Armenia në pritje të Turqisë
Presidenti i Armenisë ka theksuar se parlamenti i Turqisë duhet të votojë i parë për marrëveshjen për tejkalimin e armiqësisë shekullore mes këtyre dy shteteve.
“Parlamenti i Armenisë do të votojë për protokollet, nëse këtë së pari e bën parlamenti i Turqisë. Në të kundërtën, mund të ndodhë që parlamenti i Armenisë ta ratifikojë marrëveshjen, ndërsa ai i Turqisë jo”, deklaroi presidenti armen, Serzh Sargsian.
Ai gjithashtu tërhoqi vërejtjen se nëse Turqia këtë nuk e bën brenda një periudhe të pranueshme kohore dhe pa parakushte, Armenia mund t’i jap fund përpjekjeve të veta në këtë fushë.
Marrëveshja, e nënshkruar në tetor të vitit të kaluar, me qëllim të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe hapjes së kufirit mes dy vendeve, paraqet përparimin më të madh, të cilin e kanë arritur dy palët me qëllim të përfundimit të grindjes për vrasjen masive të armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore nga ana e turqve osmanë.
Gjykata kushtetuese e Armenisë në janar mori vendimin se qeveria armene është e detyruar që të kërkoi nga Turqia që krimin kundër armenëve ta pranojë si gjenocid, por kjo kundërshtohet me vendosmëri nga Turqia, gjë që edhe e vë në dyshimin e hyrjes në fuqi të marrëveshjes mes dy palëve.