E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Himarës, BE dërgon mesazhe ngushëllimi

Tiranë- Ngushëllime për familjarët dhe për shtetin shqiptar mbi tragjedinë e Himarës ku humbën jetën 13 studentë kanë ardhur edhe nga strukturat e Bashkimit Evropian.

Gjatë mesditës së sotme delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, së bashku me Shefat e Misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri kanë shprehur ngushëllime për viktimat dhe kanë uruar për një shërim të shpejtë të plagosurit.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, së bashku me Shefat e Misioneve te Bashkimit Evropian në Shqipëri, dëshirojnë t`u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave të aksidentit rrugor tragjik që ndodhi dje në Himarë. Dëshirojmë t`u shprehim simpatinë tonë më të ndjerë atyre që kanë humbur të dashurit e tyre dhe t`iu urojmë të plagosurve shërim të plotë dhe të shpejtë”- thuhet në deklaratën e ambasadorëve të BE-së në Tiranë.

Ndërsa pasdite Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Durão Barroso, nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit të Republikës ka shprehur edhe ai ngushëllime për viktimat.

“I dashur Z. President, Mësova me trishtim për aksidentin rrugor tragjik i cili ndodhi dje pranë himarës ku humbën jetën 13 veta dhe shumë të tjerë u plagosën. Në emër të Komisionit Evropian dhe në emrin tim personal, më lejoni t’ju përcjell ngushëllimet tona të sinqerta dhe shprehjen e simpatisë sonë më të madhe si dhe solidaritetin me familjet e të gjithë viktimave. Ju lutem pranoni, i dashur Z. president, shprehjen e konsiderates Sime më të lartë,- thuhet në mesazhin e Barroso.

Ndërsa më herët një mesazh ngushëllimi ka dërguar dhe Ambasada e SHBA- së në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›