E Diel, 1 Nëntor 2026

Inaugurohet qendra e re e dializës

01/07/2010 Tashmë pacientët e vegjël nuk kanë nevojë të shkojnë jashtë vendit

Strukturat shëndetësore pohojnë se gjatë viteve të fundit është vënë re rritje e numrit të pacientëve të vegjël që kanë nevojë për shërbimin e dializës, pasi gjendja e tyre shëndetësore është rënduar së tepërmi nga mosfunksionimi siç duhet i organit të veshkës. Mungesa e shërbimit të dializës për trajtimin e këtyre fëmijëve ka bërë që shumë prej tyre të ekspozohen ndaj risqeve të shumta shëndetësore. Mjekët shprehen se nëse këta fëmijë nuk marrin në kohë mjekimin e duhur, pasojat në shëndet për ta mund të jenë fatale. “Në pesë vitet e fundit ne kemi evidencë, afërsisht mbi 110 fëmijë, fati i të cilëve praktikisht unë nuk di t’u them se si ka qenë, sepse ky shërbim mungonte dhe për një pjesë të tyre kuptohet që sëmundja është e tillë që përfundon me humbjen e jetës. Një pjesë janë transplantuar falë interventeve të ndryshme të Ministrisë së Shëndetësisë ose mekanizmave humanitare jashtë Shqipërisë. Tani jemi në dispozicion të këtyre të sëmurëve", ka pohuar gjatë ditës së djeshme shefi i pavijonit të nefro-pediatrisë dhe dializës Rezart Xhepi. Për të shmangur rëndimin e mëtejshëm të gjendjes, për herë të parë edhe në vendin tonë do të funksionojë qendra e dializës që është inauguruar gjatë ditës së djeshme. Ngritja e qendrës së hemodializës për fëmijët ka ardhur si rezultat i donacionit prej 316 mijë euro të akorduara nga agjencia turke për bashkëpunim dhe zhvillim. Në ceremoni merrnin pjesë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, kreu i QSUT-së, Ilir Dashi, si dhe drejtori i agjencisë turke. Drejtori i qendrës më të madhe spitalore, Dashi, ka pohuar se ky investim është shumë i rëndësishëm për vetë faktin se pacientët e vegjël tashmë nuk kanë pse të kurohen jashtë vendit. “Ky shërbim ka pak kohë që funksionon, falë një donacioni prej 316 mijë eurosh nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim. Ndoshta trajtimi i këtij grupi pacientësh përbën sektorin më dinamik në zhvillimet e kësaj qendre spitalore në vitet e fundit. Rritja e ndjeshme e kapacitetit të pacientëve që marrin dializë, transplant të veshkave dhe së fundi ky shërbim janë demonstrim i mirë vëmendjeje e punë serioze”, ka pohuar Dashi. Sipas tij, ky shërbim tashmë do të zgjidhë hallet e këtij komuniteti vulnerabël në Shqipëri. Ndërsa ministri Petrit Vasili ka shtuar se shërbimi që do të ofrohet në këtë pavijon është me standarde të larta, ashtu sikurse në Turqi. "Standardi i shërbimit këtu dhe i pavijonit që e shoqëron është absolutisht bashkëkohor dhe nuk ka asgjë më pak si simotrat në Evropë, në Turqi dhe gjetkë", ka pohuar Vasili. Aktualisht në pavijonin e nefro-pediatrisë dhe dializës janë vendosur shtatë aparatura si dhe 12 shtretër. Stafi mjekësor do të punojë me 2 turne dhe qëndrimi i fëmijëve do të jetë ditor. "Hapja e shërbimeve të reja të munguara më parë do të thotë më shumë shëndet dhe shpëtim i më shumë jetë njerëzish, në mënyrë të veçantë për patologjitë delikate si ato që trajtohen me hemodializë". Duke cilësuar se standardi i shërbimit dhe pavijonit është bashkëkohor, në nivelet e strukturave simotra në Turqi e në vendet e tjera, ministri Vasili ka shtuar se "pacientët shqiptarë në strukturat publike do të vazhdojnë të gjejnë gjithnjë e më shumë shërbime ekselence". Javët që vijnë në këtë qendër do të ketë inaugurime të tjera dhe mbyllje të cikleve të plota të trajtimit dhe diagnozës në mënyrë shkencore dhe nivel universitar, duke afruar gjithnjë e më shumë shëndetësinë që po reformohet drejt standardeve më të mira bashkëkohore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›