6 muaj pezullim Devollit: Dënimi është absurd
Komisioni i Disiplinës pezullon me gjashtë muaj nga çdo lloj aktiviteti futbollistik mesfushorin Bledar Devolli. Lojtari i Partizanit është ndëshkuar pas ngjarjeve të shëmtuara në fund të derbit Partizani-Dinamo, i vlefshëm për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë (ndeshja e kthimit përfundoi në barazim pa gola dhe blutë u kualifikuan falë fitores 3-1 në sfidën e parë). Fillimisht gjirokastriti është përfshirë në sherrin masiv me grushte dhe shkelma që u shkaktua pas një debati të Pinarit me Vinsetiç, ndërsa më pas ai ka goditur me grusht dhe ofenduar teknikun e Dinamos, Ilir Daja. "Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, i mbajtur për problemet e konstatuara në ndeshjen Partizani-Dinamo, të vlefshme për Kupën e Republikës, pasi shqyrtoi dokumentacionin e takimit dhe pamjet filmike, vendosi që të pezullojë lojtarin e Partizanit, Bledar Devolli, për goditje me grusht të lojtarit dhe trajnerit", citohej në vendimin e Disiplinorit. "Duke marrë në konsideratë pendimin e lojtarit dhe kërkesën e tij për falje, u vendos që Devolli të dënohet me gjashtë muaj pezullim dhe 100 mijë lekë të reja gjobë". Pezullim ka pasur edhe për lojtarin e Dinamos, Bekim Kuli, i cili nuk do të luajë për katër ndeshje dhe duhet të paguajë 100 mijë lekë të reja gjobë.
Dënimi i gjatë nuk është pritur aspak mirë nga Bledar Devolli. Mesfushori tha: "Ky dënim është absurd. Nuk e kuptoj përse më kanë dënuar me gjashtë muaj pezullim. Jam tejet i mërzitur për vendimin e Komisionit të Disiplinës". Më tej ai ka ironizuar: "Megjithatë, them shyqyr që nuk më futën në burg, sepse me këto komisione që ka në Shqipëri, gjithçka mund të ndodhë". Nga klubi i kuq kanë bërë të ditur se nuk do ta apelojnë dënimin, pasi janë të bindur se pezullimi i Devollit nuk do të ulet. Madje, në radhët e Partizanit janë të bindur se dënimi është tendencioz dhe ai synon të shkatërrojë ecurinë e skuadrës. "Presidenti Xhani dhe drejtuesit e tjerë janë të bindur se dënimi 6-mujor i Devollit është bërë me qëllimin për të shkatërruar Partizanin, ka pohuar një burim pranë klubit. Ata kanë vendosur të mos e apelojnë vendimin, sepse janë të bindur që nuk do të ketë asnjë ulje".