Arrestohet kosovari i kërkuar nëAmerikë për trafik njerëzish
Hektor Kelmendi, 53 vjeç, pasditen e djeshme ka tentuar të futet në Shqipëri nga dogana e Morinës, por në sistemin TIMS ka rezultuar person i shpallur në kërkim
KUKËS Ishte shpallur në kërkim afro një vit më parë nga një gjykatë amerikane dhe vetëm dje është vënë në pranga në kufirin shqiptaro-kosovar, teksa ka qenë duke tentuar që të hynte në vendin tonë. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Kukësit, mësohet se pasditen e djeshme është arrestuar Hektor Kelmendi, alias Deme Nikqi, 53 vjeç, lindur në Pejë të Kosovës dhe i pajisur me pasaportë serbe.
Arrestimi
Burime nga policia e Kukësit bëjnë me dije se pasditen e djeshme rreth orës 16.00 53-vjeçari kosovar ka dashur të futej nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, duke përdorur pikën e kalimit kufitar të Morinës. I shumëkërkuari dyshohet se ka zgjedhur Shqipërinë për të kaluar më pas drejt Italisë, duke përfituar dhe nga fakti se posedonte një pasaportë serbe. Por tentativa e tij ka dështuar. Nga verifikimi në sistemin e kërkimit të Interpolit, si dhe nga verifikimet e kryera nga Drejtoria e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar me autoritetet amerikane Kelmendi rezultoi i kërkuar në nivel ndërkombëtar. Emri i tij figuronte te lista e personave më të kërkuar nga Shërbimet e Emigracionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi akuzohej për një sërë veprash penale. Kosovari 53-vjeçar ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Washington, pasi mbi të rëndojnë një sërë akuzash për kryerjen e krimeve shumë të rënda, si organizim të emigracionit ilegal, plagosje me pasojë vdekjen, gjymtim dhe vrasje, si dhe organizim të trafikut të qenieve njerëzore.
Vendimi
Sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar nga drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit, mësohet se Kelmendi ishte shpallur në kërkim afro një vit e gjysmë më parë.
Gjykata e Rajonit Lindor të New York-ut me datë 19 maj 2010 ka lëshuar urdhrin e arrestit për 53-vjeçarin, për veprat penale të “nxitjen e të huajve për të hyrë në territorin amerikan me pasojë vdekje” e kryer një herë; “nxitje ndaj një të huaji për të hyrë në territorin amerikan, duke shkaktuar dëmtime të rënda trupore dhe vënien në rrezik të jetës”, e kryer 3 herë; “kontrabandë të huajsh”, e kryer 13 herë; “nxitjen e të huajve për të hyrë në territorin amerikan”, e kryer 10 herë; “konspiracion për të sjellë të huaj në territorin amerikan”, e kryer 1 herë. Të gjitha materialet procedurale të arrestimit të tij, me qëllim më pas ekstradimin e kosovarit në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kanë kaluar Prokurorisë së Përgjithshme, e cila do ta ndjekë në vazhdimësi këtë procedurë.
Akuzat
- Organizim të emigracionit ilegal
- Plagosje me pasojë vdekjen, gjymtim dhe vrasje
- Organizim të trafikut të qenieve njerëzore