Levi beson te maja e tabelës
Stanislav Levi, çeku i ardhur në Korçë për të përmirësuar problemet dhe ngërçin që po përjeton ky ekip, megjithëse ka vetëm dy javë në krye të kësaj skuadre, mendon se ka mundur të evidentojë problemet që duhen ndrequr. Në fakt Levi ka filluar të flasë pa doreza për ambientin korçar, por dhe se çfarë po bën për të shkuar drejt kreut. “Ndeshjet e shumta nuk na lejojnë një proces më të gjatë stërvitor që ekipi e ka shumë të nevojshëm. Sigurisht që ne punojmë dhe të gjitha këto përpjekje i bëjmë për t’iu afruar kreut, ose e shprehur ndryshe që të jemi kryesues. Sigurisht na duhet të punojmë me ketë element që kemi gjetur në ekip. Nga momenti i parë që kam marrë drejtimin e Skënderbeut, bashkë me stafin tim po bëjmë të gjitha përpjekjet për të riparuar mangësitë që ka realisht në ekip. Ne përpiqemi gjithashtu që lojtarët të jenë gjatë gjithë kohës prezentë në zonë në lojë. Ne kemi bërë padyshim ndryshime në grup edhe për atë se disa lojtarë kanë pasur probleme dhe nuk kemi preferuar t’i rrezikojmë”, është shprehur për gazetën trajneri çek i bardhekuqve. Levi e ka një merak se mungesa e kohës është ajo që mund ta pengojë të bëjë edhe më shumë gjëra për këtë Skënderbe, ndërsa tanimë e ka kaluar fazën e njohjes me të gjithë dhe është duke identifikuar lehtë të gjithë lojtarët dhe rolin që kanë ata në fushën e blertë. Trajneri shprehet se për të pak rëndësi ka mosha e lojtarit, pasi për të e rëndësishme është vlera dhe kualiteti që ka lojtari dhe ajo që jep në fushën e lojës. Vetëm kjo do të bëjë diferencimet nga të tjerët, ndaj në ekip duket se bashke me periudhën çeke të nisë dhe një garë e fortë mes të gjithë futbollistëve për të pasur të garantuar një vend titullari në grup, gjë që ka rezultuar se nuk është aspak e lehtë dhe për ata që deri pak kohë më parë ishin tërësisht të sigurt si titullarë të padiskutueshëm.
Irena Vreto