E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkivat britanike: Që në prill të ‘41-it rekrutuam shqiptarë kundër fashistëve italianë

Shqipëria e dalë nga Lufta e Parë Botërore, ishte shumë pak e njohur në arenën ndërkombëtare, megjithëse aktiviteti diplomatik i fuqive të mëdha ndaj shtetit të sapokrijuar nga rrënojat e Perandorisë Otomane ishte mjaft i dendur. Një sërë palësh ndërluftuese kishin shkelur në territoret shqiptare duke lënë pas jo vetëm gjurmët e tyre, por edhe dokumente mbi çështjet luftarake për të cilat ato interesoheshin. Arkivat britanike, një pjesë tashmë e hapur për studiuesit e kësaj periudhe, na informojnë se shërbimet sekrete britanike gjatë periudhës së viteve 1900 e deri më 1920 nuk kishin aktivet të rëndësishëm të të njëjtit nivel me shërbimin diplomatik në këtë vend të vogël ballkanik, i cili nuk paraqiste asnjë interes të mjaftueshëm për këto shërbime. 

Auron Tare

MI6, apo Shërbimi Sekret anglez e ka zanafillën e tij në vitet 1909 kur dy shërbimet kryesore të inteligjencës britanike u bashkuan për të krijuar një shërbim me efikas ndaj ndryshimeve që po ndodhnin në politikën angleze jo vetëm në territoret koloniale, por edhe në Evropë.  Megjithëse arkivat britanike kanë një sasi shumë të pakët dokumentacioni të kësaj kohe për Shqipërinë mund të thuhet se ky dokumentacion është mjaft interesant. Në të ka mjaft informacione dhe raporte mbi gjendjen politike dhe ekonomike të saj, si dhe mbi përplasjet e vazhdueshme të fqinjëve për të përfituar territore apo influencë mbi politikanët shqiptarë të kohës. Fillimet e shtetit shqiptar përveç disa anglezëve ekscentrikë të cilët dëshironin të njihnin më afër jetën e popullsisë malore, zakonet dhe kulturën e panjohur deri më atëherë, nuk kishin ndeshur akoma oficerët e Shërbimit Inteligjent anglez apo e njohur ndryshe edhe si SIS. Nga dokumentet arkivore të shfletuara deri më tani nuk kemi ndonjë provë të saktë për të na bërë të besojmë se Shërbimet Inteligjente britanike kishin ndonjë rrjet informacioni të ngritur deri në mesin e viteve 1920. Ky fakt tregon qartë se realiteti shqiptar nuk ofronte ndonjë pikëpyetje të madhe strategjike  për politikëbërësit e Londrës, të cilët pas Luftës së Parë ishin më shumë të interesuar për të ndarë territoret e ish-Perandorisë Otomane të Lindjes së Mesme, territore të cilat sapo kishin dhënë edhe shenjat e para të pasurive të naftës. Ruajtja e rrugëve detare drejt kolonive të tyre ishte një preokupim mjaft i madh dhe konfliktet e shpeshta politike shqiptare nuk ngjallnin ndonjë interes të veçantë për diplomacinë angleze.      
Përveç ndonjë shkrimi të rrallë në shtypin britanik mbi Shqipërinë e asaj kohe, në përgjithësi publiku anglez nuk kishte ndonjë ide të qartë se çfarë ndodhte në vendin e shqipeve e cila brenda disa viteve kaloi një periudhë të vështirë politike. Megjithëse britanikët ishin përfshirë në disa prej çështjeve të kufijve shqiptarë me fqinjët e tij, përsëri nuk mund të themi se interesi ishte në një shkallë të atillë sa të kthente vëmendjen e Shërbimit Inteligjent ndaj shtetit shqiptar. Po kështu mund të thuhet edhe për politikën amerikane, e cila si një shtet që akoma nuk e kishte vendosur veten në rolin e një mbikëqyrësi të pozicioneve strategjike globale, nuk kishte asnjë interes imediat mbi Ballkanin dhe në veçanti mbi Shqipërinë. Gjithsesi pas krijimit të një qeverie më të stabilizuar dhe me ardhjen e Zogut në pushtet, britanikët në mënyrë mjaft periferike janë interesuar edhe për një informacion më të përgjithshëm mbi Mbretërinë Shqiptare. Shikohet një volum pak më i madh i raporteve që vijnë nga Shqipëria, raporte që gjithsesi vinin nga kanalet diplomatike. Britanikët dhe amerikanët hapën legatat e tyre në Shqipëri në vitet 1920-të por me sa duket nga dokumentacioni që kemi në dispozicion personeli diplomatik nuk kishte lidhje të qëndrueshme me shërbimet sekrete dhe raportet e tyre kalonin nëpërmjet kanaleve zyrtare. Sigurisht që në këto raporte ka të dhëna mbi gjendjen politike, ushtarake por edhe thashethemet e oborrit të Zogut, që gjithsesi mbeten në kornizën e raporteve diplomatike. Në këto raporte shpesh citohen edhe emrat e burimit të informacioneve, të cilët në përgjithësi janë persona pranë oborrit të Zogut, të cilët kalonin informacion për diplomatët britanikë. Me ardhjen në fuqi të Musolinit në Itali dhe në veçanti me përpjekjen e Italisë për t’u kthyer në një superfuqi evropiane, sigurisht që interesimi britanik drejt Ballkanit u rrit pasi Ballkani shikohej si një fushë logjike e ekspansionit italian. Për një periudhë kohe anglezët e shikuan Shqipërinë si një fushë logjike të influencës italiane, aq më tepër kur dihej se Mbreti Zog po binte gjithnjë e më tepër nën presionin ekonomiko-ushtarak të fashizmit. Me rritjen e influencës italiane në Shqipëri dhe penetrimit të shërbimit sekret italian në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptarë, në vitet ‘30-të kemi një prani të disa elementëve anglezë në shoqërinë shqiptare, elementë të cilët për rolin dhe aktivitetin e tyre ne radhët e Shërbimit Inteligjent anglez lënë të kuptosh se ardhja e tyre në Shqipëri nuk ka qenë e rastësishme. Në këtë rast do të veçoja Aubrey Herbert, një aristokrat anglez i cili ishte oficer i Shërbimit Inteligjent ushtarak me qendër në Kajro. Herbert, djali i dytë i Erlit të 4-të Carnavon, (vëllai i tij Lordi Carnavon ishte zbuluesi i famshëm i varrit të Faraonit Egjiptian Tutenkhamun). Ai vinte nga një familje shumë e pasur dhe kishte një eksperiencë të madhe në Lindjen e Mesme. Oficer i zbulimit ushtarak, fliste disa gjuhë përfshirë këtu edhe arabisht, por edhe shqip. Herbert u angazhua shumë në fatin e Shqipërisë para dhe pas Luftës së Parë Botërore dhe dosja e tij ka një sërë raportesh shumë interesante mbi gjendjen e Shqipërisë para viteve 1920, por si mik i sinqertë i Shqipërisë ai nuk duket se ka pasur ndonjë tentativë për të krijuar një rrjet informacioni me karakter politik. S. Clark, një person shumë enigmatik pasi fati i tij tragjik dhe vdekja e parakohshme na bëjmë të spekulojmë mbi qëllimin e tij të vërtetë në interesin që tregoi mbi Shqipërinë e Jugut.  Arkeolog, i cili sapo kishte fituar një bursë studimi në Shkollën Britanike të Athinës, kishte hyrë në Shqipëri në fund të viteve 1920. S. Clark përveç interesimit të tij mbi arkeologjinë shqiptare, mund të ketë qenë me mision zbulimi. Ditari i tij personal përmban ne detaje shumë të dhëna që kanë karakter ushtarak, topografik, ekonomik të të gjithë zonës së Jugut të Shqipërisë. Në ditarin e tij personal i panjohur për publikun deri më sot ka pasazhe të qarta, që i referohen shënimeve të tij për raporte më të zgjeruara mbi viset e jugut shqiptar. Clark vdiq mjaft i ri në një aksident në Athinë dhe shënimet e tij me sa duket janë shfrytëzuar nga një arkeolog tjetër, i cili më vonë do të bëhej një prej autoriteteve më të rëndësishme të arkeologjisë britanike, Nicholas Hamond. Nicholas Hamond, filohelen tradicional, njohës i mirë i Epirit dhe një personalitet i njohur i arkeologjisë angleze, ndjek itinerarin e Clark dhe viziton gati të njëjtat vende në fillim të 1930-të. Shënimet e tij të hershme kanë shumë të dhëna topografike me interes ushtarak dhe siç do të shikohet edhe më vonë nga zhvillimi i ngjarjeve Hamond është ngarkuar me mision nga Shërbimet Sekrete për të hyrë në Shqipëri gjatë periudhës së okupimit fashist. Emrin e Hamond do ta hasim më vonë në një sërë raportesh që ai i dërgonte zbulimit anglez nga Greqia. Gjithsesi shërbimet angleze filluan të kishin një informacion paksa më të mirë kur në fund të viteve 1920, Mbreti Zog për të krijuar një forcë profesioniste ushtarake mori në shërbimin e tij 12 ish-ushtarakë britanikë. Gjeneral-Majori, Sir Jocelyn Percy, një ish-ushtarak karriere, pasi kishte luftuar në shumë vende të kolonive britanike ishte larguar nga ushtria për t’ju kushtuar biznesit të tij privat. Kishte jetuar për disa vjet në Kanada ku kishte provuar pa sukses të krijonte një fermë bujqësore. I rikthyer në Londër në mesin e viteve 1920, me të marrë propozimin e Mbreti Zog për t’u vënë në krye të xhandarmërisë shqiptare, erdhi në Shqipëri së bashku me një duzinë oficerësh, të cilët ai i rekrutoi vetë në Angli. Sir Jocelyn Percy pati një karrierë shumë të rëndësishme në krye të xhandarmërisë së Zogut dhe ishte një figurë që megjithëse italianët nuk e donin në detyrën që kryente gjithsesi e respektonin për profesionalizmin e tij. Sir Jocelyn Percy gjatë karrierës së tij ushtarake kishte pasur shumë kontakte me një sërë departamentesh të ushtrisë britanike. Mesa duket nga dosja e tij ai nuk ka pasur marrëdhënie me SIS apo shërbimin e zbulimit ushtarak anglez gjatë ushtrimit të detyrës së tij në radhët e xhandarmërisë shqiptare. Por gjithsesi në fundin e viteve ‘30 kur influenca italiane ishte tashmë në kulmin e saj edhe në radhët e ushtrisë shqiptare, Sir Jocely Percy ishte në kontakt të vazhdueshëm me zyrën sekrete MIR, një degë e shërbimit të zbulimit ushtarak, që ishte krijuar për të kryer sabotime dhe luftë jo konvencionale. Mesa duket Sir Percy kishte dhënë informacione me karakter ushtarak mbi mundësitë e italianëve për të sulmuar Jugosllavinë apo edhe Greqinë. Sir Jocelyn Percy për një farë kohe ishte konsideruar si një kandidat potencial për të drejtuar përpjekjet britanike të 1941 për të infiltruar një mori agjentësh në Shqipëri, por mosha e tij e madhe nuk e lejonte për t’i hyrë një aventurë të re. Kolonel Dayrell Oakley-Hill, një prej zëvendësve të Gjeneral-Majorit Percy, në komandën e xhandarmërisë shqiptare do të ishte në fakt një prej kontakteve më të rëndësishme të SIS në radhët e ushtrisë shqiptare. Kolonel Oakley-Hill ishte një admirues i shqiptarëve dhe mesa duket koha që ai kaloi në Shqipëri e kishte bërë atë më të afërt me vendin ku ai shërbeu për më se 10 vjet. Lëvizjet e tij në të gjithë Shqipërinë e bënin atë një burim të rëndësishme për informacion me karakter ushtarak. Në ditarin e tij të botuar pas vdekjes ai është kujdesur që rolin dhe kontaktet që ai kishte me Shërbimin Sekret anglez të lihen në një fare mënyre jashtë faqeve të ditarit, por në fakt nga dokumentet arkivore shikohet qartë se ai ka luajtur një rol parësor, sidomos në fundin e ’39-të dhe fillin e viteve ‘40 në skemën e SIS në Shqipëri. Koloneli Oakley-Hill do të ishte në fakt një prej aktorëve kryesorë të përpjekjeve të Shërbimit Sekret britanik për të rekrutuar dhe infiltruar një numër eksponentësh anti-italianë dhe për të filluar një lëvizje anti-italiane në prill të 1941. Po kështu në dosjet e shërbimit të zbulimit anglez në këtë periudhë dalin emrat edhe të dy ushtarakëve të tjerë të xhandarmërisë së Mbretit Zog, Kapiteni Robert Cripps dhe Major Barbrook, të cilët do të shërbenin edhe më vonë në planet e anglezëve në krijimin e një fronti anti-italo-gjerman në Ballkan. Megjithatë figura më interesante, e cila gjatë viteve 1920 dhe ’30-të do të jetë pjesë e historisë së shërbimit anglez në Shqipëri do të ishte studiuesja britanike Margaret Hazlluk. Hazlluk kishte studiuar në Akademinë Elgin, si dhe Universitetin e Aberdeen dhe Kembrixh, duke qenë një prej grave të para në Angli që kalonin dyert e këtyre universiteteve prestigjioze. Gjatë një udhëtimi studimi në Anatoli më 1911, kishte takuar arkeologun anglez Frederick Hazlluk, i cili ishte një nga studiuesit e rëndësishëm të Shkollës Britanike në Athinë. Frederick Hazlluk dhe Margaret martohen më 1912 dhe vendosen në Athinë. Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore çifti Hazlluk përveç studimeve arkeologjike të cilat i kishin vendosur ata në një nivel të lartë profesional midis botës akademike, kishin punuar për zbulimin britanik duke qenë një nga pikat e ndërlidhjes dhe informacionit që kishin britanikët në Greqi. Nuk dihet se kush nga çifti Hazll1uk ka qenë personi i cili ka pasur kontakte i pari me shërbimin anglez. Dokumentacioni i zbuluar në arkivat britanike konfirmon se çifti Hazlluk kishte shërbyer gjatë gjithë periudhës së luftës për Shërbimet e Inteligjencës britanike. Mesa duke nga këto dokumente në mënyrë të tërthorët del se edhe lidhjet e znj. Hazlluk me Shërbimin Inteligjent Britanik kanë qenë të afërta edhe pas periudhës së Luftës së Parë. Pas vdekjes së të shoqit më 1920, znj.Hazlluk iu dedikua përfundimisht punës së saj në çështjet etnografie dhe kulturore të Ballkanit duke ndërmarrë udhëtime të shumta në Maqedoni, Greqinë e Veriut dhe në veçanti Shqipëri. Në vitin 1923 ajo vendoset përfundimisht në Shqipëri dhe udhëton gati në të gjithë vendin për të mbledhur përralla, fabula, histori të vjetra apo botani. Vendoset përfundimisht në Elbasan, ku edhe blen një shtëpi të vogël, që akoma edhe sot qëndron në këmbë shumë pranë mureve të Kalasë së Elbasanit. Eshtë paksa e vështirë për të vërtetuar rolin e saj të vërtetë për gati 16 vjetet që ajo kaloi në Shqipëri. Puna në drejtim të etnografisë, numizmatikes apo çështjeve të tjera shqiptare që ajo bëri me përkushtim për të gjithë kohën që ishte në Shqipëri e vendosin atë në radhët e pionierëve të çështjeve albanologjike. Gjithsesi kontaktet e saja në të kaluarën me Shërbimin Inteligjent britanik nuk kishin se si të mos lindin dyshimet se puna e saj nuk ishte vetëm etnografia. Eshtë e vështirë të provohet me dokumentacionin që deri më tani është në dispozicion nëse Hazlluk ishte agjente aktive me mision në Shqipëri apo jo, por nëse marrim parasysh se zyra sekrete e Mbretit Zog e kishte në vëzhgim të vazhdueshëm, si dhe Shërbimet Inteligjente italiane e kishin në listat e tyre primare si një agjente aktive, atëherë mund të supozojmë se znj.Hazlluk është personi për të cilën referohet në dokumentin HS7/150 të arkivit britanik se “kontakti kryesor i SIS në Shqipëri është një grua”.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›