E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvin Murati: Votoj për Besnik Hasin

/* */

Dash FRASHËRI  -  Vetëm pak orë kanë mbetur nga afati i vendosur nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, për të njohur zyrtarisht emrin e trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare. Dy emrat e fundit të mbetur në listë janë kosovari Besnik Hasi dhe slloveni Matjazh Kek, por me ish-lojtarin e kuqezinjve si kandidaturën më të fortë për të pasuar në bankinë Josip Kuzhenë.

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Edvin Murati, 35 vjeç, (67 ndeshje/4 gola) deklaroi për gazetën “Telegraf” se ai vetë “voton” Besnik Hasin.

“Për mendimin tim, Besnik Hasi është një kandidat perfekt, dhe për më tepër një njeri i përkushtuar. E njeh mirë ambientin e Kombëtares sonë dhe kjo do të thotë shumë për një njeri që merr përsipër atë detyrë”, - tha Murati, autor i katër golave me kuqezinjtë, ato me Azerbajxhanin, Finlandës, Zvicrës, e ku kulmon goli në fitoren 2-1 ndaj kampionëve në fuqi të Europës, Greqisë, më 4 shtator 2004. “Është një nga ndeshjet kulm të miat”, - tha për gazetën “Telegraf”, Edvin Murati. I mbiquajturi “Maradona i Ballkanit”, ishte pjesë e Paris Sën Zhermenit në sezonin 1994-1995. U huazua më pas te Shatoru e kategorisë së dytë (1995-1996). Rikthehet sërish te Paris Sën Zhermeni si lojtar profesionist. Karrierën e vazhdoi në Gjermani, te Fortuna Dyseldorf (1998-1999), ku luajti edhe me Igli Taren. Një rikthim i tretë të Paris Sën Zhermeni (1999-2000) dhe më pas dy sezone me Lilën (2000-2002). Me Iraklisin e Selanikut luajti katër sezone (2002-2006), për ta mbyllur karrierën te Panserraikosi (2007-2008) i kategorisë së dytë greke.
 

Edvin Murati, tashmë jemi në pritje të emërimit të trajnerit të ri të Kombëtares, pas largimit të Josip Kuzhesë. Në pjatë janë dy kandidaturat e fundit, Besnik Hasi dhe slloveni Matjazh Kek. Cili është vlerësimi juaj, si një nga ish-futbollistët më të njohur të përfaqësueses?

Sigurisht, do të më vinte shumë mirë, që Besnik Hasi të merrte drejtimin e Kombëtares, pavarësisht se këtë të drejtë ekskluzive e gëzon Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. Për mendimin tim, Besnik Hasi është një kandidat perfekt, dhe për më tepër një njeri i përkushtuar.

Çfarë do të vlerësonit te Hasi?

Është një profesionist i vërtetë dhe ka një eksperiencë tashmë 3-vjeçare në Belgjikë, te një klub i njohur siç është Anderlehti. Për më tepër që ka një karrierë të gjatë 20-vjeçare si futbollist në Kroaci, Gjermani, Belgjikë, etj. E njeh mirë ambientin e Kombëtares sonë dhe kjo do të thotë shumë. Është i respektuar nga ata me të cilët ka luajtur, përfshirë dhe mua, si dhë gëzon të njëjtin vlerësim edhe të tjerët.

Murati, ju keni luajtur së bashku me Besnik Hasin, gjatë periudhës 2000-2007, kur të dy keni qenë në urdhrat e Dosenës, Brigelit dhe Bariçit. Sa mund të ndikojë Besniku në krijimin e frymës së grupit?

Unë mendoj se Hasi është personi i duhur për të risjellë frymën e një ekipi që punon për një qëllim, jo se ka munguar, por fakti se Besniku është shqiptar do të thotë shumë dhe për mirëkuptimin e grupit. Ne nuk kemi talente, nuk është se kemi një Lionel Mesi. Ju e shikoni, se dhe Mesi nuk e bën do të diferencën te Argjentina, ndërkohë që te Barcelona ai është një gjeni.

Pas nëntë vitesh, nga 2002-shi, dhe pas pesë trajnerëve të huaj (Dosena, Brigel, Bariç, Han dhe Kuzhe), pritet të kemi një shqiptar në krye të Kombëtares. A besoni se ja vlen ky rikthim në identitet?

E vlerësoj si një ide shumë të mirë që Hasi të jetë në krye të Kombëtares. Për më tepër ai është dhe një urë lidhëse shumë e fortë midis lojtarëve shqiptarë dhe atyre kosovarë. Lidhen akoma më shumë me njëri-tjetrin. Është një ide, shumë, shumë e bukur.

Edvin, ditët e fundit janë kryer edhe emërimet e reja në drejtimin e kombëtareve të moshave: Gega te U-21 dhe Strakosha te U-19. Dy ish-lojtarë të tjerë të Kombëtares. Si e vlerësoni këtë strategji të re të presidentit Duka?

Sigurisht, që e vlerësoj si një sinjal të mirë dhe jam i bindur se do të japë frytet e veta. Janë që të dy lojtarë me emër në radhët e Kombëtares, dhe për më tepër kanë qenë kampionë si lojtarë, me klube si Partizani dhe Dinamo. Besoj se Skënder Gega do të bëjë një punë të mirë. Të njëjtën gjë, mund ta pohoj edhe për Foto Strakoshën, pasi ai i njeh shumë nga lojtarët, për më tepër që nuk do t’i mungojë konsulenca e Gegës, prej të cilit mori edhe ekipin U-19. Të dy gëzojnë një imazh shumë të mirë. Punojnë shumë dhe janë të respektueshëm. Janë profesionistë.

Shqipëria ka arritur sukses të rëndësishëm me Kombëtaren U-17, duke kaluar në turin e dytë të Kampionatit Europian të kësaj moshe. Në pritje të kalimit të turit është dhe U-19. Si do ta gjykonit?

Kjo tregon se Kombëtarja ka të ardhme. Duke e marrë seriozisht me moshat, këta djem që sot janë nga 17 vjeç, nesër do të luajnë me ekipin përfaqësues. Është një strategji që na ka munguar prej kohësh dhe unë jam i bindur te suksesi.

Murati, ju vetë jeni produkt i një pune të madhe të kryer te ekipi i moshave të Paris Sën Zhermenit, ndërkohë që keni luajtur në Francë, Gjermani dhe Greqi. Çfarë do t’u rekomandonit lojtarëve të rinj?

Duhet një punë e madhe. Të gjithë e shohin atë që po bën Barcelona tani, por ajo i ka rrënjët 30 vjet më parë. Johan Krujfi u dha taktikën kësaj Barcelone, që luan dhe sot e kësaj dite me atë taktikë. Edhe me Kombëtaren tonë kështu duhet, duhet punuar me projekte afatgjata. Këta djem të rinj, duke luajtur bashkë 4-5 vjet, do ta kenë më të lehtë kur do të luajnë me ekipin Kombëtar. Do ta njohin lojën e njëri-tjetrit symbyllazi, ashtu siç ishim dhe ne, në kohën e Brigelit, kur luanim Lala, Skela, Hasi, Tare, unë, etj.

KANDIDATËT
 
Italiani Fabro, i vetë ofrohet Kombëtares
 
Italiani Enriko Fabro i është vetofruar Federatës Shqiptare për të qenë ai trajneri i ri i Kombëtares sonë. Janë mediat italiane që e japin lajmin, duke theksuar se sponsori i tij është Igli Tare. Të dy e njohin mirë njëri-tjetrin, pasi Fabro është trajneri i të rinjve të Lacios. Trajneri roman, i cili ka një eksperiencë edhe në Algjeri, nën drejtimin e Mouloudia, dhe që ka qenë afër Dinamos së Tiranës dhe përfaqësueses së Zambias. Portali italian, Sportal.it, veçon faktin se Enriko Fabro, ka një sponsorë të shkëlqyer, ish-kapitenin e Kombëtares me shqiponjën me dy kokë, Igli Taren, krahun e djathtë të presidentit Klaudio Lotito, e që e vlerëson në mënyrë rë veçantë Fabron, me të cilin bashkëpunon prej një kohe të gjat te Lacio, ku Enriko ka qenë në krye të një skaudre të rinjsh deri verën e shkuar.
 
 
Kek, në pritje të përgjigjes së Dukës

Ish-trajneri i Sllovenisë, Matjazh Kek, synon drejtimin e Kombëtares shqiptare. Në më shumë se një rast, mediat e vendit të tij kanë investuar në kandidaturën e tij, duke ofruar madje edhe opinione të ish-lojtarit të njohur beratas, Kliton Bozgos, e që jeton prej vitesh në Slloveni. Bozgo, i cili mund të marrë postin e zëvendëstrajnerit, edhe për shkak të gjuhës sllovene që zotëron, ka luajtur me Kekun te Maribori dhe e ka vlerësuar si një kandidaturë të përshtatshme për Shqipërinë. Kombëtarja jonë dhe Sllovenia janë shortuar në grupin e eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”, dhe nëse Kek do të merrte drejtimin e Shqipërisë atëherë ai do të luante dy ndeshje kundër vendit të tij, çka do ta bënte shumë më intriguese detyrën e tij. Kek ka arritur ta çojë Slloveninë në “Afrika e Jugut 2010”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›