Shqipëria merr presidencën e KiE
Tiranë- Shqipëria merr sot presidencën e Këshillit të Evropës. Duke filluar nga 23 Maji deri në Nëntor 2012 vendin ynë do të drejtojë Këshillin e Evropës pas 17 vjetësh anëtarësim. Të bashkuar në diversitet është motoja që do të ndjekë gjatë kësaj kohe KiE-ja nën drejtimin e Shqipërisë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka deklaruar se prioriteti i Shqipërisë në krye të Këshillit të Evropës do të jenë çështjet e tolerancës dhe diversitetit.
Një prioritet i vazhdueshëm do të jetë ai i decentralizimit, që përbën në fakt një prioritet të rëndësishëm për Këshillin e Evropës. Në bllokun e dytë do të rendisja ato që presidenca jonë do ti ketë në theks të veçantë. Unë do të nënvizoja çështjet e tolerancës, diversitetit dhe motoja jonë është Të bashkuar në diversitet, për të cilën do të zhvillohen aktivitete të rëndësishme si në Këshillin e Evropës ashtu edhe në Tiranë. Po ashtu presidenca jonë do të vazhdojë të promovojë vlera të tilla të Këshillit të Evropës siç janë dialogu ndëretnik, dialogu ndërfetar dhe dialogu ndërkulturor. Do të promovojë më tej marrëdhëniet në rajon midis fqinjëve, me qëllim që të induktojë sa më shumë vlerat e bashkëpunimit, të tolerancës dhe të integrimit që Shqipëria i ka promovuar vazhdimisht dhe i jepet mundësia për ti promovuar në një pozicion të tillë siç është ai i presidencës së Këshillit të Evropës- ka deklaruar Haxhinasto në një intërvistë për RTK.
Sot që në hyrje të rruges së KiE në Strasburg, ishte vendosur nje baner rreth 10 metra, ku shkruhej: Shqiperia, presidente e KiE. Flamuri shqiptar është vendosur dhe në hollin e KiE. Pas 17 vitesh do drejtojmë një organizate ku anëtare janë dhe Serbia dhe Rusia, etj etj. Ne jemi lideri për 6 muaj. Shpresojmë që vendi ynë të jetë një zë i fuqishëm- ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Eva Kushova.
Shqipëria u bë pjesë e KiE-së më 13 korrik të vitit 1995 teksa Këshilli është themeluar më 5 maj të vitit 1949. Qellimi i tij është bashkimi i shteteve të Evropës dhe pas mandatit të Shqipërisë KiE do të udhëhiqet nga Andora.
Shqipëria merr sot presidencën e Këshillit të Evropës nga Britania e Madhe. Përfqësuesja e vendit tonë në KiE është Margarita Gega, ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë. Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Partia Demokratike përfaqësohet nga Ilir Rusmali dhe Lajla Përnaska kurse Arben Ahmetaj do të përfaqësojë Partinë Socialise, edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi është pjesë e delegacionit.