Përcillet në banesën e fundit 22-vjeçari i vetëvrarë
Partia Socialiste ka ndërprerë dje fushatën elektorale në zonën e Fierit. Në varrim mori pjesë dhe deputeti Gramoz Ruçi
FIER I është dhënë lamtumira e fundit 22-vjeçarit Bardhosh Myrtaj, nga fshati Kreshpan i rrethit Fier, i vetëvrarë mesditën e së hënës me armë zjarri pistoletë. Qindra bashkëqytetarë të tij kanë marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës. Ceremonia, e cila ka nisur dy orë me vonesë për shkak të pritjes së disa të afërmve të viktimës, emigrantë në shtetin fqinj Itali Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe deputetë të Partisë Socialiste rrethi Fier, të kryesuar nga kryetari i grupit parlamentar të partisë socialiste Gramoz Ruçi. Prej mesditës një kortezh i gjatë automjetesh kishin zënë vend pranë varrezave, të cilat ndodhen në hyrje të fshatit Kreshpan, në anë të rrugës nacionale Fier-Cakran. Heshtja ka mbizotëruar te të gjithë, ndërsa askush prej familjarëve dhe të afërmve nuk ka kontaktuar me median që ishte e pranishme në numër, gjatë procesit mortor.
Disa prej familjarëve kanë kontaktuar me gazetarë të shumtë, të interesuar të përcillnin këtë ceremoni, duke kërkuar largimin e medias nga vendi i varrimit si dhe nga ceremonia mortore. Gjithçka është lidhur, sipas tyre, me shqetësimin që po kalon familja si dhe tronditjen e rëndë të të gjithëve pas vrasjes së dytë në familjen Myrtaj. Rreth orës 16. 00 qindra qytetarë në heshtje kanë dërguar në banesën e fundit trupin e pajetë të 22-vjecarit Bardhosh Myrtaj. Ai do të prehet pranë varrit të babait të tij Faik Myrtaj, varr i cili është mbuluar, së bashku me banesën e përjetshme të të birit, me kurora dhe tufa me lule.
Kortezhi më pas është larguar nga varrezat duke lënë enigmë shkakun e vetëvrasjes së Bardhoshit ditën e djeshme. Ngjarja e rëndë tronditi opinionin publik. Edhe Partia Socialiste ndërpreu fushatën e saj elektorale në rrethin Fier. Ishte parashikuar që kryesocialisti Rama të bënte prezantimin e kandidatëve për krerë të njësive të qeverisjes vendore, pasditen e së martës. Por takimi prezantues është shtyrë për një tjetër ditë.
I riu 22-vjeçar Bardhosh Myrtaj vrau veten me një armë zjarri tip pistoletë në vendin e quajtur “Antenat “në fshatin Kreshpan, disa qindra metra larg shtëpisë së tij Ai u gjet nga një prej dajave dhe vëllait të madh në këtë vend, ndërsa policia deklaroi pas hetimeve se i riu ka vrarë veten me një plumb në kokë.