Armand Duka: Vendimi ekstrem, për faj të Ministrisë së Sporteve
Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka akuzuar në mënyrë direkte Ministrinë e Sporteve (MTKRS), si fajtoren kryesore për pezullimin e Shqipërisë. Drejtuesi më i lartë i sportit të top-këmbës në vend ka sqaruar se masa ekstreme erdhi pasi pala qeveritare nuk reagoi pas ultimatumit të datës 21 shkurt. "Vendimi i pezullimit të FSHF-së nga ekzekutivi i FIFA-s, nuk është se lë detyra për FSHF-në dhe nuk ka ardhur si rrjedhojë e mosplotësimit të kërkesave nga institucioni ynë", deklaroi Duka. "Ai (pezullimi) ka ardhur nga Ministria e Sporteve, si pasojë e një ultimatumi të datës 21 shkurt, për të plotësuar disa gjëra në lidhje me zhvillimin e futbollit shqiptar, të cilat nuk u realizuan asnjëherë. Për t‘ua rikujtuar, ai vendim kërkon firmosjen e statutit të FSHF-së dhe regjistrimin e tij në gjykatë, gjë që nuk ka ndodhur sot e kësaj dite. Kjo, pasi ministri ka firmosur statutin, por me vërejtje, ndërsa ne jemi ende në gjyq me MTKRS, ku ajo ka kërkuar çregjistrimin e statutit të FSHF-së dhe nuk e ka tërhequr ende këtë kërkesë për gjyq. Kusht tjetër i vendosur nga FIFA ishte që ministri të jepte direkt argumente për akuzat që ka dhënë në drejtim të institucionit të futbollit për trukim rezultatesh, gjë të cilën nuk e ka dhënë dhe nuk është tërhequr nga këto akuza. E treta është që shteti duhej t‘i thoshte ‘stop‘ kontrolleve të paligjshme në FSHF, gjë e cila përsëri nuk është bërë. Pas shumë negociatash ndërmjet FIFA-s, UEFA-s dhe ministrisë, nuk janë realizuar këto kushte dhe është arritur te ky vendim ekstrem, i cili mendoj se është një ngjarje shumë negative për futbollin shqiptar në përgjithësi". Kreu i Federatës shpreson që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejtë: "Unë uroj që ne të kthehemi sa më shpejt në familjen botërore të futbollit, ministria duhet ta kuptojë që kjo nuk është një lojë fjalësh, por janë detyra për t‘u realizuar. Të kuptojë që duhet të respektojë një pavarësi reale të FSHF-së, të mos nxjerrë një letër me justifikime, por të jenë të bindur që duhet të veprojë kështu. Është pothuajse utopi të luash futboll vetëm në shtëpi".