIMET E APARTAMENTEVE NË KRYEQYTET (euro/m2)

- Ish-Blloku dhe zona e Radio Tiranës 1400 - 2100

- Qendra - Myslym Shyri – Rruga e Kavajës 1000 - 1400

- Qendra – Rruga e Kavajës - Rruga e Durrësit 1000 – 1400

- Unaza e Re – Kashar- Kombinat 430 - 550

- Zona poshtë Dajtit - Fresku - Linza 430 – 550

- Tirana e Re - Komuna e Parisit 850 - 1000

- Zona pranë Unazës së vogël - Rruga Bardhyl 800 - 1000

- Zona pranë Unazës së vogël - Zogu i Zi 800 - 1000

- Kodra e Diellit 550 – 700

- Zona e Liqenit Artificial 650 - 950

- Kodrat e Selitës 550 – 700

6 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›