Skandali, Teikseira hetohet për pastrim parash
Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit akuzohet se ka përfituar 9.5 milionë dollarë
Skandali për korrupsion në radhët e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, vazhdon të thellohet. Tani në qendër të ciklonit është një tjetër emër i rëndësishëm i qeverisë botërore të futbollit: Rikardo Teikseira, president i Federatës Braziliane të Futbollit, në dëm të të cilit ka nisur një hetim për korrupsion dhe pastrim parash. Në lidhje me këtë çështje është thirrur në një seancë dëgjimore gazetari i BBC Endrju Xhenings, i cili ka dëshmuar përpara Senatit Brazilian se ka prova të forta për përfshirjen e Teikseiras në një rrjet pastrimi parash nëpërmjet një kompanie marketingu që punonte me FIFA-n, por që tani ka falimentuar. Jo vetëm kaq, pasi sipas gazetarit, i cili bëri publik lajmin në një nga emisionet investigative të rrjetit britanik, numri një i futbollit brazilian ka organizuar një rrjet korruptiv në shitjen e biletave të Botërorit 2010. Për të gjitha këto, Rikardo Tekseira ka përfituar më shumë 9.5 milionë dollarë. Vetë presidenti i federatës braziliane ka mohuar çdo akuzë, por nisja e hetimeve në dëm të tij ka thelluar akoma më tej skandalin në të cilin FIFA është përfshirë prej muajsh. Po ashtu, një goditje të rëndë ka marrë dhe Botërori 2014 i cili do të zhvillohet në Brazil, ku Teikseira është presidenti i Komitetit Organizativ të kompeticionit më të madh të futbollit botëror.