Topalli Raporti i BE-se ka pasaktesi

Gjatë prezantimit të punës një vjeçare të Kuvendit, që sipas saj, për shkak të mungesës së opozitës, ka punuar në vështirësi, por me efikasitet, zonja Topalli nuk pranoi si të vërtetë opinionin e Komisionit Europian se ajo ka keqpërdorur pozicionin e saj.
Ajo tha se është detyrim ligjor i kryetarit të Kuvendit të hartojë axhendën e punës së parlamentit, që më pas hidhet në votim në seancë plenare.
Zonja Topalli cilësoi si pasaktësi edhe kritikën tjetër të Komisionit se parlamenti nuk funksionon si një institucion i pavarur.
“Flitet për parlament të varur?! 231 ligje me 736 amendamente dhe kush e ka bërë shumicën e tyre? 589 nga mazhoranca vetë. Ky është parlament që është kthyer në shtyllën kryesore të jetës politike. Të jep atë që të takon. Është një parlament që ka kaluar përmes vështirësive dhe që ka përballuar çdo përpjekje për ta bllokuar. Kështu që pasaktësi të tilla nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. Axhendën e kuvendit të Shqipërisë askush nuk ka për ta bllokuar, s’e kam lënë që ta bllokojnë dhe as kanë për ta bllokuar ndonjëherë”, është shprehur Topalli.
Sipas zonjës Topalli ajo që ka munguar në parlamentin e Shqipërisë dhe që u bë shkaktare për mosmarrjen e statusit, ishte mungesa e votës së opozitës pro reformave për integrimin e vendit.
Një qendrim që sipas kryetares së Kuvendit, ka në themel atë që ajo e quajti paltformë antiintegrim të kreut të opozitës, Edi Rama.
“Vetëm një platformë, atë antiintegrim. Që është vija që ndan zotin Rama nga gjithë pjesa tjetër e shqiptarëve dhe nga deputetët e tij. Ishte platformë antivizë dhe në tërësi është platformë antiintegrim. Çfarë duhej që të merrej statusi, 6 herë të çohej dora. 6 sekonda, 6 herë që opozita ta pranonte dhe të çonte dorën. Çfarë kërkohet vitin e ardhshëm, mjafton që zoti Rama të lejojë deputetët e tij që të çojnë 6 herë dorën. Ligjet janë të bëra, janë diskutuar, janë shqyrtuar edhe me opozitën. Kanë edhe amendamente në disa prej këtyre ligjeve. Pse Rama nuk i lë që të çojnë 6 herë dorën, shqiptarët nuk e morrën statusin”, tha Topalli.
E pyetur për proçesin e nisur për djegien e fletëve të votimit, zonja Topalli u përgjigj duke iu referuar fjalëve të një homologeje të saj europiane.
“Në darkën që ishim me të bashkë me një deputet të PS-së, ajo i tha: Unë do i kisha djegur fletët e votimit të nesërmen e mbylljes së proçedurave. S’ka vend që i le fletët e votimit 2 vjet. Unë ndihem mirë sa herë që zbatohet ligji, edhe me vonesë”, theksoi Topalli.
Pavarësisht deklaratave të ashpra kundër kreut të opozitës, Edi Rama, kryetarja e Kuvendit ftoi grupin parlamentar të Partisë Socialiste të votojnë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që janë kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.