OSSH: Të angazhuar për rezultate të larta
Kompania OSSH deklaroi dje se është e angazhuar të përmirësojë menaxhimin e kompanisë, duke respektuar Kodin e Punës. Qëndrimi i kompanisë lidhet me planin e reformës te punonjësit, të cilët preken nga privatizimi. "Në marrëveshjet e privatizimit me qeverinë shqiptare, OSSH-ja është angazhuar të punojë për përmirësimin e menaxhimit, të ulë humbjet teknike dhe joteknike dhe të përmirësojë rezultatet e saj në mënyrë që të rrisë cilësinë e furnizimit me energji elektrike dhe cilësinë e shërbimeve të tjera të saj për konsumatorët", u shpreh dje shoqëria "CEZ Albania", e cila shton se po punohet për të identifikuar ato fusha ku mund të përmirësohen rezultatet. "Në përpjekjet e veta OSSH ka informuar sindikatat për aktivitete si këto dhe është e angazhuar që të respektojë Kodin shqiptar të Punës, si dhe legjislacionin përkatës", vijonte njoftimi. Pak ditë më parë u mësua plani për largimin nga puna të rreth 400 punonjësve, të cilët prekeshin nga reforma e privatizimit.