E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër instruktorë nën akuzë për rrjetin e korrupsionit me patentat

SHKRUAN: Habjon Hasani 05-10-2011 14:13

Nëse i drejtohesh njerëzve të duhur, mund ta sigurosh një patentë edhe për 24 orë. Policia e Tiranës, në bashkëpunim me njësinë e Task Forcës në prokurori kanë çuar në gjykatë katër shtetas, të cilët siguronin leje drejtimi për automjetet në kohë rekord, kundrejt pagesës. Qemal Musta, 49 vjeç, Trëndafil Taho, 54 vjeç, Zenel Shera, 63 vjeç dhe Nesti Xhurgjaj, 62 vjeç, janë katër instruktorë të një autoshkolle, që policia i akuzon se në bashkëpunim u siguronin aplikantëve patenta, pa qenë nevoja të kryenin kursin e autoshkollës, si dhe duke garantuar marrjen e provimit në testin teorik dhe atë praktik, kundrejt një pagese ekstra që shkonte nga 30-40 mijë lekë të reja për person. Nga hetimet e deritanishme rezulton se nëse një aplikant i dorëzonte këtyre instruktorëve shumën e 80 mijë lekëve të reja, mund ta siguronte në kohë rekord dhe pa probleme lejen e drejtimit. “Seksioni kundër Krimit Ekonomik Financiar, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Instruktori’ ka bërë të mundur zbulimin, dokumentimin dhe goditjen e një grupi kriminal që kryente veprime të kundërligjshme pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Tiranë, me synim pajisjen e shtetasve me dëshmi aftësie për drejtim automjeti, kundrejt një shume parash”, - bëri me dije zëdhënësja e policisë së Tiranës. Falë një hetimi 9-mujor, i realizuar me metoda speciale të hetimit, u arrit të zbulohej kjo veprimtari e cilësuar si akt korrupsioni nga policia e Tiranës. Pas përfundimit të këtij hetimi, ditën e hënë Prokuroria e Tiranës ka dërguar në Gjykatën e Shkallës Parë Tiranë kërkesën për masën e sigurimit personal në ngarkim të katër instruktorëve. “Këta shtetas dyshohet se kryenin veprimtari të kundërligjshme, duke u kërkuar dhe marrë para shtetasve të ndryshëm, me qëllim marrjen e testimit të provimit të teorisë dhe praktikës, dhe më pas pajisjen e tyre me dëshmi aftësie për drejtim automjeti, kundrejt përfitimit të shumës së parave që varionte nga 30 mijë deri 40 mijë lekë të reja”, - njoftoi dje policia e Tiranës. Nga ana tjetër, në kuadër të shtrirjes në kohë dhe në terren të këtij operacioni, në bashkëpunim me njësinë Task Forcë pranë Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë, aktualisht po punohet më tej në drejtim të dokumentimit të autorëve të tjerë, në këtë veprimtari të kundërligjshme, të dyshuar si punonjës të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Tiranë, të cilët dyshohet se kanë qenë punonjësit shtetërorë të kësaj drejtorie që kanë bashkëpunuar me katër të arrestuarit në dhënien e këtyre lejeve të drejtimit, kundër ryshfetit. Hetimet e deritanishme kanë mundur të mbledhin prova vetëm kundër 4 inspektorëve, por nuk mungojnë dyshimet se në këtë skemë janë të përfshirë edhe zyrtarë të shtetit.

Instruktorët e akuzuar

Qemal Musta, 49 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtor i “Autoshkollës” “MIRI XX”

Trandafil Taho, 54 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë instruktor i autoshkollës

Zenel Shera, 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë instruktor i autoshkollës

Nesti Xhurgjaj, 62 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë instruktor i autoshkollës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›