E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armand Duka: Sfidat e mia në vitin 2012

/* */

Dash FRASHËRI-  Presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, Armand Duka, pranoi se viti futbollistik, tha gjatë një interviste eksluzive për gazetën “Telegraf’, se “viti futbollistik 2011 pati suksese, por dhe zhgënjime”. “Janë shumë gjëra që do të më kujtojnë vitin 2011. Vendin e 50-të në botë tek FIFA, humbëm keq me Luksemburgun, Kombëtarja U-17 hyn në Elite Round të Euro 2012 për këtë moshë, U-19 shpalosi profilin e te ardhmes”, - tha Duka. Bosi i FSHF-së, në detyrë nga viti 2002, tha se i parashikon të vështira eliminatoret e Kupës së Botës “Brazil 2014”, por ai pohoi  shpresën “se do të paraqesim vlerat më të mira”. “Kemi një grup skuadrash që përfaqësojnë vende respektivisht te vogla, por me një futboll të zhvilluar. Ëndërroj suksesin”.

Zoti President, në mbyllje të vitit futbollistik 2011. Nëse do të bënit një bilanc përse do ta mbanit mend atë, duke përfshirë dhe investimet në infrastrukturën sportive dhe cilat janë projektet më të afërta të vitit 2012?

Janë shumë gjëra që do të më kujtojnë vitin 2011. Vendin e 50-të në botë tek FIFA, humbëm keq me Luksemburgun, Kombëtarja U-17 hyn në Elite Round të Euro 2012 për këtë moshë, U-19 shpalosi profilin e te ardhmes, emërimi i trajnerëve të rinj të ekipeve kombëtare, ndërtimi dhe rindërtimi i shumë terreneve e stadiumeve, përfundimi i sistemit të ndriçimit në stadiumet kryesore, etj..

Duke u ndalur të “dashuria” juaj për ekipin Kombëtar A, sapo u mbyll fushata kualifikuese e Euro 2012-s, ndërkohë që në prag janë eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”. Si i shihni këto dy ngjarje?

Ajo që mbyll la për të gjithë dy shije. E para, ishte pozitive pasi me rezultatet e arritura u renditëm në vendin e 50-të në ranglistën e FIFA-s, duke vendosur një rekord origjinal, ndërsa e dyta, shije negative, pasi u mundëm nga një ekip i dobët si Luksemburgu. Eliminatoret e Kupës së Botës “Brazil 2014” i parashikoj të vështira, por edhe me shpresën se do të paraqesim vlerat më të mira. Kemi një grup skuadrash që përfaqësojnë vende respektivisht te vogla, por me një futboll të zhvilluar. Ëndërroj suksesin.

Ky vit ka rezultuar shumë pozitiv për kombëtaret e moshave në arenën europiane, U-17 realizoi një kualifikim historik në Elite Round, ndërkohë që U-19 bëri paraqitje dinjitoze në eliminatore. A e konsideroni këtë sukses fryt të strategjisë së FSHF-së për moshat?

Është pa diskutim një strategji e Federatës Shqiptare të Futbollit, për të pasur jo vetëm vëmendje tek ekipet kombëtare të moshave, por edhe përkushtim për to. Emërimi i trajnerëve me një fryme tjetër, krijimi i kushteve për seleksionime e stërvitje objektive, krijimi i mundësive për të zhvilluar turne e takime të shumta ndërkombëtare, krijimi dhe puna e sektorit të talenteve pranë FSHF-së, i cili hulumtoi kudo në Shqipëri dhe Europë çoi në frute të shëndoshë tek U-17 dhe U-19. E ardhmja jonë është mbështetur tek ata.

Në të gjitha ekipet kombëtare patëm ndryshime të trajnerëve, te Kombëtarja u largua Kuzhe dhe erdhi De Biazi, te U-21, Bushati u zëvendësua me Gegën, te U19 patëm rokadën  Shehu-Gega-Strakosha dhe te U-17, Mema-Mustedanagiç. A mendoni se këto zëvendësime do të prodhojnë më shumë cilësi?

Vlerësimi im për trajnerët paraardhës është pozitiv, sepse jo vetëm unë por të gjithë punuam dhe besuam tek vlerat e tyre, por ja që në futboll është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm edhe rinovimi në bankinë për të sjelle në skenën e trajningut profile dhe vlera te reja. Kjo gjë ndodh rëndom në të gjithë botën. Për trajnerët e rinj që sapo janë emëruar unë them se ata i kaluan mjaft mirë provat e tyre te para. Për të ardhmen kam besim tek ta.

Duke u ndalur te kampionati i femrave, aktualisht ndodhemi në të tretin, ndërkohë që kombëtarja e femrave (e drejtuar nga Altin Rraklli) në debutimin ndërkombëtar ka rezultuar e suksesshme me dy fitore me Maqedoninë. Si e shihni të ardhmen e saj?

Në të dyja planet e ndërtimit të kësaj kategorie futbolli, për femra, në veprimtaritë kombëtare dhe ato ndërkombëtare, Federata Shqiptare e Futbollit ka shumë punë përpara. Masivizimi dhe pjesëmarrja e femrës në futboll duhet të ngrihet së bashku me cilësinë, ndërsa puna duhet ndërthurur me suksesin. Kombëtarja ka arritur dy fitore historike te cilat na japin mesazhin e perspektivës në këtë drejtim të rëndësishëm.  
Për herë të parë në Europë, në nivel klubesh, Shqipëria pati të katër skuadrat e saj në turin e dytë, pra 100 për qind të pjesëmarrjes, madje Vllaznia dhe Flamurtari e kaluan me sukses turin e parë. A ka ardhur koha të pretendojmë më shumë?
Që të pretendosh më shumë nuk është asnjëherë mëkat, por që realisht të ngjitesh më shumë kjo kërkon plotësimin e disa apo shumë komponentëve të cilët zënë fill me mentalitetin e fituesit në Kupat e Europës e pastaj me kushtet, ritmet, përvojën etj. Klubet tona i dinë më mirë këto.
Presidenti i FIFA-s, Josep Blater, është vlerësuar si një njeri gjeopolitik, ai i UEFA-s, Mishel Platini, si një revolucionar, në kërkim të shpëtimit të futbollit. Fakti, që futbolli shqiptar nuk është më pronë e klubeve të kryeqytetit, a përkon me vizionin tuaj të gjithëpërfshirjes të gjithë aktorëve dhe klubeve në futboll?

Federata Shqiptare e Futbollit dhe unë si President i saj asnjëherë nuk kemi marrë përsipër të bëjmë dhurata apo të japim pronësi në futboll. Të gjithë dhe gjithçka do të ballafaqohen me ekonominë e tregut në të cilën po jetojmë. Ajo dhe disa kushte të tjera teknike përcaktojne ekipet e elitës, përfshirjen apo gjithpërfshirjen, zhvillimin e futbollit tek në, etj. Jam i vendosur të mbroj realisht meritën.

Viti 2011, përkoi edhe me një organizim të ri të klubeve, në përputhje edhe me kërkesat e UEFA-s, pra në shndërrimin në shoqëri aksionare apo shoqata, si formë juridike e regjistrimit të tyre në kampionatin vendas. Cili është impakti i pritshëm?

Impakti i parë është pozitiv sepse brenda këtyre shoqërive të gjithë janë munduar, madje kanë arritur të gjejnë pozicionin e tyre real i cili sigurisht do t’i shërbejë më shumë futbollit dhe sigurisë rreth tij.

Një dukuri pozitive është edhe krijimi i Komitetit të Arbitrimit, ku brenda tij janë tre komisione: i Caktimit të Arbitrave, i Vëzhguesve si dhe Komisioni i Meritës dhe Vlerësimit. A mendoni se kjo e ka përmirësuar nivelin dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve, përtej ndonjë kontestimi?

Kjo gjë ka përmirësuar organizimin e këtij sektori të ndjeshëm dhe të rëndësishëm. Tanimë dihet se caktimi ose emërimi, vëzhgimi apo kontrolli, merita apo vlerësimi bëhen nga njerëz kompetente e me kolegjialitet të pavarur.

FSHF-ja ka futur edhe sistemin elektronik, ku delegatët, vëzhguesit e ndeshjeve, gjyqtarët, pra gjithë zyrtarët e ndeshjes do të hedhin online të dhënat mbi ndeshjet, formacionet, zëvendësimet, golat, kartonët, por dhe të gjitha ngjarjet që ndodhin gjatë një takimi. Sa do ta ndihmojë kjo në transparencën e garës?
Kjo ka ndikuar në transparencën e garës sepse u bënë disa muaj që po aplikohet me sukses. Projekti i drejtuar nga FIFA dhe i zbatuar nga një kompani kroate tashmë është shtrire në të gjithë sistemin e veprimtarive tona kombëtare.
Komisioni i Disiplinës, si një organ pranë FSHF-së, ka dhënë dënime të ashpra, por brenda rregullores, duke ndëshkuar si kurrë më parë dy skuadra me zbritje pikësh, Laçin me – 6 pikë dhe Pogradecin me – 3 pikë, për shkak të dhunës ndaj gjyqtarëve, ndërkohë që tre skuadra, Laçi, Tomori dhe Pogradeci, disa ndeshje i kanë zhvilluar apo do t’i zhvillojnë në fushë asnjanës dhe pa shikuese. Sa kanë ndikuar këto masa, për të pasur një klimë më të qetë gjatë lojës?
Ne të gjithë bashke, këtu përfshihen edhe këto klube që ju përmendët, kemi aprovuar disa rregullore mbi të cilat ndërtohet zhvillimi i kampionateve. Po së bashku kemi votuar krijimin e Komisioneve të pavarura të cilat do të shprehen juridikisht dhe konkretisht për cënuesit e rregullave. Kur ne jemi së bashku gjithandej mendoj se kjo do të ndikojë për një klimë më të qetë në të ardhmen.  
Ky sezon ka parë tre raste dënimesh të presidentëve të të skuadrave. Kështu, donatori i Tiranës, Refik Halili dhe presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, dhe presidenti i Laçit, Pashk Laskaj, u pezulluan për të mos e ndjekur ekipin e tyre për disa ndeshje. Me pezullim u dënua edhe qytetari (deputet) Dashnor Sula. A është ky një mesazh i drejtpërdrejtë, ndaj të ashtuquajturit fenomen që vjen nga tribuna “VIP”?

Rregullorja është e shkruar për të gjithë njësoj dhe nuk bën përjashtim edhe atëherë kur shkelja vjen nga Tribuna “VIP”.

Duke u rikthyer në kohë. Ju jeni presidenti i FSHF-së, që nga viti 2002, duke shënuar gati një dekadë në krye të futbollit shqiptar. A përkon realiteti i sotëm, me atë vizion që keni pasur në strategjinë tuaj?

Kam ëndërruar dhe vazhdoj ta bëj ende këtë gjë për pjesëmarrjen e Kombëtares në një kompeticion Europian apo Botëror. Thonë se ka  ëndrra që bëhen realitet.

Ju jeni prej dhjetë vjetësh një anëtar i disa prej organizmave të larta të UEFA-s, madje keni kontribuar direkt edhe me iniciativa personale në përfshirjen ndërkombëtare të Kosovës, si në forumet e FIFA-s, ashtu dhe në ato të UEFA-s. A mund të na flisni më shumë për rolin tuaj në selinë europiane të Futbollit?

Unë jam anëtar i dy Komisioneve, në FIFA, në Komisionin e Federatave Kombëtare dhe, në UEFA, në Komisionin e Kompeticioneve te Ekipeve Kombëtare. Jo vetëm fakti i të qenit anëtar në këto dy forume por mbi të gjitha marrëdhëniet e shkëlqyera të krijuara në këto dy institucione të larta te futbollit ndërkombëtar kanë rritur lart prestigjin e Federatës dhe futbollit tonë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›