E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB tërheq stafin nga Afganistani

Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur dje se do të evakuojnë qindra persona që janë pjesë e stafit të organizatës në Afganistan për shkak të përkeqësimit të situatës në këtë vend. Ky vendim që mund të zgjasë disa javë është një shenjë e keqe për shpresën e stabilizimit të vendit. Zëdhënësi i OKB-së tha se pritet që të largohen nga Afganistani rreth 600 nëpunës të OKB-së. Disa prej tyre nga zonat e rrezikshme të vendit do të sistemohen në zona më të sigurta po brenda tij, ndërsa një pjesë tjetër do të lërë vendin përkohësisht, edhe pse nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë. Ky vendim merret një javë pas vrasjes së 5 personave që ishin staf i OKB-së nga militantët në Kabul. E gjithë situata e komplikon shumë strategjinë e re të kundërsulmit të propozuar në fillim të këtij viti nga Presidenti amerikan, e cila parashikonte një shtesë të personalit civil, si dhe një shtesë shumë të madhe të personelit ushtarak. Obama ende nuk e ka thënë fjalën e fundit në lidhje me dërgimin e 40 mijë trupave amerikanë në Afganistan. Ai ka pritur që situata elektorale të qetësohet dhe qeveria të rinisë funksionin normal të saj, por me sa duket po ndodh e kundërta. Megjithatë, atij i duhet që të marrë një vendim brenda javëve të ardhshme në lidhje me kërkesën e komandantit të tij në Afganistan, i cili i ka kërkuar dhjetëra mijë trupa shtesë për t‘i vendosur në zonat më të rrezikshme dhe më problematike të vendit. Në fakt, forcat amerikane në Afganistan thuajse janë dyfishuar që pas ardhjes së Obamës në Shtëpinë e Bardhë. Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se largimi i një pjese të stafit nuk do të ndikojë në vazhdimin e operacioneve në vend. "Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur që të pakësojmë pasojat negative të këtij largimi", ka bërë të ditur i dërguari i posaçëm i OKB-së në Afganistan. Ai deklaroi se kjo masë merret si pasojë e ngjarjeve tragjike të një jave më parë ku humbën jetën shumë civilë, ushtarë amerikanë dhe 5 veta nga stafi i OKB-së. Ai vazhdoi se stafi do të largohej derisa situata të ishte më e qetë në mënyrë që edhe puna të kryhej siç duhej e jo nën panik e presion. Megjithatë, parashikohet që punonjësit e OKB-së të rikthehen brenda një periudhe njëmujore.
Misioni i Kombeve të Bashkuara ka luajtur një rol kritik në organizimin e zgjedhjeve presidenciale këtë vit dhe agjencitë e OKB-së si UNICEF kanë drejtuar programe në lidhje me shëndetin e fëmijëve dhe shkollimin. Por sulmi i javës së fundit i ka tronditur shumë të gjithë në një situatë që mund të përkeqësohet vazhdimisht. Autobomba ka shpërthyer në një godinë që përdorej nga OKB duke marrë jetën e pjesës më të madhe të stafit që ndodhej aty. Në fakt, kjo ngjarje ka bërë që shumë agjenci të vendosura në Afganistan të shohin mundësinë e largimit të përkohshëm nga një vend që nuk është aspak i sigurt për jetën e stafit. Edhe dy organizata të tjera ndihmash kanë evakuuar një pjesë të stafit dhe ndoshta pas largimit të OKB-së edhe të tjera do të rishikojnë qëndrimin në këtë mjedis aspak të sigurt. Për sa i përket kabinetit të ri qeveritar që do të krijohet nga Karzai, perëndimorët i kanë bërë thirrje që të mos marrë pranë tij njerëz të dyshuar për korrupsion e lidhje me krerët e fiseve, pasi një gjë e tillë do të vështirësonte shumë situatën e marrëdhënieve mes Afganistanit dhe Perëndimorëve e vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›