I mbijetuari i Haitit: Si qëndrova 27 ditë nën gërmadha
28-vjeçari i zbuluar tri ditë më parë, vetëm dje ka nisur të flasë normalisht
Historia e një haitiani të mbijetuar nën gërmadha për 27 ditë është në radhë të parë një histori shprese dhe qëndrese, përveçse një mrekulli e mirëfilltë. Sipas mjekëve që janë marrë këto dy ditë me jetën e Evans Monsigrace, ai ka filluar që ta marrë veten dhe mbi të gjitha të jetë i ndërgjegjshëm për historinë e tij të mrekullueshme të mbijetesës. Të hënën, pas zbulimit, ai u dërgua në një klinikë nga dy punonjës të shpëtimit, të cilët thanë se e kishin gjetur burrin nën gërmadhat e një tregu. Tmerrësisht i dobët, thuajse vetëm me kocka dhe krejtësisht i dehidratuar e me plagë të hapura në trup, kryesisht në këmbë, fillimisht i mbijetuari fliste fjalë pa lidhje, i bindur se vazhdonte që të ishte i ngërthyer nën gërmadha dhe se po shihte ëndrra e nuk ndodhej në fakt në realitet. Por duke filluar nga dita e djeshme, 28-vjeçari që merrej me shitjen e orizit ka nisur që të flasë gjëra që kanë kuptim dhe tani mjekët kanë nisur të kuptojnë se si ai arriti që të mbijetojë duke pirë vetëm pak ujë e ndoshta duke konsumuar ndonjë kokërr frut, por jo me ushqim tjetër. Ditën që ra tërmeti ai sapo kishte përfunduar së shituri orizin e ditës dhe ndodhej në një treg në qendër të qytetit kur tërmeti rrafshoi gjithçka, duke e zënë atë brenda, por duke mos e dëmtuar për vdekje. Në fakt ai nuk u plagos, por ngeli i ngujuar nën gërmadha pa mundësi shpëtimi. Edhe sipas mjekëve, ai duhet që të ketë kaluar një situatë shumë të vështirë mungese ushqimore dhe për një kohë shumë të gjatë dhe kjo duket edhe nga vetë gjendja trupore dhe mendore në të cilën u gjet fillimisht. Në Haiti ka shumë raste të mbijetuarish të tillë, që janë zbuluar pas një kohe të gjatë, por djali në fjalë ka kaluar plot 27 ditë nën gërmadha dhe ky mund të quhet një rekord i vërtetë. Megjithatë, mjekët mendojnë se ai mund të ketë konsumuar fare pak ujë dhe ndonjë frut. Por për sa u përket rrethanave të shpëtimit të tij, ato mbeten misterioze. Dy burrat që e sollën në spital i thanë se e kishin gjetur gjysmë pa jetë nën gërmadha dhe se ai ndodhej aty që ditën e parë pas tërmetit.
#