Armatimi i vjetër, Imami: Kanë mbetur edhe 45 mijë ton
Shkatërrimi i plotë i armatimit të vjetër pritet të mbyllet brenda vitit 2013. Ambasadori Arvizu: Ndihmuam Shqipërinë të çlirohet nga peshat e rënda të komunizmit
Shqipëria mund të përfundojë tërësisht shkatërrimin e armatimit të vjetër brenda vitit 2013. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami deklaroi dje në një konferencë me donatorët, se kanë mbetur edhe vetëm 45 mijë ton municione për t’u demontuar. Drejtuesit e ushtrisë bënë të ditur se dy vitet e fundit shkatërruan rreth 45 mijë ton armë e municione të tepërta dhe dy vitet e ardhshme do të shkatërrojnë edhe 45 mijë tonët e fundit. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, thotë se Shqipëria po lë prapa periudhën e errët komuniste me armë të tepërta dhe të pasigurta, duke u afruar përherë e më shumë me standardet e Aleancës. “Së bashku me SHBA-në, kemi tani një program që po funksionon, një program i cili premton të japë frytet në një kohë të përcaktuar qartë. Kemi edhe mjaft punë për të bërë. Tani janë tepër dhe duhet të asgjësohen rreth 45 mijë ton municione, mijëra artikuj të ndryshëm që nga armatimet e artilerisë, tanke, materiale të ndryshme, deri tek gjilpërat”, - tha ai. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, tha se regjimi komunist mblodhi mijëra armë të rrezikshme kundër armiqve që nuk ekzistonin. Tani të gjithë kanë një detyrim të madh që ta ndihmojnë Shqipërinë që të çlirohet nga këto pesha të rënda të diktaturës komuniste, për të pasur një të ardhme më të mirë. “Para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit, në mars 2008, SHBA dha 8, 5 milionë dollarë për të shkatërruar minat dhe armët e lehta. Qysh nga ajo kohë, SHBA dha fonde të shumta dhe ekspertë për të pastruar gjithë territorin nga mbeturinat e rrezikshme që u përhapën në gjithë territorin e Gërdecit. Edhe një javë më parë, me ministrin Imami nënshkruam edhe një grant tjetër për pastrimin e Gërdecit dhe zona të tjera me ndotje rreth e qark Shqipërisë”, - tha ai. Ambasadori amerikan, Arvizu tha se Shqipëria është mbështetje kryesore për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon. “Shqipëria është një anëtar krenar i NATO-s. Asgjësimi i këtyre armëve është i rëndësishëm për të shmangur aksidentet, për të shmangur rrezikun e terrorizmit dhe kriminalitetit”, - tha zoti Arvizu. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, pjesëtar i komisionit parlamentar të Ligjeve, thotë se ushtria ka bërë një punë të mirë për demontimin dhe uljen e stokut të armëve, një punë kjo e nisur qysh në vitin 2000. Socialistët mendojnë se siguria në disa fabrika demontimi është jashtë standardeve, prandaj kanë kërkuar vazhdimisht të rritet shkalla e sigurisë në bazat ku armatimi zbërthehet, ku shpesh kanë humbur jetën punonjës civilë dhe ushtarakë, në mënyrë që të mos përsëriten tragjedi si ajo e Gërdecit. Zoti Gjoni shprehet se opozita ka dyshime dhe po heton raste abuzimesh me stokun gjigant të metaleve të rralla dhe lëndëve të tjera ushtarake pas demontimit.