E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, qeveria "zhduk" 76 milionë USD

Qeveria "Berisha" nuk po mundet të luftojë korrupsionin, edhe pse ka hyrë në mandatin e dytë qeverisës. Abuzimet me pronat publike, shfrytëzimi i postit, ryshfetet e shumta po boshatisin arkën e shtetit, deri në shifra disa dhjetëra milionë dollarë. Gjatë 9 muajve të parë vitit 2009, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer inspektime në disa institucione të ndryshme, duke konstatuar rreth 6.9 miliardë lekë dëme, apo 76 milionë USD. Shkeljet më të mëdha janë shkaktuar në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, në shumën e përgjithshme rreth 3.2 miliardë lekë. Abuzime janë vërejtur edhe në fushën e tatim-taksave, me vlerë 2.3 miliardë lekë, apo në tenderë dhe dogana, në vlera respektive 333 milionë lekë dhe rreth 300 milionë lekë. KLSH-ja, në plot raste, ka evidentuar shkelje që lidhen me shpenzime për paga dhe shpërblime, për taksa të papaguara, në projekte të huaja etj. Për të gjitha janë rekomanduar marrja e masave administrative deri në largim nga puna. Për dosjet e rënda, KLSH-ja kërkoi ndjekje penale për 16 persona, kryesisht në fushën e tatimeve.

Rastet

Për 9-mujorin e vitit 2009, Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga 112 kontrolle të planifikuara, në fakt ka ushtruar dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 185 kontrolle, nga të cilat 125 janë të përfunduar, ndërsa të tjerat janë në proces. Nga kontrollet e ushtruara gjatë kësaj periudhe janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 6 987 672 000 lekësh. "Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2007-2008 dhe 6-mujorit I të vitit 2009, përcaktuar për çdo subjekt të kontrolluar në programet e kontrollit", thekson raporti. Duke i ndarë në kapituj të veçantë, KLSH-ja veçon Ministrinë e Mjedisit, si më problematiken, sa i takon dhënies me qira të pronës shtetërore. "Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ka kryer një dëm në vlerën 538 738 000 lekë, si detyrime ndaj shtetit nga 9 subjekte private për marrjen me qira nga ana e tyre të fondit pyjor prej 23.05 ha për zhvillim turizmi", thotë KLSH-ja. Shkelje të rënda janë konstatuar në Portin e Durrësit, në kompaninë "Albpetrol", Entin Kombëtar të Banesave etj. Në sektorin e taksave, abuzime të konsiderueshme janë kryer në degën tatimore të Durrësit, me rreth 800 milionë lekë dhe Korçës me 580 milionë lekë, "si detyrime tatimore dhe penalitete për tatim-fitim dhe për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, si edhe mosaplikim të gjobave për mosdorëzimin në afat të bilancit financiar". Duke u ndalur të tenderët, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve gjendet në vend të parë nga vlera e shkeljes, me rreth 85 milionë lekë. Edhe doganat nuk mbeten pas, me 300 milionë lekë vjedhje në forma të ndryshme për "detyrime doganore të papaguara nga moszbatimi i procedurave në zhdoganim dhe nga zhdoganimet e autoveturave, si dhe penalitete të pavendosura ndaj subjekteve për diferenca në peshë dhe për mosplotësim të saktë të deklaratës doganore e të dokumentacionit të mbylljes së regjimeve të subjekteve, që operojnë me autorizim për regjimin e përpunimit aktiv". Shkelje të rënda janë konstatuar edhe në paga e shpërblime të padrejta, në vlera qindra milionë lekë. Për të gjitha abuzimet e zbuluara nga KLSH-ja janë paraqitur masat administrative, deri në largim nga puna dhe ndjekje penale.

Shkeljet

Ndjekje penale për 10 tatimorë

Ndër masat më të rënda ndëshkuese të kërkuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është ndjekja penale për 16 zyrtarë të lartë të administratës shtetërore. Prej tyre, 10 janë punonjës të administratës tatimore, të cilët kanë kryer abuzime duke shfrytëzuar funksionin e punës. Kallëzimi penal për tatimorët është bërë në pjesën e parë të vitit, duke ia kaluar për hetim prokurorisë. Pesë prej tyre ishin të degës rajonale Korçë, kurse të tjerët e ushtronin e aktivitetin në Durrës dhe Pogradec. Sipas KLSH-së, personat në fjalë kanë shpërdoruar detyrën, duke shkelur nenin 248 të Kodit Penal. Nga provat materiale, të 10 punonjësit e administratës tatimore i kanë shkaktuar shtetit një dëm që e kapërcente shifrën e 1.6 miliardë lekë. Të tjerë zyrtarë të kallëzuar penalisht punonin në Bashkinë Rrashbull, Durrës, në Luz të Vogël, Kavajë dhe në Drejtorinë e Pyjeve, Lezhës.

Padia

KLSH humb gjyqin me Tatimet

Gjykata e Apelit ka rrëzuar padinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, ndaj një urdhri të drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve që nuk lejonte kontrollin e drejtpërdrejtë që disa inspektorë të KLSH-së kishin ushtruar ndaj biznesit. Urdhri i lëshuar në muajin qershor nga kreu i Tatimeve, ndalonte në mënyrë kategorike përcjelljen e informacionit mbi bilancet e biznesit te KLSH-ja. Këtë urdhër, KLSH-ja e paditi në gjykatë, por e humbi. Lajmin e konfirmoi dje Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, e cila ishte ankuar kohë më parë për abuzime dhe presion të KLSH-së në dëm të biznesit. "Më shumë se 2 muaj më parë, disa inspektorë të KLSH-së ushtruan kontroll dhe mbajtën 105 procesverbale që çuan në penalizimin e padrejtë të biznesit, për detyrime gjatë viteve 2005, 2006, 2007 dhe 2008", thotë Lulzim Keta, përfaqësues i Dhomave. Duke u mbështetur në pikën 1 të nenit 14 të ligjit "Për procedurat tatimore", Drejtoria e Tatimeve nxori një urdhër të brendshëm për të mos lejuar vazhdimin e kontrolleve të tilla nga KLSH-ja, sepse "administrata tatimore është autoriteti i vetëm tatimor ne Republikën e Shqipërisë, çka do të thoshte që asnjë punonjës i KLSH-së apo auditit nuk ka të drejtë të komunikojë apo të verifikojë dokumentacionin dhe mjediset e tatimpaguesve (biznesit). "Po kështu, sipas nenit 25 të ligjit, dokumentacioni dhe informacioni i tatimpaguesve është konfidencial", ishte argumentimi i urdhrit.

Prioritet

Berisha flet për buxhetin

Kryeministri Berisha prezantoi dje para qeverisë dhe medias projektbuxhetin e shtetit për vitin 2010, duke e cilësuar atë buxhetin më ambicioz, që premton realizime të mëdha në të gjitha aspektet. Kryeministri foli për politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve, riorganizimi tërësor i ndihmës ekonomike, mbështetjen e reformave në arsim, shëndetësi, në shtrirjen e shoqërisë së informacionit në kuadër të projektit madhor të Shqipërisë në moshën dixhitale etj. Berisha e vuri theksin te plani i ndërtimit të rrugëve rurale, çështja e mjedisit, nafta D2, prioritetet e mbrojtjes dhe NATO. Pavarësisht të gjithave, kreu i qeverisë preferoi të mos e bënte publik shifrën e buxhetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›