Arkivat francezë: Theçer dhe lufta e saj kundër bashkimit të Gjermanive
Franca dje ka publikuar një pjesë të arkivave të fshehtë që datojnë periudhën e rënies së Murit të Berlinit. Sipas materialeve të tyre del se ish-kryeministrja britanike e kohës, Margaret Theçer, ishte një lidere e "obsesionuar" dhe shumë e "hidhur" dhe një kundërshtare e ashpër e ribashkimit të Gjermanisë. Ajo paralajmëroi ambasadorin francez, disa muaj para ribashkimit, për një Helmut Khol dominues me një Gjermani të Bashkuar. Pallati "Elize" ka publikuar disa nga arkivat sekretë për të përkujtuar 20-vjetorin e rënies së murit të Berlinit në 9 nëntor 1989. Shënimet shumë konfidenciale të diplomatëve francezë në Londër e përshkruanin Theçerin shumë të shqetësuar për bashkimin e Gjermanive dhe tregojnë edhe për propozimin e saj për të bashkuar forcat me Bashkimin Sovjetik vetëm e vetëm për të shmangur një gjë të tillë. "Khol është i aftë për çdo gjë", shkruan ambasadori francez i asaj kohe në Londër shumë i çuditur nga idhtësia e Kryeministres ndaj Gjermanisë. Sipas tij, ajo ishte e kënaqur me marrjen fund të komunizmit, por nga ana tjetër nuk shprehte asnjë lloj entuziazmi për lirinë e sapogjetur nga vendet e Europës Lindore. "Viti 1990 nisi me shumë eufori dhe rrezikon që të përfundojë në katastrofë", tha ajo në një tjetër takim me ambasadorin francez. Ajo ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim kundër Bashkimit Europian, qëndrim që më pas e detyroi edhe të jepte dorëheqjen në dhjetor të vitit 1990. Franca dhe Britania e Madhe, dy fuqitë bërthamore të Europës, sipas saj duhet të bëheshin bashkë ndaj rrezikut të një Gjermanie të fuqishme që do të ishte e rrezikshme. Por ndërsa kundërshtia e Theçerit dihej në lidhje me ribashkimin e Gjermanive, por ndërkohë jo më pak armiqësor ishte edhe Presidenti francez i kohës, Mitterrand. Por ai ishte më diplomatik në qëndrimin e tij. Në fillim të vitit 1990 ai ishte shprehur në disa rrethe të ngushta se "gjermanët po bëhen sërish të këqij". Në një takim në 14 nëntor të vitit 1989, 5 ditë pas rënies së Murit të Berlinit, ambasadorët e Francës dhe Britanisë ishin informuar se ndoshta Presidenti francez nuk do të ishte dakord për ribashkimin e Gjermanive. Për sa i përket Theçerit, ajo nuk ia doli mbanë që të përçonte mendimin e saj edhe te të liderët e tjerë dhe si pasojë u izolua. Diplomati francez në Londër shkruan: "Theçer ishte zakonisht e vëmendshme, reflektive dhe luftarake, por më shumë se me fantazi ishte negative. Donte të kishte të drejtë në të gjitha çështjet edhe kur nuk sugjeronte ndonjë zgjidhje. Ishte gjithmonë e bindur se instinkti i saj ishte i drejtë".