E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushati: Po shkatërrojnë shanset tona

Trajneri i përfaqësueses U21, Artan Bushati, ka reaguar ashpër pas vendimit për pezullimin e Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare. Kombëtarja Shpresa duhej të luante më datë 26 mars ndeshjen e saj zyrtare ndaj Greqisë për EURO 2009, por pas këtij vendimi, ndeshja pritet t‘i kalohet 3-0 në tavolinë ekipit grek, pasi Shqipëria është e pezulluar. "Kombëtarja që unë drejtoj është më e penalizuara nga vendimi i pezullimit, pasi dihet që ne duhej të luanim ndeshjen me Greqinë, për të cilën ishin bërë të gjitha përgatitjet, prerë biletat e futbollistëve që luajnë jashtë dhe ishin rezervuar hotelet, si për kombëtaren tonë, por edhe atë greke. Në këtë situatë, duket i pamundur zhvillimi i ndeshjes, që hedh në erë plotësisht punën njëvjeçare që është bërë me këtë kombëtare, e cila ka ende shanse për kualifikimin në EURO 2009. Përfaqësuesja Shpresa ka një grup lojtarësh me shumë vlera, por veprime të papërgjegjshme të personave që kanë "antivlera" po i dëmtojnë këta futbollistë që janë e ardhmja e futbollit shqiptar. Them "antivlera", pasi përjashtimi ka ardhur pas vendimeve në dëm të futbollit shqiptar, duke i hequr mundësinë përfaqësueses që unë drejtoj të tregojë vlerat e saj dhe të kërkojë realizimin e një kualifikimi që i mungon prej shumë vitesh Shqipërisë. Ky brez futbollistësh është ndër më të mirët që ka pasur kombëtarja Shpresa në vitet e fundit dhe është për të ardhur keq që këto vlera nuk respektohen nga persona të caktuar, ashtu si i gjithë futbolli shqiptar", deklaroi për "Shqip" trajneri i Shpresave, Artan Bushati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›