Falsifikimi i pronës, ish-kreu i komunës Kashar sërish në gjyq
Tiranë Alfred Sula, ish-kryetari i komunës Kashar, do të përballet sërish me gjykatën, por këtë radhë me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve” me qëllim tjetërsimin e një toke. Bashkë me të, Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur edhe një prej përfituesve të tokës së tjetërsuar, i cili gjithashtu dyshohet si pjesëmarrës në falsifikimin e dokumenteve. Hetimet për këtë çështje kanë nisur një vit më parë, pas denoncimit të njërit prej pronarëve, i cili ka deklaruar se në pronën e tij rezultojnë pronarë pesë persona të tjerë. Sipas hetimit të njësisë “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës, mësohet se objekt i hetimit është një sipërfaqe prej rreth 6 mijë metra katror tokë në territorin e komunës së Kasharit, e cila deri në vitin 2007 ishte në pronësi të një familjeje. Por gjatë kësaj kohe, pronësia ka ndryshuar falë depozitimit në komunë të disa dokumenteve të falsifikuara, duke bërë kështu që toka t’i kalojë një tjetër familjeje me banim në Kashar. Ky fakt është evidentuar nga pronarët e tokës, të cilët kanë deklaruar se në vitin 2010 nuk u janë rifreskuar dokumentet e pronësisë dhe për këtë iu është deklaruar se tashmë toka ka të tjerë pronarë. Menjëherë, prokuroria ka sekuestruar dokumentacionin, me të cilin është bërë ndryshimi i pronësisë së sipërfaqes prej 6 mijë metra tokë, dhe kjo dosje i është nënshtruar një ekspertimi grafik. Ekspertët e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës kanë dalë në konkluzionin se dokumentet në fjalë ishte të falsifikuara me anë të skanimit kompjuterik. Sipas tyre, e vetmja gjë e pafalsifikuar në këto dokumente ka qenë nënshkrimi i ish-kryetarit të komunës Kashar në vitin 2007, Alfred Sula. Për këtë konstatim, policia ka pyetur dy familjet që pretendojnë pronësinë, ka sekuestruar dokumentacionin respektiv, si dhe ka marrë dëshmitë e topografit dhe gjeometrit të komunës, të cilët kanë deklaruar se janë urdhëruar për rindarë këtë sipërfaqe toke. Pas hetimeve, prokuroria ka ngritur dyshimin se e gjithë skema është ndërtuar nga një prej pronarëve të rinj të tokës, i cili me anë të skanimit ka bërë falsifikimin e gjithë dokumenteve të pronësisë. Si pjesë e skemës, prokuroria dyshon se është bërë edhe ish-kryetari i Komunës së Kasharit, në kohën kur është rindarë kjo sipërfaqe toke, Alfred Sula. Për këtë arsye, “Task Forcë” ka vendosur të ngrejë akuzën e “falsifikimit të dokumenteve nga persona që kanë detyrë t’i lëshojnë ato” ndaj Sulës, dhe akuzën e “falsifikimit” ndaj të pandehurit tjetër. Tashmë, dosja penale në ngarkim të ish-kryekomunarit të Kasharit i është nisur Gjykatës së Tiranës, e cila pritet të hapë shqyrtimin gjyqësor të çështjes.
Alfred Sula, i dënuar për falsifikim
Alfred Sula u arrestua në vitin 2007, së bashku me dy ish-drejtues të kësaj komune, për akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Sula u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa Gjykata e Apelit konfirmoi fajësinë, duke e dënuar me 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Sula u bë protagonist i një konflikti pak ditë para zgjedhjeve lokale të 8 majit, pasi u përfshi në një konflikt me disa banorë të zonës. Ndërsa tashmë, atij i duhet të përballet me një proces të ri gjyqësor për falsifikimin e një sipërfaqeje toke në komunën Kashar.