E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjatë vitit 2009 janë vrarë 110 gazetarë

Gjithsej 110 gazetarë janë vrarë gjatë vitit 2009, duke e shndërruar këtë në vitin më vdekjeprurës për ushtruesit e këtij profesioni pas një dekade, ka njoftuar sot organizata International Press Institute.

Azia, ku kanë vdekur 55 gazetarë, ishte rajoni më vdekjeprurës në botë, i pasuar nga Amerika Latine, ku janë vrarë 28 gazetarë, ka njoftuar IPI në raportin e vet vjetor. Në Afrikë vitin e kaluar kanë vdekur 14 gazetarë.

Në Lindjen e Mesme janë vrarë gjashtë gazetarë, katër prej tyre në Irak. Në vitin 2008, në Irak janë vrarë 14 gazetarë.

Në Europë, në vitin 2008 janë vrarë shtatë gazetarë, pesë prej tyre në Rusi, një në Turqi dhe një në Azerbajxhan.

“Kur bëhet fjalë për vrasjen e qëllimshme të gazetarëve, për shkak të punës që bëjnë, ne ende gjendemi në një epokë të barbarisë”, deklaroi Anthony Mills, editor menaxhues i raportit.

Numri i gazetarëve të vrarë në Azi, 55 në vitin 2009, për dallim nga 25 në vitin 2008, është ngritur pas masakrimit të 32 gazetarëve në Filipine, në nëntor të vitit të kaluar.

Tetë gazetarë tjerë janë vrarë në Pakistan, ndërsa tre të tjerë janë vrarë në Afganistan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›