Rama Berisha faktoi vjedhjen

“Në kod kemi shkruar bashkarisht se pa firmën e përfaqësuesit të opozitës në KQZ, zëvendëskryetarit të KQZ-së, çdo akt që përmban vetëm firmën e kryetarit është i pavlefshëm. Nëse edhe ky akt final i vetëdemaskimit të Saliut si kusar votash hyn forcërisht në fuqi, jo vetëm prania e opozitës në KQZ-në e dhunuar nga një lolo i Saliut, humbet çdo kuptim, por edhe veprimi opozitar merr një përmasë më të kushtëzuar nga pesha e dhunës së paligjshme qeveritare”, është shprehur Rama.
Ai bëri të ditur se Partia Socialiste do të vijojë proçedurat për shkarkimin e kryetares së kuvendit Jozefina Topalli, e bërë pergjegjëse sipas tij drejtëpërdrejtë edhe në raportin e Komisionit Europian në drejtim të keqpërdorjes se institucionit të kuvendit.
“Ne do ta çojmë përpara siç e kishim paralajmëruar nismën për shkarkimin e kryetares së kuvendit, pavarësisht numrave që sot për sot e bëjnë të pamundur një gjë të tillë aritmetikisht. Kjo nismë do të vlejë për të konsumuar çdo mundësi demokratike të opozitës parlamentare në rrugën e përpjekjes tonë për normalizimin e jetës së parlamentit që kushtëzohet nga sjellja primitive dhe kultura shumë e mangët e zonjës Jozefinë”, tha Rama.
Kreu i Partisë Socialiste tha se opozita nuk do të frenojë edhe përsa i përket protestave të cilat do të vazhdojnë me intensitet në emër të asaj që zoti Rama e quajti betejë për rikthimin e demokracisë.
“Ne do të vazhdojmë me të gjitha energjitë që ta mundësojmë largimin e kësaj qeverie. Nga transparenca e veprimtarisë korruptive tek protestat dhe deri tek zgjedhjet që nuk do të lejojmë që të jenë përsëritja e krimit elektoral të 28 qershorit 2009”, theksoi Rama.
Kreu socialist foli edhe për aferat korruptive të ministrave të qeverisë, duke u ndalur në rastin e ministrit Genc Ruili, çështjet në ngarkim të të cilit tashmë janë evidente dhe kërkoi vënien menjëherë në lëvizje të Prokurorisë.