Presidenti Topi dekoron Tasen dhe Ukën
Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, nderoi dje me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” dy emra të shquar të volejbollit shqiptar ndër vite, Ela Tase dhe Shaban Uka, lojtarë, të cilët me lojën e tyre tek ekipi i Dinamos, e veçanërisht me përfaqësimin dinjitoz në ndeshjet ndërkombëtare, ngritën peshë zemrat e sportdashësve shqiptarë. Në ceremoninë e dekorimit të organizuar me këtë rast në mjediset e Presidencës, ishin të pranishëm drejtues të Federatës Shqiptare të Volejbollit, personalitete të shquara të sportit shqiptar, trajnerë, volejbollistë, miq, familjarë dhe kolegë të sportistëve të dekoruar. Presidenti Topi i dorëzoi medaljen e lartë Ela Tases dhe Shaban Ukas në shenjë vlerësimi dhe respekti të thellë për vlerat e paraqitura në sportin e volejbollit, si lojtarë, trajnerë dhe specialistë të mirënjohur e me kontribute të jashtëzakonshme.